Për 20 vite, Parlamenti i Kosovës nuk debatoi për gjendjen në sektorin e bujqësisë

Opinione

Për 20 vite, Parlamenti i Kosovës nuk debatoi për gjendjen në sektorin e bujqësisë

Nga: Ismail Muçiqi Më: 19 janar 2022 Në ora: 20:00
Ismail Muçiqi

Që nga pas lpërfundimit të luftës së dytë botërore, dega kryesore e ekonomisë së Kosovës ishte bujqësia, e cila angazhoi pjesën dërrmuese të popullatës aktive, e cila punoi tokën për të siguruar bukën dhe prodhimet tjera për familjet e tyre. Mjerisht pas luftës nga çlirimi i Kosovës, kjo degë e ekonomisë u la pas dore dhe u shkatërrua në mënyrën më të egër që i ka ndodhur Kosovës.

Gjithandej rajoneve të Republikës së Kosovës, tokat pjellore u shkatërruan përmes ndërtimit të egër, duke ndërtuar objekte të betonit për interesat e individëve dhe grupeve të oligarkëve politikë, të cilët e kriminalizuan planin hapësinor të Kosovës.

Mund të themi se më se 70% të fuqisë aktive të popullatës me vite dhe decenie janë marrë me zhvillimin e bujqësisë dhe kultivimin e drithërave të nevojshme për ekzistencën e popullatës. Për 20 vite, Parlamenti i Kosovës nuk arriti të debatojë për gjendjen në sektorin e bujqësisë si një ndër degët më dominonte të ekonomisë së Kosovës. Kjo bëri që me qindra e mijëra hektarëve të sipërfaqeve më pjellore t'u ndërrohet destinacioni dhe të shndërrohen në kantiere të ndërtimit të objekteve biznesore.

Ujmani dhe sistemi Ibër - Lepenc në vitin 1971-1972

Institucionet e atëhershme të Kosovës, përkatësisht Qeveria hartoi projektin më kapital në ndërtimin e liqenit të Ujmanit. Ky projekt u financua nga Banka Botërore përmes kredisë, shuma e të cilit kushtoi 301 milionë dollarë. Kapaciteti i Liqenit të Ujmanit është 40 milionë metra kub ujë brenda një viti. Ky ishte projekti më strategjik dhe më jetik për zhvillimin dhe meliorimin e sipërfaqeve bujqësore të tokës së Kosovës. Në bazë të projektit në fjalë, parashihej që të ujiten 20 mijë hektarë tokë pjellore, sipërfaqe këto të cilat padyshim do të trefishonin rendimentet e prodhimtareve bujqësor.

Mjerisht kjo nuk ndodhi. Pasluftës ndërmarrja publike Ibër-Lepenc, e cila u themelua për menaxhimin e sistemit të meliorimit, nuk arriti ta kryejë misionin për të cilin ishte themeluar. Në këtë ndërmarrje publike jo që nuk u ujiten 20 mijë hektarë tokë, por gjatë vitit që shkoi 2021, nga sipërfaqet e parapara me projektin e ujitjes nga 18 mijë hektarë të parapara u ujiten vetëm 900 hektarë, kjo tregon dështimin e vërtet të kësaj ndërmarrjeje publike, e cila nuk u mor me misionin që i takoi, por u shndërrua në byro të punësimit të militantëve partiakë.

Në bazë të raportit të Auditorit të Brendshëm të kësaj ndërmarrjeje, vetëm gjatë mandatit të qeverisjes së kaluar PDK, LDK nga ish krye shefi i kësaj ndërmarrje pa konkurs u punësuan 124 persona. Anomalia edhe më e madhe ishte shpenzimi i buxhetit pa kurrfarë kriteresh morale apo ligjore. Kështu anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrje publike dhe stafi udhëheqës i caktuan vetes të ardhurat personale mujore me shuma të larta të paimagjinueshme. Kështu Sekretari i Ndërmarrjes është paguar me shumë prej 1600 euro Drejtori Teknik 1640 euro. Po ashtu anomalia, edhe më e madhe, Shefi i Arkivës ka marr rrogë në shumë prej 1100 euro. Auditori i Brendshëm 1760 euro, kurse Krye Shefi i Ndërmarrjes Publike ka marr rrogë në shumë prej 2200 euro. Kjo do të thotë se rroga e Kryeshefit ka qenë më e lartë se e Kryeministrit të Kosovës.

Këto janë anomalitë e ndodhura nëpër institucionet dhe agjencitë shtetërore, të cilat në emër të Republikës së Kosovës dhe të taksapaguesve janë pasuruar në mënyrat më të ndryshme pa dhënë llogari apo përgjegjësi para ligjit. Prandaj, shtrohet pyetja?.. A mund të bëhet shteti me këta të pa denjë?!... Përgjigjja dhe komenti është se sot për shkak të këtyre deformimeve Kosova siguron vetëm 45% të nevojave të drithërave. Sasia tjetër mbi 50% importohet. Zoti e ndihmoftë këtë vend.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat