Ambasadori Hill foli: Serbia është gati, po ku është Kosova?!

Opinione

Ambasadori Hill foli: Serbia është gati, po ku është Kosova?!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 31 janar 2023 Në ora: 13:18
Christopher Hill

Qe njëzet vite SHBA, EU, Këshilli i Evropës, NATO, UNO, Sali Berisha, Nano, Kristaq Rama, Thaçi, Meta, Mustafa, Baton Haxhiu, etj. i kanë kërkuar Serbisë dhe Vuçiqit - hapi rrugë Kosovës, kurse ai kalkulonte derisa kemi arritur në këtë ditë.

Sot pa pritë dhe kujtuar ambasadori Hill e dha lajmin kumbues: Serbia është e gatshme, po ku ndodhet Kosova?

Ne kemi punuar për këtë ditë. Shqiptarët duhet të na kuptojnë që ne i bëmë shtet, po ne as serbët nuk mund t´i lëmë me gishta në gojë.

 Qe njëzet vite të shkretit janë duke qarë e vajtuar për këtë Asociacion. Edhe ata janë nga ky planet, pastaj kanë premtuar se do t´i respektojnë ligjet ndërkombëtare dhe do të largohen nga Rusia dhe Kina, kuptohet pasi i kanë mjelë aq sa kanë mundur.

Sapo ta marrin Asociacionin, do të kërkojnë të pranohen në EU dhe problemet janë të zgjidhura. EU ka kritere dhe do t´u kërkojnë që të demokratizohen, nëse shpresojnë që t´i thithin investimet, përndryshe do vendnumërojnë.

Probleme kishim edhe në Bosnje, po e organizuam Dejtonin dhe Bosnjën e krijuam me tre njësi dhe me tre kombe. Disa thonë se problemin e kemi komplikuar, po fjalët nuk ndalen.

 Kryesore, që nga atëherë gjendja është përmirësuar dhe luftë nuk ka pasur në Bosnje. Njerëzve ua kemi kthyer paqen, perspektivën dhe vizionin për të ardhmen.

Sot ende pa filluar mirë me Asociacionin kanë filluar fjalët: lobi proserb në Amerikë ka gisht për Asociacionin. Disa shkojnë aq larg sa thonë e flasin se oligarkët rusë kanë dhënë miliona duke i korruptuar personat me ndikim, apo e kanë blerë Asociacionin nga Amerika, për formimin e Botës Serbe.

Këto ditë po ashtu thanë se McGonigali i Ramës ka qenë i involvuar në themelimin e  Asociacionit, por sidoqoftë këto janë vetëm supozime.

Në Kosovë po ashtu kanë krijuar legjenda që Thaçi me Ramën kanë përfituar miliona dhe miliarda për ndarjen e Kosovës dhe Asociacionin. Por kur flitet për para me shuma gjigante, po të ishte ashtu, aty së pari do të ishte Pacolli.

Ne me kohë Kurtit ia kemi tërhequr vërejtjen që lëviz, po ai nuk luante vendit. Të gjitha opsionet na i mbylli. Ne s’na mbeti tjetër përpos që ta thirrnim shoqërinë civile, persona me ndikim si Veton Surroin, grupe qytetarësh dhe grupet e pakicave si ashkalitë, egjiptianët, turqit, goranët, çerkezët, romët, jevgjit, gabelët, boshnjakët, malazezët, serbët, maqedonët, bullgarët etj.

Ne duam të mbledhim sa më shumë informacione dhe në fund të vendosim se çfarë Asociacioni duam.

Ka pyetje se pse Serbia po kërkon Asociacion në Kosovë, kur vetë i refuzon Asociacionet për Luginën, Sanxhakun, Vojvodinën, rumunët, arumunët, romët, kroatët, sllovenët, boshnjakët, hungarezët, shqiptarët dhe grupet e tjera etnike, por ne nuk mund të kërkojmë Asociacione për komunitetet e Serbisë. Ata vetë duhet të paraqesin iniciativa të tilla, në mënyrë që pastaj të shqyrtohen kërkesat e tyre.

Ne po provojmë me këtë formë në Kosovë, po nëse e vërejmë se nuk funksionon, na duhet të mendojmë për procese të tjera. Ndoshta pastaj procesi më real do të ishte bashkimi i shqiptarëve, pse jo. Ne jemi Amerikë.

Nuk na thonë kot: Amerika e ëndrrave të pakufizuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat