Brezovica, nga një qendër për tu pasur zili, është shndërruar në një zonë me ndërtime të egra, ndërtime shpejt e shpejt, meqenëse mungonin planet dhe si të tilla janë ndërtuar shpejt. Vazhdimi i operacionit që kishte nisur me 21 dhjetor, të emëruar “Brezovica”, vuri në pranga edhe shtatë persona të tjerë, të cilët iu bashkëngjitën 10 të tjerëve, ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës.
Në mesin e tyre u arrestuan edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, çka nënkupton se i tërë operacioni ka të bëjë me ndërtimet atje, me lejet e dhëna në kundërshtim me planin urbanistik. Lejet, edhe janë dhënë me mito, kështu që operacioni duhet të zgjerohet deri në atë që kanë vila atje, e që janë njerëz me pushtet, të cilët këto vila nuk i kanë bërë me djersë.
Përflitet se në Brezovcë, vila kanë njerëz të kalibrit të Hashimit, Ramushit, e të tjerëve, kryesisht të ish komandantëve, tek të cilët duhet të arrijë drejtësia. Meqenëse prokuroria ka nisur këtë aksion, për të cilën është për tu përshëndetur, duhet të vazhdojë deri në fund, dhe të nxjerr të gjitha në dritë, të kujt janë vilat, a janë në kundërshtim apo jo me planin urbanistik dhe si janë dhënë lejet. Mos të prangosen vetëm ca njerëz.
Vetëm ish kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, dyshohet se nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend zonën e Brezovicës. Të rikujtojmë se Bratisllavi ishte mik me Hashimin, i cili përflitet se ka vilë në Brezovicë, të cilën duhet ta vërtetojë prokuroria. Nëse prokuroria mjaftohet me vetëm ca arrestime të nivelit të ulët, përjashtuar Bratisllavin, duke mos prekur “peshqit e mëdhenj”, atëherë e tërë kjo do të jetë gjysmake, në kuptimin që do të mungojë e vërteta e plotë.
Fatkeqësisht, tek ne aksionet gjithnjë kanë përfunduar me epilog gjysmakë, në kuptimin që nuk kanë arritur të qojnë deri në fund të vërtetën. A ka guxim, prokuroria t’i shkojë deri në fund këtij operacioni, deri aty sat ë nxjerr urdhër për prishjen e vilave që nuk janë në harmoni me planin urbanistik, apo që janë dhënë me leje pa plotësuar kriteret dhe me mito?!
Kjo mbetet pikëpyetja e madhe, të cilës presim të na sqarojnë nga prokuroria. Personalisht, gjithnjë kam qenë dhe jam skeptik për drejtësinë në ketë vend, megjithatë dua të besoj se një ditë do të ketë drejtësi të plotë. Për aksionin në fjalë, të presim dhe të shohim, a do të jetë njësoj si aksionet tjera të lëna përgjysmë, apo do të shkohet deri në fund, duke përfshirë këtu edhe kapjen e bosëve, të cilët vilat i kanë pa djersë, në kundërshtim me planin urbanistik, disa edhe me korrupsion.