Konflikt interesi i ndërmjetësueseve nga SHBA dhe BE në dialogun Kosovë - Serbi; dhëndurët dhe miqtë

Opinione

Konflikt interesi i ndërmjetësueseve nga SHBA dhe BE në dialogun Kosovë - Serbi; dhëndurët dhe miqtë

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 23 maj 2023 Në ora: 17:26
Autori Prof. Dr. Zija Lleshi

Dialogu Kosovë - Serbi është tani ndër ngjarjet më të rëndësishme lidhur me marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve dhe normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në këto dialogje SHBA edhe Bashkësia Evropiane (BE) për ndërmjetësues i dërgojnë emisarët e vetë me synim që të ndihmojnë objektivisht në zhvillimin e këtyre dialogjeve, apo negociatave. Por çfarë ngjanë në të vërtetë nëse këta ndërmjetësues i kanë bashkëshortet e tyre me kombësi serbe? Si është e mundur që asnjëherë (!), e as rastësisht, asnjë ndërmjetësues i tillë të mos ketë bashkëshorte shqiptare ose ndonjë lidhje familjare tjetër të ngushtë shqiptare, por gjithmonë vetëm serbe?! Qëllimisht apo jo qëllimisht - kjo mund të shifet nga rezultati i pasojave. Vallë, a nuk është ky konflikt interesi në atë ndërmjetësim, më në fund, pavarësisht se a i kanë bashkëshortet e tyre serbe apo shqiptare, meqë bëhet fjalë për raportet shqiptaro - serbe

Në atë mënyrë misioni i ndërmjetësueseve merr karakter specifik familjar dhe subjektiv edhe pse duhej të kishte karakter të përgjithshëm e objektiv me rëndësi rajonale dhe botërore në marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë, ku Serbia hegjemoniste dhe ardhacakët serb më herët kanë kryer gjenocid sistematik ndaj shqiptarëve autokton. Prandaj me arsye pritshmëria nga një mision adekuat dhe objektiv e neutral është përplot entuziazëm dhe shpresë e madhe për të siguruar stabilitet dhe situatë normaliteti ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq misioni jo objektiv e destabilizon dhe tensionon edhe më shumë situatën në Kosovë.

Familja është celula themelore në çdo shoqëri. Shqiptarët në Kosovë, nuk kam aspak dyshime se më shumë se kushdo tjetër, këtyre “ndërmjetësuesve dhëndurë” u dëshirojnë jetë sa më të lumtur në përzgjedhjen e tyre dhe në jetën e tyre bashkëshortore. Madje besoj, pa më të voglën dilemë, se shqiptarët në Kosovë janë të gatshëm këta ndërmjetësues privatisht edhe t´i pranojnë, me bashkëshortet e tyre, si mysafir shumë të nderuar dhe të veçantë në familjet e veta në çdo kohë, dhe atë ngjarje nikoqirët shqiptarë nga Kosova do ta konsideronin si festë familjare. Por, ...

Por, vallë a duhet në atë mënyrë miqtë, SHBA dhe BE, të sfidojnë “ndërmjetësuesit dhëndurë” të tyre të cilët do të kishin bashkëshortet e veta qoftë serbe, qoftë edhe shqiptare, në dialogun shqiptaro-serb? Të shkaktojnë gjatë ndërmjetësimit konflikt e përcarje familjare?! Të antagonizojnë marrëdhëniet brenda familjare bashkëshortore ose, në alternativën tjetër, të antagonizojnë marrëdhëniet bashkëshortore jashtë familjare me kombin gjegjës? Të prishin lumturi bashkëshortore?! Të shkatërrojnë familje?! Të prishin atmosferën e shëndosh, të ngrohët dhe të qetë familjare me rrezik real të një konflikti familjar? Përpos kësaj, një strukturim selektiv nacional i sforcuar dhe negativ i till i “ndërmjetësuesve dhëndurë” paraprakisht përcjell mesazhin e ndaluar të cilin në vedi e përmban strukturimi.

Kurse ashtu jo rastësisht të zgjedhur dhe të takuar së bashku, edhe ndërmjetësuesit nga ana e tyre angazhohen në mënyrë dhe si përgjigje adekuate, të jenë konsekuent, të demonstrojnë besnikërinë që kërkon ajo përzgjedhje e tyre dhe në rrugëtim e sipër të evitojnë çdo rastësi respektive dhe eventuale. Dilema paraqitet vetvetiu. Të shkatërrohet apo të mbrohet familja? Arrihet apo nuk arrihet në atë mënyrë objektivizmi që kërkon ndërmjetësimi? Kuptohet është i natyrshëm dhe i pritshëm Bias dhe animi politik nacional i atyre bashkëshorteve pa dallim nga rasti a janë shqiptare apo serbe, sepse ato janë autonome në vendosje dhe nuk janë faktorë politik. Por kështu shkaktohet konflikti familjar apo indulgjenca për shkaqe familjare e cila e dëmton objektivitetin. “Konflikti i interesit” këtu merr pamjen, përmbajtjen dhe shtrirjen e vetë të vërtetë. Atëherë në objektivizëm të atyre ndërmjetësuesve dhe, jo vetëm Kosova dhe Serbia, por sinqerisht dhe intimisht askush më nuk beson, pavarësisht nga deklarimet e tyre. Një ndërmjetësim i tillë nuk është as i ndershëm, as miqësor dhe as me ndërmjetësues të tillë nuk mund të arrihet normalizimi i synuar i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat