Jo rast i rrallë ndër shqiptarë, dhuna ndaj gruas nuk ka të ndalur!

Opinione

Jo rast i rrallë ndër shqiptarë, dhuna ndaj gruas nuk ka të ndalur!

Nga: Dedë Preqi Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 08:44
Dedë Preqi

Sjelljet dhe veprimet e dhunës ndaj gruas, janë skenat më të mbrapambetura që i takojmë përditë në shoqërinë tonë shqiptare, dhe si akte të tilla duhet t’i quajmë akte qyqare, dhe pikërisht lënë përshtypjen e një shoqërie primitive, që lypset të ndryshohet me kthimin e njeriut normal dhe aftësinë për të organizuar një shoqëri dhe shtet të mirëfilltë dhe me të drejta të barabarta ndaj gjinive.

Është tmeruese për një shoqëri, kur në këtë kohë dalin skena të tilla dhunuese e trishtuese ndaj femrës tonë shqiptare, kur edhe para syve të publikut, sikur ishte rasti i fundit ndaj Hamide Magashit, 35 vjeqare, që ekzekutohet me plumb në kokë nga ish-bashkëshorti i saj, e cila ishte edhe shtatzënë. Po ku e gjen ai njeri atë ndjenjë të pa mëshirshme dhe të zbrazët me tërë atë mllef aq mizor e aq pa mëshirë, bile për foshnjën në bark të nënës së vet, që do të ishte një engjëll i pafajshëm.

Natyrisht, në të gjeturit e divergjencave të ndryshme në brendësinë e përsonazheve të gjinisë femër, duke e fajësuar gjithëherë atë, vend e pa vend, fatkeqësitë e tilla mund t’i nënshtrohen vetëm një shoqërie, e cila ka mungesë të zbatimeve ligjore dhe rregullave të saj në drejtësi, dhe tani kemi si rrjedhojë pasojat negative me të cilat po ballafaqohet shoqëria e jonë shqiptare, andej e këtej kufirit.

Faktori që e degëzon këtë kategori njerëzore të gjinisë femër, apo grua, për pasojën e përgjegjësisë ndaj saj, dhe bastion i çfarëdo natyre të përgjegjësisë është faktori mashkull, sepse ky i mban në duart e veta frerët e panevojshëm të saj, duke e konsideruar atë vetëm si skllave të tij, si një relacion i mundshëm primitiv, ku mundet të shfryej jo vetëm epshet e veta edhe ato më shtazarake, duke përdorë metodat e dhunës, por edhe marrjen e jetës së saj.

Një diferencim i tillë kërkon përgjegjësi të madhe në shoqërinë tonë shqiptare dhe përgjegjësia ndaj këtij misioni, mund të kuptohet si përgjegjësi ndaj idealit të një shoqërie, gjegjësisht do të nënkuptonim shkrirjen e gjithë faktorëve shoqëror, ku sëcili prej nesh do t’a ndante përgjegjësinë, duke e kuptuar se jeta e secilit njeri është e vleshme dhe nuk dallon si qenie e gjallë dhe funksionale pa dallime gjinore dhe race njerëzore.

Sot kemi argumenta të panumërta të këtij veprimi dhe më e keqja, dhuna ndaj gruas është jo rast i rrallë në shoqërinë shqiptare, dhe prej kësaj shkalle del se, shoqëria e jonë sikur jeton akoma në mbrapambetuninë e vet shekullore, e cila nuk është bindëse prirja e saj për ta kuptuar demokracinë dhe rolin e vet në shoqërinë bashkëkohore.

Ku është shteti ligjor, kush duhet të jep llogari për fatet e njerëzve, që bien pre e dhunuesve dhe sadistëve ndaj femres shqiptare në shoqërinë tonë, apo ku do ecën kjo shoqëri, duke mos përfillur rregullat e saj, si edhe shtetin e vet ligjor, i cili i posedon në letër të gjitha të drejtat dhe nevojat e këtij faktori shoqëroro-njerëzor, apo me përshtypjen se një shoqëri e tillë, do të thotë se, akoma nuk është formuar në nivelin e duhur, që të bëhët shoqëri e vetëdijshme për përgjegjësitë që i bartë në shoqërinë e vet.

Dhuna ndaj gruas shqiptare, është akti më barbarë dhe më qyqarë i një kategorie njerëzore, dhe historia shqiptare e ka të freskët aspektin e këtij monstrumi barbar dhe fashizoid, që shkaktoi ushtria dhe paramilitarët e Serbisë, ndaj femrës shqiptare. Prandaj, përsonazhet e sotëm nga radhët e atyre njerëzve, të cilët e luajnë një rrol të tillë dhunues ndaj gruas në shoqërinë kosovare, ndryshe do ti quanim «burra qyqar» dhe më të mbrapambeturit e kësaj shoqërie, që në mungesë të zbatimit të ligjeve, e gjejnë terrenin e përshtatshëm, duke shkaktuar dhunë ndaj gruas dhe ndaj familjes.

Edhe në Kosovë, sikur është bërë shprehi dhuna ndaj gruas, apo me një fjalë tjetër, dhunë ndaj nënës, ndaj motres dhe femres shqiptare në përgjithsi, që secili duhet ta kthejë aktin e shëmtuar në anën e vet përsonale dhe të gjykojë veprimet e tilla, si do ta pranonte me ndjenjat e veta njerëzore dhunën ndaj motres, ndaj bashkëshortës, ndaj vajzës dhe ndaj nënës së tij.

Nganjëherë situata në të cilën gjindet njeriu mund ta shfrytëzojë pa vetëdije, por kjo që po ndodhë kohëve të fundit në Kosovë, sikur po shpërfaqet zhgënjimi më i madh dhe kërcënimi më i rëndë që po i kanoset kësaj shoqërie, duke i dhënë një mësazh të keq mbarë shoqërisë dhe vendit në përgjithsi.

Prandaj, do të ishte e turpshme, sikur sot do ia hudhim fajin njëri-tjetrit, sikur po ndodh me opozitën e sotme, e cila po i shfrytëzon rastet e tilla, duke e lënë fajtor Albin Kurtin, për këto ndodhi si edhe raste të tjera, dhe jo vetëm tani, por na është bërë thirrje të gjithëve në shoqërinë tonë, që ti luftojmë së bashku këto fenomene negative, që kanë zënë rrënjë shumë herët në mesin e kësaj shoqërie.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat