Gjenerali Demiraj: Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë përfundimisht NATO-n shumë herë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur

Opinione

Gjenerali Demiraj: Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë përfundimisht NATO-n shumë herë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur

Nga: Dritan Demiraj Më: 6 korrik 2022 Në ora: 09:22
Gjenerali Dritan Demiraj

Samiti i NATO-s në Madrid përfundoi në datat 28-30 qershor dhe është e qartë tashmë se misioni i ri strategjik i SHBA-ve është mbrojtja e Europës, ndërkohë që pas pushtimit të Ukrainës sheshi tjetër i luftës mund të jetë Europa.

Ndërkohë që lufta në Ukrainë prej katër muajsh po intensifikohet gjithmonë dhe më shumë, ky konflikt ka treguar se kjo luftë është siguria e vetme për ndalimin e pushtimit rus drejt vendeve të Bashkimit Europian në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj tre vendeve Baltike dhe Polonisë.

Në gjykimin tim, Europa nuk ka asnjë opsion tjetër, por thjesht dhe vetëm të përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen e afërt. Ky është njëkohësisht edhe vlerësimi i fundit i SHBA-ve, të cilat kanë vendosur më në fund që të shtojnë ndjeshëm prezencën e tyre ushtarake në Europë.

Në shtesë të SHBA-ve, edhe Gjermania e Britania e Madhe kanë vendosur që të shtojnë prezencën e tyre ushtarake në Europë, duke forcuar më tej Krahun Lindor të NATO-s.

Presidenti Amerikan Joe Biden gjatë Samitit deklaroi se: “Ne jemi më të vendosur se kurrë që të zbatojmë artikullin 5, i cili nënkupton që sulmi mbi një vend është sulm mbi të gjithë Aleancën. Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo inch të territorit të NATO-s. Së bashku me 29 aleatët e tjerë, jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kërcënimeve nga të gjitha drejtimet përmes gjithë territorit tonë në tokë, det dhe në ajër”.

Dy konkludimet kryesore të Samitit të NATO-s ishin se:

1. Putinit nuk mund t’i besohet.

2. Aleatët e SHBA-ve në Europë ndihen të kërcënuar dhe për këtë qëllim,

Presidenti Biden ka urdhëruar që të mobilizojë edhe më tej ushtrinë Amerikane.

Kjo nënkupton që shumë shpejt, një kontigjent më i madh Amerikan do të dislokohet në Europë. Ku do të dislokohen konkretisht këto forca?

Një brigadë e përforcuar Amerikane do të stacionohet menjëherë në Rumani në përbërje të së cilës do të jenë 2000 trupa amerikane, në shtesë të tashmë edhe 3000 trupave të tjera që janë të stacionuara që përpara pushtimit në këtë vend. SHBA-të do të dislokojnë në Britaninë e Madhe 2 skuadrone të avionëve F-35, në Spanjë do të dislokojnë dy destrojerë shtesë ndërkohë që edhe katër Destrojerë të tjerë Amerikanë janë në gatishmëri të plotë të stacionuara që më parë në Spanjë. Në shtesë sa më lartë, SHBA-të do të dislokojnë disa njësi shtesë të raketave më të sofistikuara për mbrojtjen kundër-ajrore në Gjermani dhe në Itali.

Dislokimi më i madh i ushtrisë Amerikane do të realizohet në Poloni, ku për herë të parë SHBA-të do të vendosin një komandë të përhershme operacionale, Komandën e Korpusit të 5-të të Ushtrisë Amerikane, e cila është një forcë e drejtpërdrejtë luftimi me pajisjet më moderne të saj.

Në ditët e sotme, SHBA-të kanë më shumë se 100.000 trupa të dislokuara, ndërkohë që përpara pushtimit rus të Ukrainës kishin rreth 80.000 të tilla. Pas pushtimit, menjëherë SHBA-të dërguan edhe 20.000 trupa shtesë luftimi.

Ndërkohë edhe Britania e Madhe dhe Gjermania kanë vendosur të shtojnë numrin e trupave ushtarake. Britania do të dërgojë edhe 1000 trupa shtesë në Estoni, ndërkohë që ka të dislokuara edhe 2000 të tilla në vend. Dy skuadrone avionësh sulmi së bashku me aeroplanmbajtësen “Queen Elisabetë” janë në gatishmëri të plotë. Gjermania do të urdhërojnë dërgimin e një brigade luftimi në Lituani.

Pra, për herë të parë NATO po zhvendoset në një lëvizje, e cila konsiderohet si ‘agresive’.

Fronti Lindor i NATO-s sot përbëhet nga tetë vende: Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, të cilat janë vendet që mund të përballen drejtpërdrejtë nëse kon+ikti përshkallëzohet më tej.

Konkretisht sot në Estoni ndodhen 2200 trupa të NATO-s dhe 10.500 të ushtrisë së saj, në Poloni gjenden 3481 ushtarë të NATO-s dhe 58.432 të saj. Në të gjithë Frontin Lindor të NATO-s sot gjenden 324.000 ushtarë të SHBA- ve dhe të tetë vendeve të NATO-s. Në këto momente kërkesës për t’ju bashkuar NATO-s i janë shtuar edhe Finlanda dhe Suedia.

Sipas Vladimir Putin-it, “Lëvizjet e fundit të NATO-s, janë lëvizje të cilat tregojnë ambicie imperiale”. Në lidhje me anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në NATO, ai deklaroi se: “Ne nuk kemi asnjë problem me zgjerimin e NATO-s, por në rast se ata dislokojnë infrastrukturë ushtarake në Finlandë e Suedi, edhe ne do të reagojmë ndryshe duke dislokuar armët tona”.

Çfarë nënkupton kjo?

Kjo nënkupton se në të ardhmen Rusia do të dislokojë në këtë front armët më moderne të saj nukleare, avionët strategjikë, sistemet e raketave supersonike, sistemet më moderne të mbrojtjes kundërajrore S-400, S-500, S-550, nëndetëset më moderne, do të ndërtojë baza të reja ushtarake, por jo vetëm.

Si përfundim, një gjë është e qartë.

Vërtet ky pushtim ka shkaktuar vdekjen e mijëra qytetarëve dhe ushtarëve të pafajshëm të Ukrainës, ka shkatërruar infrastrukturën e saj në më shumë se 35 për qind të vendit, por e ka bërë përfundimisht NATO-n shumë herë më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat