Deputetët po kërkojnë ta rrisin luksin me rregulloren e re, populli po ik nga mjerimi, turp!

Opinione

Deputetët po kërkojnë ta rrisin luksin me rregulloren e re, populli po ik nga mjerimi, turp!

Nga: Faton Mehmeti Më: 23 maj 2023 Në ora: 18:48
Autori Faton Mehmeti

Deputetët e kuvendit të Kosovës si askund tjetër kanë paga të mira, punë pak dhe shumë privilegje. Duket se ende nuk janë ngopur me luks derisa së fundi po e hartojnë një rregulloren të re, nga e cila do t’u mundësohet që secili nga ta të ketë nga një këshilltar, konkretisht zyrtar ekzekutiv me pagë mbi 600 euro. Ky propozim ka marrë dritën jeshile nga pozita dhe opozita. Kur është në pyetje interesi ata bëhen tok, përmes kësaj rregullore parashihet që edhe emërimin e stafit për kryetarët e Komisioneve Parlamentare, si dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Po ashtu, secili Grup Parlamentar deri në 10 deputetë ka të drejtë të angazhoj një këshilltar politik, ndërsa Grupet Parlamentare prej 11 deri 20 deputetë kanë të drejtë t’i angazhojnë dy këshilltarë politikë. Ndërsa, Grupi Parlamentar siç është ai VV-së më mbi 50 deputetë ka të drejt t’i angazhojë 6 këshilltarë politikë që secili prej tyre do të paguhet mbi një mijë euro.

Në këtë rregullore po ashtu parashihen edhe shtesa ekstra për deputetët dhe stafin mbështetës politik. E tmerrshme kur gjendja socio- ekonomike është tepër e rëndë, me qytetarë që vazhdojnë të ikin me të madhe, deputetët në vend se të merren me hallin e qytetarëve merren me hallin personal të tyre. Aktualisht një deputet/e i Kuvendit që vlerën e koeficientit e ka 16.4, pagën mujore do ta ketë 1,722 euro, derisa marrin edhe shtesa për: Mëditje për seanca plenare 240 euro/muaj.

Mëditje për pjesëmarrje në komisione parlamentare 160 euro, mëditje për udhëtime jashtë vendit (nga 76 euro/ditë deri në 366 euro/ditë, varet nga shteti), 12 paga pas përfundimit te mandatit nëse mbetet pa punë, pasaportë diplomatike, mbulim të shpenzimeve për telefon, naftë e benzinë, imunitet nga ndjekja penale/civile, sigurim, arme mbajtje, e gjera të tjera të vogla etj, krejt këto nëse llogarisim pagën mesatare në Kosovë (250 euro) me pagën bazë të deputetit (16 88 euro) e cila është shtat-fish më shumë sesa paga mesatare. Shto këtu faktin se të 120 deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare.

Deri tani, para rritjes së pagave me koeficient të re, një deputet në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës thuhet se deputetët marrin deri në 23 mijë euro pagë vjetore dhe kompensime të tjera, me ligjin e ri të pagave i bie të marrin diku mbi dy mijë euro më shumë. Të gjitha këto nuk u mjaftojnë, të njëjtit që më shumë mungojnë në seanca se janë prezent, e ne shumicën e rasteve vetëm nënshkruajnë listat dhe largohen, si kanë fytyrë të rëndojnë mbi qytetarët me shtim luksi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat