Kosovë, atdheu ynë i dashur, maskarenjtë po të vrasin çdo ditë, po ti mos u dorëzo, qëndro e fortë ashtu siç ke qëndruar ndër shekuj..!

Opinione

Kosovë, atdheu ynë i dashur, maskarenjtë po të vrasin çdo ditë, po ti mos u dorëzo, qëndro e fortë ashtu siç ke qëndruar ndër shekuj..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 29 shtator 2022 Në ora: 22:04
Flamuri i Kosovës

Ashtu sikur e vrau “atdheu” Mitrush Kutelin, edhe neve sot pas 60 e fiu vitesh, po na vret pa mëshirë atdheu ynë, të cilin ne mërgimtarët nuk e “tradhëtuam” pse ai na vrau, por për shkakun, se atdheun na e vranë dhe na e pushtuan armiqtë tanë barbarë, kriminelët serbë, e bashkë me të, edhe neve mërgimtarëve na dëbuan me dhunë nga vendet e punës, nga shtëpitë tona, duke na detyruar që t’i marrim rrugët e pafund dhe plot vuajtje, të botës, të Evropës, Amerikës e deri në Zelandën e re dhe Australi..!?

Nuk është e vërtetë se ne e lëshuam atdheun me dëshirë, jo, kurrë dhe kurrë, por sepse ishim të detyruar të kërkonim shpëtim nga përndjekjet e Udbës serbe, sepse rrugë tjetër para nesh nuk na kishin lënë, andaj është pafytyrësi t’i quani tradhtarë dhe dezertorë mërgimtarët tanë, ngase nuk është fare e vërtetë se atdheun e lëshuam me dëshirë, veçse ikëm rrugëve të botës për të siguruar një kafshatë bukë për vete dhe familjet tona.

Kur ne u larguam, ishin fillim-vitet e 90-ta, e jo vitet e luftës çlirimtare (1998-99), dhe krejt çfarë kursyem për ato vite në dhe të huaj dhe nga punë të rënda fizike, kur erdhi çasti ia dhuruam atdheut pa asnjë dridhje dore, pa asnjë hezitim, sepse atdheu na thërriste të japim çdo gjë për të, dhe ne dhamë krejt çka patëm dhe çfarë posedonim..!? Populli këtë e di më së miri, sa i dhamë atij dhe sa e ndihmuam atë, andaj në asnjë mënyrë nuk e merituam një injorim dhe një tallje kaq të madhe, nuk i merituam me asgjë as etiketimet “gërnaçë”, “dezertorë”, “tradhtarë”, etj...!?

Por, nuk paskësh asgjë më të rëndë për njeriun shqiptar, më bizare, më antikombëtare, më antinjerëzore, më të pistë, më të ndytë, më shkatërrimtare, më të dëmshme, më të neveritshme, më degraduese, etj., se sa kur të vret atdheu yt, se sa kur të injoron, harron, përbuz, përqesh, shkel, plaçkit, mjel, xhelozon, eks-komunikon dhe dëbon nga vendlindja, shteti yt, qeveria jote për të cilën ti ke sakrifikuar çdo gjë në jetë; punën tënde, mundin tënd, paratë tua, familjen tënde, fëmijët tu, jetën tënde, të ardhmen tënde si dhe vdekjen tënde për së gjalli..!?

Se çfarë fati të zi kemi ne shqiptarët, më së miri e ka thënë para gjashtë dekadave, shkrimtari ynë i njohur, Mitrush Kuteli, në vjershën e tij me titull:

Atdheu:

“Të dua populli im, edhe kështu siç je, Të dua edhe kur ti s’më do, Të dua atdhe, edhe kur ti s’më flet, Të dua atdhe beso, edhe vend për varr, kur nuk më jep, Të dua atdhe, edhe kur kënaqem me ty, por të dua, o i miri atdhe, edhe në vuajtje e në gazep, edhe në gëzime, kur fjala të ka lezet. Të dua atdhe, edhe kur çmendesh, E ti e di edhe vet, Ty të ndodhë shpesh, shpesh ti egërsohesh, edhe fëmijët tu, nganjëherë i vret! Të dua atdhe, edhe kështu siç je, se në këtë tokë, të vjetër, Unë fëmija yt i vogël, nuk kam asnjë Atdhe tjetër”..!!

Dhe, ne “dezertorëve”, një shpresë dhe një forcë na mban deri në vdekje, e ajo është, populli ynë martir, i cili me mijëra herë e tha troç dhe përsëriti qindra herë përgjatë 22 viteve; “Se po të mos ishte mërgata jonë, djemtë dhe bijat tona më të mira nëpër botë (diasporë), ne nuk do mund ta mbijetonim kurrë dhunën, masakrat, dëbimin biblik, luftën dhe gjenocidin barbar serb, nuk do e fitonim as lirinë dhe pavarësinë, sikur nuk do e mundnim skamjen dhe krizën ekonomike, varfërinë dhe njëmijë e një vuajtje sociale dhe financiare, po sikur mos të na mbante gjallë mërgata jonë zulmëmadhe. E, mos të flasim për injorimin brutal që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet trurit të ekspertëve, intelektualëve dhe profesionistëve në lëmi të shumta të jetës, nga radhët e mërgatës, të cilët sikur para dhe gjatë luftës që dhanë çdo gjë për lirinë dhe pavarësinë e saj, ishin të gatshëm të japin nga dija dhe përvojat e tyre edhe për shtet-ndërtimin e atdheut të tyre, që ka emrin, Kosovë, gjaku ynë që nuk falët kurrë, pa marrë parasysh çmimin dhe sakrificat..!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat