T'ju uroj apo mos t'ju uroj (")pavarësinë(") e Kosovës?

Opinione

T'ju uroj apo mos t'ju uroj (")pavarësinë(") e Kosovës?

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 13:18
Xhavit Kryeziu

Sot është 17 Shkurti - zyrtarisht Dita e Pavarësisë së Kosovës.

Nëse kthehemi 14 vite prapa, më 17.2.2008, në ditën kur u shpallë pavarësia e Kosovës, nuk besoj të ketë pasur ndonjë shqiptar që nuk i ishte gëzuar asaj dite të madhe për kombin tonë. I ftohti i thatë e i acartë i asaj të diele të bekuar ishte i pafuqishëm për ta ndalur vërshimin në rrugë dhe në ambiente të tjera, të hapura e të mbyllura, të masës së gjerë popullore e cila kremtonte me gëzim dhe lot të ngazëlluese ditën më të madhe të historisë së Kosovës - shpalljen e Pavarësisë së saj.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte njëkohësisht dëshira dhe vullneti i kahmotshëm i kombit Shqiptar për ta formuar shtetin e mëvetësishëm të Kosovës, dhe çlirimi nga pushtimi i gjatë i Serbisë sa të egër e barbare, po aq edhe të pashembullt për botën e civilizuar.

Shumica dërmuese e Shqiptarëve e përjetoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si lindje e dytë, e cila si e tillë do t'i hidhte prapa shpinës vuajtet dhe padrejtësitë e shumta, dhe njëkohësisht do të sillte ditë më të mira për Kosovën në veçanti dhe kombin Shqiptar në përgjithësi.

Megjithëkëtë, ku jemi sot, më 17 Shkurt 2022 - 14 vite nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës?

Unë dyshoj nëse ka pasur ndonjë Shqiptar i cili do ta kishte imagjinuar Kosovën në gjendjen çfarë sot. Përkundër pritjeve të mëdha, edhe pas 14 vitesh pavarësi, Kosova jo që nuk është pranuar në OKB ashtu siç ishin "të sigurt" miqtë tanë ndërkombëtarë, e pas tyre edhe politikanët tanë, por si e tillë nuk është njohur pothuajse as nga gjysma e shteteve të botës. Në fakt, askush nuk di numrin e saktë të shteteve që kanë njohur Kosovën. Tjetër numër japim ne, një tjetër jep Serbia, kurse një të tretë japin ndërkombëtarët. Përderisa nuk ka numër të saktë, atëherë lihet hapësirë për të dyshuar se dikush është duke gënjyer: ose ne, ose Serbia, ose ndërkombëtarët. Ajo që është e vërtetë, por fatkeqësisht e hidhur, është se brenda këtyre 14 viteve, krahas njohjeve ka pasur edhe çnjohje nga disa shtete të mëvetësisë së Kosovës. Për hir të së vërtetës, nuk e kemi të saktë as numrin e shteteve që kanë çnjohur Kosovën. Është kështu sepse përsëri ne mashtrojmë ose vetëmashtrohemi, ose gënjen Serbia, ose gënjejnë dhe "baraspeshojnë" edhe ndërkombëtarët. Çdokush gjoja përgënjeshtron apo demaskon tjetrin pa qenë edhe vetë i sigurt nëse e thotë apo nuk e thotë të vërtetën.

Kur jemi te e vërteta dhe mashtrimi, ose edhe te vetëmashtrimi, neve si popull nuk duhet të na interesojë fort, ose nuk duhet të na interesojë aspak se çfarë thonë, gënjejnë apo mashtrojnë të tjerët. Ne duhet të brengosemi se çfarë kemi bërë ne, çfarë po bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë për shtetin tonë. Se sa kemi bërë e po bëjmë, tregon vetë puna, gjegjësisht realiteti në të cilin ndodhet Kosova jonë për këto 14 vite të shtetësisë së saj.

Vetë zhgënjimi çdo ditë e më i skajshëm i masës së gjerë popullore lidhur me pozitën dhe gjendjen faktike të Kosovës dhe të kombit të saj Shqiptar, dëshmon se nuk kemi arritur aty ku kemi dëshiruar e pritur. Liderët Shqiptarë të Kosovës, pothuajse të gjithë me rend, i madh e i vogël, të të gjitha partive politike pa dallim, me apo pa vetëdije e ndërgjegje, më shumë i kanë sjellë të këqija sesa të mira kësaj Kosove të gjorë dhe këtij populli, gjithmonë të mashtruar e të nëpërkëmbur, tani jo më nga Serbia dhe të tjerët, por nga vetë Shqiptarët. Për 23 vite që nga çlirimi e këtej, dhe për 14 vite pavarësi, liderët Shqiptarë kanë dëshmuar se kanë qenë dhe kanë mbetur të pangopshëm dhe të etur për ta shkatërruar dhe mjelë Kosovën e mjerë. Ndonëse shumica prej tyre kanë luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia (nëse vërtet kanë luftuar), pas luftës kanë dëshmuar se janë të pashpirtë ndaj popullit të tyre dhe ndaj vetë Kosovës.

Duke filluar që nga privatizimi pa asnjë kriter, që rezultoi me shkatërrimin e paskrupullt të ekonomisë së Kosovës, politikanët Shqiptarë sikur kanë garuar njëri me tjetrin se kush po pasurohet, e kush po e plaçkit Kosovën më shumë. Plaçkit ata, plaçkit edhe "miqtë" tanë, Kosova u bë "zgjoi" që polli shumë milionerë, edhe pse shumica prej tyre deri dje ndoshta nuk kanë pasur mundësi të ngihen as me bukë. Dhe, përderisa politikanët "e zotë" pasuroheshin brenda nate, shumica dërmuese e popullit Shqiptar të Kosovës, varfërohej gjithnjë e më shumë. "Të aftë" për t'u punësuar ishin vetëm familjarët dhe farefisi i politikanëve të Kosovës, ndërkaq "të paaftë" dhe "të pakualifikuar" për të gjetur një vend pune ishin shtresa e gjerë e popullit të thjeshtë, të cilët duke mos pasur lidhje farefisnore me politikanët e pashpirtë nuk kishin mundësi të punësoheshin nëse atyre nuk "ia ngopnin gushën" mirë. Se politikanët dhe familjarët e tyre kishin “aftësi” për t’u "kualifikuar" me arsim të lartë, këtë mundësi ua ofronin universitetet dhe kolegjet e shumta, të cilat mbinin në çdo qytet si kërpudhat pas shiut. Për më shumë, nga këto “vatra diturie” dilnin “të dijshëm” vetëm ata që kishin lekë, e jo kokë!

Për 23 vite me radhë, që nga çlirimi prej Serbisë, dhe për 14 vite që nga shpallja e Pavarësisë, Kosova është pushtuar dhe vazhdon të mbahet e tillë prej politikanëve antikombëtarë të Kosovës.

Një dritë shprese të cilën populli i Kosovës e ka ëndërruar dhe pritur prej kohësh ishte fitorja shpresëdhënëse e Lëvizjes "Vetëvendosje" në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021. Ishte vota e popullit ajo që ia dha fitoren bindëse Albin Kurtit, politikanit të cilit populli i ka besuar shumë dhe nga i cili pritur shumë. Albin Kurti kishte "garantuar" se ai do ta sillte “ndryshimin” ngase "nuk ishte si të tjerët”.

Ku është Kosova sot - 14 vite pas shpalljes së Pavarësisë dhe një vit nën udhëheqjen "zërit të popullit", Albin Kurti?

Për fat të keq, asgjë nuk ka ndryshuar, ose ka ndryshuar për të keq. Janë ndryshuar vetëm emrat e politikanëve që po pasurohen. Tani janë “të pastrit” e “Vetëvendosjes”, të cilët duket se kanë ndryshuar për 360 shkallë. Kryeministri Albin Kurti u dëshmua se paska qenë demagog i rryer, i cili ia ka dalë shumë mirë ta shfrytëzojë revoltën e popullit të cilin e ka pasur ndaj politikanëve të deridjeshëm. Për shumicën e Shqiptarëve, sidomos për të rinjtë, Kosova është bërë ‘ujk” nga e cila duan të ikin sa më parë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga si ishte më parë. Shifrat e atyre që po braktisin Kosovën janë të tmerrshme. Shkollat po mbesin pa nxënës, rrugët pa njerëz teksa shtëpive po u vihet dryni. Arat po mbesin djerrina ngase nuk ka më kush të punojë në to. Edhe nëse ka, askush nuk punon. Është kështu sepse bujkut kosovar nuk i ofrohet përkrahja siç kishte premtuar dikur “zëri i popullit”, Albin Kurti. Një shtet që importon edhe qepë, ndonëse ka tokën më pjellore në rajon, nuk mund t’i thuash shtet. Çmimet e artikujve ushqimorë po rriten çdo ditë. Qeveria “e popullit” ia dyfishoi çmimin e rrymës, jo për ta ulur siç kishte premtuar, por për t’ia bërë ferr jetën shtresës së ulët popullore. Punëtorët në sektorin privat rrjepën nga pronarët: punojnë me orar pa orar dhe me paga shumë të ulëta. Ndërkaq, qeveria e “patriotit” Albin Kurti nuk brengoset aspak për popullin që e solli në pushtet. Le t’i rrisë pagat e ministrave, deputetëve, gjykatësve.. se ata e shkatërruan dhe e sollën Kosovën në këtë gjendje. Le t’ia ndalin edhe ajrin popullit Shqiptar që ta mbysin sa më parë. Megjithëkëtë kujdes, me serbët: ata kanë qenë popull “hyjnor”, në kohën e kryekasapit të Ballkanit, Slobodan Milosevic, ndërsa vazhdojnë të konsiderohen të tillë edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga qeveria “e popullit” e Albin Kurtit. Ata Serbët e Kosovës marrin paga prej Kosovës, nuk paguajnë për rrymën e ujin që e marrin nga Kosova, dhe me paratë që i marrin nga Kosova ata luftojnë lirshëm kundër Kosovës.

Në fund, 17 Shkurtin kanë të drejtë dhe fat ta kremtojnë vetëm politikanët e Kosovës sepse vetëm ata kanë mundësi t’i shijojnë të mirat e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës duhet ta festojnë edhe serbët dhe minoritete tjera të Kosovës sepse të drejtat që kanë ata nuk i ka asnjë minoritet tjetër në botë.

E, pra “urime” pavarësia e Kosovës juve politikanëve Shqiptarë, juve minoriteteve të Kosovës dhe juve “miqve” ndërkombëtarë, të cilët po na “ndihmoni” duke na mjelë mirë.

Zemra ime nuk po më lejon që pavarësinë e Kosovës t’ia uroj edhe popullit shumicë Shqiptar të Kosovës. E, si mund t’ia uroj pavarësinë popullit tim përderisa ky popull në vend të pavarësisë po e “gëzon” mjerimin, nëpërkëmbjen, nënçmimin, fyerjen, poshtërimin, padrejtësinë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat