Pse miqtë tanë amerikan po punojnë me urgjencë që ta formojnë AKS në Kosovë..?

Opinione

Pse miqtë tanë amerikan po punojnë me urgjencë që ta formojnë AKS në Kosovë..?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 29 janar 2023 Në ora: 13:29
Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Së pari, deklaratën e z. G. Escobar dhe atë të Ambasadës amerikane në Prishtinë, e dhënë javën e kaluar për media, duhet lexuar dhe analizuar me shumë kujdes çdo fjalë dhe fjali, për të kuptuar se cilat janë shkaqet që i kanë shtyrë amerikanët të bien në “gjunjë” dhe të zbresin në nivel shumë të ultë të angazhimit të tyre strategjik në rajon, që një superfuqi botërore, siç janë SHBA-të, të merret me një çështje krejtësisht minore, me një OJQ, Bashkësi e komunave serbe në Kosovë..!?

1.), Deklarata e z. G. Escobar:

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë ata që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jo-stabilitetit”.

2.), Deklarata e Ambasadës amerikane në Prishtinë:

“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës. Ne nuk po i kërkojmë qeverisë së Kosovës të bëj diçka në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, apo diçka që nuk është në përputhje me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.

Këto janë parametra të arsyeshme, dhe konsiderojmë që janë të duhura. Siç e kemi thënë, po e them edhe tani, ne nuk do të mbështesnim një ‘Republika Srpska’, por këtu kemi një urgjencë që është identifikuar nga komuniteti dhe është e rëndësishme për ta, që ata të ndjehen se janë pjesëmarrës në një mënyrë që atyre ju duket e pranueshme dhe inkurajuese. Inkurajuese që të dëgjohet zëri i tyre dhe t’iu mbrohen të drejtat po ashtu. Kjo është diçka që iu kemi kërkuar disa herë qeverive të Kosovës që të zbatohet. E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente”.

Dhe, sikur të kisha hapësirë, çdo fjali në këto dy deklarata do e kisha zbërthyer pikë për pikë, për të shpjeguar, pse formimi i AKS-së për miqtë tanë amerikan është bërë çështje “urgjente”, ngase vet angazhimi direkt në teren i të dërguarve të DASH-it në Ballkanin perëndimor, me çështje të nivelit komunal në Kosovë, fund e krye, vjen si reflektim i domosdoshëm ndaj punës së dobët të qeverive të Kosovës, si dhe për shkak të politikave të gabuara të tyre, qoftë në aspektin e ngecjes së ndërtimit të shtetit ligjor në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun, qoftë në aspektin e dështimeve në planin politik, diplomatik, ekonomik, social, etj.

Prandaj, këto dhe shumë dështime tjera që i kanë pësuar organet shtetërore të Kosovës, njëra ndër më kryesore është, pa asnjë dyshim, ngatërresat dhe shkeljet ligjore si dhe mos zbatimi i obligimeve të marra në Bruksel për formimin e AKS në Kosovë, madje ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës etj., etj., janë arsyet esenciale që i kanë shtyrë miqtë tanë amerikan që ta marrin situatën në dorë për ta zgjidhur njëherë e mirë, çështjen e “Zajednicës” serbe, e cila Kosovën po e mbanë peng më shumë se 10 vite..!?

Pra, mos aftësia e qeverive të Kosovës si dhe ngërçi institucional për të gjetur një zgjidhje bashkë me serbët lokalë për formimin e kësaj Bashkësie, atyre të cilët e kanë formuar shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës, pra miqve tanë amerikan, nuk u mbetej tjetër mundësi pas 10 viteve të konfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi, përveç se vetë ta përmbyllin këtë konflikt disavjeçar, të cilin duhej ndalur njëherë e mirë duke t përmbushur obligimet.

Rreth gabimeve, dështimeve dhe paaftësive të qeverive të Kosovës në menaxhimin e plotë të shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës së pavarur, si “një dhuratë” amerikane për shqiptarët, mund të shkruhen qindra faqe, madje edhe romanë, por atë që duhet nënvizuar patjetër këtu, është pyetja; pse miqtë amerikan e bombarduan Serbinë me 1999, pse pastaj e bën Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur, pse e ndërtuan kampin “Bondsteel” në Kosovë e jo në Shqipëri ose Maqedoni, pse e futën Kosovën nën mbrojtjen e forcave të NATO-s, gjegjësisht KFOR-it, si garantues i sigurisë dhe mbrojtës së kufijve shtetëror të saj, pse para disa ditësh pesëshja euro-amerikane (4 + 1) në Beograd, presidentin serb, Vuçiq, nuk e lanë as me fol, veçse bashkërisht në zyrën e tij ia komunikuan ultimatumin në mënyrë të prerë, se nëse nuk e pranon Planin e BE-së për Kosovën (franko-gjerman), Serbia do përballet me sanksione të rënda politike, ekonomike si dhe izolim të plotë ndërkombëtar, etj. !?

Dhe, si kusht të vetëm për ta pranuar Planin e BE-së, Vuçiq ua kishte kërkuar pesëshes euro-amerikane formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, dhe atë para se të rifillon dialogu Kosovë-Serbi në kuadër të këtij Plani, asociacion të cilin, siç dihet qeveritë e Kosovës nuk e kanë formuar për 10 vite. Prandaj, çfarë i mbetej tjetër të bëjnë miqtë amerikan, përveç se Serbisë t’ia plotësojnë këtë kusht formal, të cilin siç ka deklaruar qartë në Prishtinë para dy javësh këshilltari i lartë i DASH-it, z. Derek CHollet, “se asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do jetë një “republika srpska”, dhe se ajo do formohet në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës”.

Andaj, ata të cilët nuk iu besojnë miqve amerikan, duhet të deklarohen hapur për opinion, se cila është alternativa e tyre për mos formimin e “Zajednicës” serbe në Kosovë, cili është Plani i tyre alternativ me të cilin do integrojnë pakicën serbe në shtetin e Kosovës, pastaj cili do ishte epilogu i vendosjes së barrikadave nga bandat kriminale serbe në veri, si do përfundonte konflikti i armatosur i policisë së Kosovës me bandat serbo-ruse “Wagner”, a do mund ta stabilizonte e vetme qeveria e Kosovës situatën e tendosur në veri, t’i heq vetë barrikadat, etj., siç ndodhi gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, etj., pa ndërhyrjen e komandantit të KFOR-it amerikan si dhe emisarit për Ballkanin perëndimor, z. Escobar tek udhëheqësit fashist të Serbisë, në krye me A. Vuçiqin..!?

Mbani mend, se posa të formohet AKS dhe të rifillon dialogu me Serbinë, Kosovës me ndihmën e miqve amerikan dhe evropian do t’i hapen të gjitha dyert për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si në KE-së, BE, UNESCO, UNDP, WHO, Interpol, etj., për të përfunduar me anëtarësimin e saj në NATO dhe krejt në fund edhe në OKB. Andaj, duhet kuptuar mirë faktin, se pse formimi i “Zajednicës” serbe në Kosovës (pa kompetenca), është bërë një çështje URGJENTE për miqtë amerikan, dhe jo vetëm për këtë aesye..!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat