Dy fjalë për reflektim në lidhje me zgjedhjet në Maqedoninë Veriore

Opinione

Dy fjalë për reflektim në lidhje me zgjedhjet në Maqedoninë Veriore

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 19 gusht 2022 Në ora: 15:17
Autori Avdullah Mehmeti

Si asnjëherë më parë nuk kam heshtur në ndonjë fushatë zgjedhore sikurse në këto të fundit, të cilat mbahen ditën e nesërme, më 20 gusht, për Këshillin e Komunës së Tetovës.

Sidoqoftë, qytetarët e Tetovës edhe kësaj here duhet ta dinë se:

Në Maqedoninë Veriore ende nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, sidomos për shkak të rregullativës ligjore në lidhje me zgjedhjet, ndarjes së padrejtë administrative-territoriale, listave të papastruara të zgjedhësve, modelit zgjedhor të papërshtatshëm dhe të imponuar, mënyrës së financimit të fushatave zgjedhore, si dhe të shumë pengesave të tjera, të cilat e pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira, ndërtimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, decentralizimin e pushtetit dhe realizimin e programeve dhe projekteve për zhvillimin normal të komunave, sidomos të komunave shqiptare, siç është Komuna e Tetovës.

Heshtja e intelektualëve dhe veprimtarëve me përvojë (jo partiakë) nuk është shenjë e mirë për shëndetin e shoqërisë sonë dhe të lëvizjes politike të shqiptarëve në këtë vend, por kjo ka shpjegimin dhe kuptimin e plotë në këtë mjegullnajë të tmerrshme që ka krijuar pushteti, përmes medieve të veta, ndërsa rrjetet e agjenturave të huaja vazhdojnë të përhapin terrin e zi të propagandave të huaja kundër interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, sikurse në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Këtë gjendje të mjerueshme ku kanë rënë shqiptarët sot, përkatësisht ku i kanë sjellë drejtuesit e partive të veta politike, shumë thjeshtë mund ta vërejë secili qytetar i vendit, sidomos banorët e Tetovës, mjafton të bëjnë një ecje nëpër rrugët, hyrje-daljet e këtij qyteti, nga cilado anë, deri në sheshin e qytetit të Tetovës, ku dominon ikonografia zgjedhore (bilbordet) e partisë më antishqiptare që njeh historia e këtij vendi, OBRM-PDUKM, ose siç e quajnë në origjinal në gjuhën sllave edhe liderët e partive politike të shqiptarëve: VMRO-së.

Dhe, si përfundim, edhe një shpjegim të qartë e të shkurtër për fund, pa dashur kësaj radhe të ndërhyjmë në rezultatet e zgjedhjeve dhe prishjen e këtyre matematikave politike dhe partiake, duke qenë të sigurt se kjo maskaradë do të përfundojë shumë shpejtë, meqë gremina ku duan t’i fundosin shqiptarët pushteti aktual dhe qorrat e politikës shqiptare aktuale, është aq afër nesh sa nuk ka më nevojë dhe kohë për paralajmërim rreziku apo kthimi parapa.

Kjo qasje e gabuar e lëvizjes politike shqiptare aktuale vazhdon ta shumëzojë HIÇIN me ZERO, por kjo do të sjellë edhe dobi në një të ardhme të afërt, që ta kuptojnë shqiptarët se nuk kanë kohë për eksperimente me famën e rrejshme të liderëve dhe politikanëve me format xhepi, të cilët e kanë shndërruar çështjen shqiptare në interes xhepash ndërsa shqiptarët në monedhë kusuritje mes shërbimeve të huaja sekrete.

Një analizë më të plotë në lidhje me këtë çështje do ta lexoni pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, të përgatitura edhe për një dështim dhe zhgënjim të shqiptarëve në Tetovë dhe në gjithë Maqedoninë Veriore.

(19 gusht 2022)

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat