Doktoreshë Liri Berisha dhe rasti i Orlando Rakipit! Çfarë kontrasti?!

Opinione

Doktoreshë Liri Berisha dhe rasti i Orlando Rakipit! Çfarë kontrasti?!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 18 prill 2022 Në ora: 08:51
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ish deputeti i Edi Ramës, Aqif Rakipi, u shpall jo vetëm non-grata, por atij iu ngrinë pasuritë nga ana e Departamentit të Thesarit të SHBA-ve. Megjithatë nuk u shpall non-grata djali i tij, Orlando Rakipi, edhe pse ai u zgjodh deputet përmes ndërmarrjes kriminale të babait të tij! Nuk e pësuan këtë fat as gruaja dhe anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë të Aqifit! A ishte kjo një pakujdesi? Jo! Ishte një përllogaritje politike në modelin artimetik. Le të goditej Aqifi, me qëllim që të mbijetonte dhe të lihej në parlament produkti i tij biologjik dhe kriminalo-politik, Orlando! Ky ishte interesi themelor i Edi Ramës dhe ambasada u kujdes pikërisht që të mos e thyente këtë interes jetik të kreut të mazhorancës!

Ndërkaq bashkë me Sali Berishën u shpall non-grata edhe gruaja e tij, Liri Berisha majin e vitit të kaluar. Edhe pse Doktoreshë, Liria është dhe mbetet simboli e modeli i sjelljes dhe respektit njerëzor e familjar për gjithë shqiptarët, ajo nuk u kursye nga vendimi i DASH për të shoqin! Kurse djali i Aqif Rakipit, ulur në parlament me vota të vjedhura, të blera e kriminale, siç thuhet për babanë e tij në vendimin e Departamentit të Thesarit, nuk përbën rrezik as për Shqipërinë, as për SHBA-të! Liri Berisha, e cila nuk mund të akuzohet për asgjë, për asnjë sjellje jo korrekte, jo më për ndonjë aferë të caktuar, shpallet non-grata dhe i caktohet akuza si rrezik shoqëror e politik?!!!

Ndërkaq nuk pashë asnjë grua e vajzë shqiptare, intelektuale, shkrimtare, mjeke, humaniste, veprimtare, politikane, që ta marrë në mbrojtje Liri Berishën, edhe pse ato e dinë dhe e ndjejnë të vërtetën!

Diktatura është frikë. Diktatura e frikës e mban në këmbë padrejtësinë! Ky shembull që dhashë më lart është provë se ne jetojmë në diktaturën e frikës! Në Shqipëri është rrënuar dhe tjetërsuar raporti me të vërtetën! Është varrosur e drejta dhe paanësia, është shembur demokracia! Dhe e gjitha kjo me ndihmën e administratës së atij vendi, SHBA-së, e cila ishte aktori dhe faktori kryesor i fitores së demokracisë në vendin tonë! Unë nuk do të resht t'i shënoj këto të vërteta të hidhura!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat