Stop shantazhimit të shtetit për qëllimet mafioze të politikës qorre ditore!

Opinione

Stop shantazhimit të shtetit për qëllimet mafioze të politikës qorre ditore!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 7 tetor 2022 Në ora: 08:00
Foto ilustrim, listat me veteranë të rrejshëm

Ndryshimi i shumëpritur, i premtuar dhe i proklamuar me bujë, duhet lëndëzuar dhe faktuar me reforma të thella dhe standard të ri. Në mënyrën më të egër, cinike, të poshtër e kriminale, vazhdon zhvatja e miliona eurove, nga buxheti i shtetit të Kosovës, nga mijëra "veteranë" të rrejshëm, të inkriminuar e matrapazë. Nuk pritej stopimi i këtij krimi, nga ish-pushtetarët kriminelë, të cilët e kishin projektuar, qëllimshëm, shumëzimin e veteranëve. Është mision i Qeverisë aktuale, ta ndalojë gjakderdhjen financiare, të turpshme e kriminale, për pagesën e dhjetëra-mijëra "veteranëve" të rrejshëm!

1) Çështja e Veteranëve", me numrin e (5)pesëfishuar, përmes "Dëshmive të Veteranit", për përfitim material dhe klientelë elektorale, nga partitë-banda të PAN-it, të prirë nga AAK;

2) Rezolutat mafioze të PAN-it, të mbështetura edhe nga LDK-ja, bojkotuese e bllokuese të nismave të proceseve reformuese, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, përmes hetimit të pasurimit, pa mbulesë faktike financiare. Ndërhyrja ligjore, për ta përmirësuar Sistemin e Drejtësisë, të dëmtuar, më saktë, të rrënuar, qëllimshëm, nga pushtetarët të inkriminuar, përkatësisht, disa komandantë kriminelë, qoftë ata në izolim apo ende të lirë, për t`iu shmangur drejtësisë për krimet e tyre.

I. "Çështja e Veteranëve", është afera më e rëndë dhe më kriminale, përveç përfitimit personal e gruporë, shitja "kesh", me para në dorë, të "Dëshmive të Veteranit", shoqërohen me gjakderdhjen më të madhe financiare, plus prapavijën politike, me blerjen me buxhetin e shtetit, të klientelës elektorale partiake, të pakufizuar në kohë. Kjo blerje shpërfillë vullnetin, për të votuar e zgjedhur njerëz apo qeveri cilësore, sepse, paraprakisht, është shitur vullneti dhe shkatërruar ndërgjegjja. Votimi është robotik!

Komisioni Qendror, për Verifikimin e "Dëshmive të Veteranit", ishte komplet i PAN-it, me SHIK-as të rreshkur brenda. Ata emëruan komandantët lokalë, të gjithë PAN-istë, fort të afërt me krerët e partive-banda dhe komandantët mujshorë dhe rrastë të inkriminuar. Një shembull unik: Një komandant lokal, në Dukagjin, i dënuar me 4 (katër) vjet burg, për haraç faktik, të shoqëruar me policë, e dërgonin atë në zyrën përkatëse në Pejë, për të lëshuar "Dëshmitë e Veteranit"!!

Ligji që përcaktonte kriteret, për Statutin e Veteranit, kishte tri qëllime, secili më i poshtër se tjetri:

1) Të rritet, falsifikueshëm, numri i veteranëve, për t`i treguar Evropës dhe Amerikës, se Kosovën e kemi çliruar me forcat tona;

2) Përfitimi material nga shitja e "Dëshmive të Veteranit", nga komandantët lokalë e qendrorë;

3) Shumëzimi i klientelës elektorale për partitë-banda të PAN-it.

Kanë aplikuar 105 mijë persona, për fitimin e Statutit të Veteranit. Prej tyre, në leximin e parë, janë pranuar për kandidatë të mundshëm të Veteranit 65 mijë persona. Prej tyre kishin përfituar 46.300 Statutin e Veteranit. 38.804 persona u bënë përfitues të skemës për veteranë të luftës, të cilët marrin pagë mujore, sepse konsiderohen të papunë. Kush e beson se kjo shifër veteranësh janë të papunë?!

Ndërkohë, komandantët kryesorë të Kosovës, përfshi edhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral Sylejman Selimin; komandantët e Drenicës; politikanët Hashim Thaçi e Kadri Veseli; komandantët e Kosharës; komandantët e Llapit, e pranojnë shifrën 12.700 deri në 13 mijë veteranë të vërtetë, bashkë me emërgjencën ndihmëse. Përjashtim bënë Ramush Haradinaj, me komandantët e tij në Dukagjin, me ngulmimin se ka pasur me shumë se 60 mijë luftëtarë! Rrenë e kulluar, falsifikim grotesk, për qëllime, tashmë, të stërnjohura!

Prokurori i përgjegjshëm, i dinjitetshëm dhe me integritet profesional, i ngarkuar me çështjen e hetimit të "Dëshmive të Veteranit", në leximin e parë të dosjeve aplikuese, refuzoi dhe hoqi nga listat emërore 19.500 "veteranë" të rrejshëm, duke e lënë të hapur korrigjimin e dytë, të tretë ..., deri në verifikimin e saktë dhe të plotë. Në fakt, nga 46.300 veteranë, të pranuar nga Komisioni i Panit, rezultonin vetëm 12.700 veteranë të mirëfilltë dhe 33.900 "veteranë" të rremë!

Prokurori Elez Blakaj u kërcënua me jetë nga Ramush Haradinaj dhe komandantët e tij, njëri syresh deputet, i cili u arrestua me akuzën e kërcënimit, por e bleu lirinë! Ndërhyrja emergjente e SHBA, ishte vendimtare, për ta shpëtuar Prokurorin në fjalë, nga një rrezik real jetësor!

Çështja e Veteranëve bëhet edhe më dramatike. Shifra 43.300, tashmë, është rritur në 53.188 persona, të cilët kanë fituar Statutin e Veteranit luftëtarë. Sipas Agjencisë të Statistikave të Kosovës, 37.007 janë përfitues, paguhen nga skema për Veteranët e Luftës!

Hartimi i listave emërore të "veteranëve", nuk është bërë në bazë të zonave, brigadave, batalioneve, çetave, ku janë angazhuar si luftëtarë! Por, qëllimshëm, janë shënuar me renditje alfabetore, për të pamundësuar verifikimin e gjithë secilit, nga vendorët, nëse ishte apo jo pjesë e luftës? Edhe ata që kishin lëvizur jashtë komunave të tyre, duhej renditur, shënuar nga vijnë.

Po të afishohen listat emërore të - veteranëve të pretenduar -, fshat me fshat; lagje për lagje; komunë për komunë, në gjithë Kosovën, duke dhënë një - e-mail - zyrtar, me të drejtë të informimit, denoncimit, të koduar nga informatori vendor, e vërteta do të mësohej, për cilindo veteran të vërtetë ose të rremë. Shto këtu edhe misionin profesional të Agjencisë Kosovare të Informimit (AKI). Nuk do të kishte nevojë për asnjë lloj Komisioni, e aq më pak zgjidhje buroktatike "gjyqësore"!

Shifra shokuese na sjell Gjeneral Spiro Butka, kryetar i OVL të UÇK-së në Shqipëri: "Kam dorëzuar listën e plotë, me 186 luftëtarë nga Shqipëria, por, tani paguhen 3.000 sish. Kjo shifër vazhdon të rritet. Gjenerali shkon më tej, jep emra komandantësh falsifikatorë nga Kosova dhe denoncon bizneset me vendorët shqiptarë. Për këtë ka debatuar dhe polemizuar, në media, me ushtarakët profiterë shqiptarë.

Kategorizimi fillestar, për trajtimin e Veteranëve, ka qenë përkufizuar në tri grupe veteranësh: Grupimi i parë me pagesë, ndërsa dy grupet tjera me - MIRËNJOHJE - dhe privilegje tjera anësore, por jo me pagesë shpërblyese. Ndërkohë, arbitrarisht dhe abuzivisht, për t`i afruar me klientelën e tij elektorale partiake, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, urdhëron të trajtohen njësoj, pra të paguhen të gjithë njësoj! Kjo është supër-skandaloze, praktikisht, shpërdoruese e pozitës zyrtare dhe ligjërisht e dënueshme.

Kontingjentet e grupit të dytë dhe të tretë, jo vetëm që nuk janë pjesë e luftës, nuk kanë qenë as në uniformë ushtarake dhe as me armë. Madje, shumë syrësh kanë qenë mijëra kilometra larg Kosovës, pra, në Mërgatë. Pikërisht, për këtë falsifikim grotesk abuziv kriminal, Komisioni Qendror, ka përgjegjësi faktike kriminale. Dhe, duhet ndëshkuar si shpërdorues, sabotatorë të qëllimshëm, të vetëdijshëm të ekonomisë shtetërore, për interesa persnale e grupore e partiake, thjeshtë, si armiq të Kosovës.

Kishte të drejtë kur thoshte ministri i Financave, Hekuran Murati, se ma lirë na kishin kushtuar luftëtarët mercenarë, se sa shumë mijëra "veteranë" të rremë vendorë. Deri tani janë shpenzuar miliona euro dhe, po të tolerohet kjo zhvatje e hajni zyrtare, do të shpenzohen miliarda euro.

Edhe pas të gjithë këtyre fakteve, PAN-i, turpshëm dhe kriminalisht, mbronë të përfshihen në "Ligjin për Pagën Minimale", veç veteranëve të vërtetë, edhe 52.000 "veteranë" të rrejshëm. Por, është skandaloze, kur edhe disa kuadro të LDK-së, bëhen tellall të këtij krimi unik financiar dhe të PAN-it, njëherësh, edhe pse LDK-ja nuk ka pasur asnjë qasje në këto lista të pista abuzive, zhvatëse dhe hajnore!

Ilustrojmë:

Anëtarja e Kryesisë të LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në debatin për "Çështjen Veteranët", deklaron:

"Veteranët nuk duhet të largohen nga paga minimale"!! Për të vazhduar: "Ndryshimi që u kërkua, më 14 shkurt 2021, po del të jetë ndryshimi i keq e negativ, mjerues e mashtrues dhe këtë nuk e ka merituar ka vend"! Ky refuzim i ndryshimit, gjithsesi, shprehë nostalgjinë për të kaluarën, përkatësisht, koalicionet, bisht e patericë, të PDK-së, PAN-it!

Habitë edhe deputeti Avdullah Hoti, kur thotë "pse të ndahen Veteranët nga paga minimale"?! LDK-ja "po kërcen në dasëm të huaj"!

Zbulohet se krerët e OVL të UÇK-së dhe disa nga ata të Shoqatave të ashtuquajtura "të dala nga lufta", nuk kanë qenë fare pjesë e luftës. Këtë e mësuam në Prekaz e Rezallë të Drenicës. Këto Shoqata janë dëshmuar, të paktën, në dy raste për bashkëpunim me Serbinë:

1) Organizimi e protestave vandaliste, ekstremisht të dhunshme, në mars-prill 2004, e projektoi Serbia dhe e realizuan Shoqatat në fjalë, të prira nga OVL të UÇK-së. Për rrjedhojë, e sollën në tryezën e bisedimeve Decentralizimin, fshat e komunë serbe, deri ke "Zajednica";

2) Dosjet e Gjykatës Speciale, të ardhura nga Beogradi, ia besuan- pikërisht, Shoqatës të OVL të UÇK-së, me simotra, për t`i përçarë e hasmëruar shqiptarët e Kosovës!

Kërcënimet banditeske e rrugaçërore të Faton Klinakut dhe të Xhavit Jasharit, me banditër të tjerë, në shtetet ligjore e demokratike, do të zinxhiroheshin, duke iu nënshtruar ekzaminimit psikiatrik. Dhe, vartësisht, nga rezultati mjekësor, do të përfundonin në spital ose në burg. Faton Klinaku, njeriu me biografi të zezë, në një kamp azili, në Gjermani, kërcënon kryeministrin Kurti: "Ka mu detyru me shku në shpi, se me punu, s`ka me mujt, se edhe në burg shkojmë, s`e kemi problem burgun"! Ky anarkist, i cili e shantazhon shtetin me protesta se "nuk do të rrimë duarkryq", nëse qeveria nuk e bën pagen minimale për veteranët, jo 260 euro, por 550 euro, plus rrogës nga puna, turpëron jo vetëm atë palo Shoqatë, të bërë rregëzinë e PAN-it, por, edhe vetë Kosovën. Kurse Evropën, me shtetet e Quintit dhe Amerikën, i quan "fashiste"!

Dy krerët e OVL të UÇK-së, tashmë, të dënuar në Hagë, dikur, hynë, dhunshëm, në Sallën e Kuvendit, e përdhosën, poshtëruan Parlamentin, deputetët! Fyen, vrazhdësisht, ish-nënkryetaren e Kuvendit, Aida Dërgutin, demonstruan forcë e rrugaçëri dhe nuk pësuan asgjë!? Sepse, Parlamenti ishte rrastë i inkriminuar, të paktën, 27 syrësh i kishte pikasur si kriminelë, Shërbimi Sekret gjerman.

PAN-i kriminal, po i shton radhët e tij, qoftë edhe me partizan imaxhinare, si PSD-ja! Kreu i saj, lakeu i PAN-it, Dardan Molliqaj, lënë nam me xhevahiret" e tij: "Edhe nëse nuk kanë qenë në luftë, kanë bërë kërkesë për veteran, pse janë të varfër! Le ta gëzojnë pensionin!" goxha politikan ky sharlatan! Nuk ka vend për koment. Kreu i Drejtorisë Sociale të Kosovës, deklaron, publikisht, se nuk ka njëri, në nevojë në Kosovë, që nuk gëzon - ndihmën sociale -. Dhe, kjo është jo vetëm humane, njerëzore, por edhe hapi i duhur, në ecjen e sigurt drejtë familjes së madhe evropiane.

Gjithë fodullëk e marrëzisht, si në kor, opozita mjerane mbron SBASHK-un, të organizuar për të grevuar, nga PAN-i dhe SHIK-u i tij, me arsyetimin idiotesk, se "kurrë, më parë, nuk jemi sanksionuar, për ditët e munguara në punë". Mjaft, me shkelje ligji, abuzim me paranë e shtetit, nga frika e humbjes së elektoratit, votave. Me këtë mendësi, në Kosovë është rrënuar, tërësisht, Sistemi i Drejtësisë, qëllimshëm, që ish-pushtetarët kriminelë, t`i shmangën llogari-dhënies, për krimet e tyre vrastare dhe hajnore. Kush përkrahë të keqen, bëhet pjesë e saj.

Kërcënimit dhe shantazhimit të shtetit, duhet t`i jipet fund, duke vendosur Sistemin e Drejtësisë, në shërbim të popullit dhe të Shtetit të Kosovës. E ngutshme të vendosen standarde të reja, në zbatimin e ligjit. Madje, duke filluar nga trajtimi i grevës së tanishme. Koha për të vënë në jetë standard të ri: Kush nuk punon, nuk mund të shpërblehet.

Stop shantazhimit të shtetit, për qëllimet mafioze të politikës qorre ditore! Asnjë kompromis në dëm të Kosovës, pavarësisht çmimit, me votë apo jetë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat