145 vjetori i Lidhjes së Prizrenit 1878-2023 dhe roli i Selim Gjyrezit

Opinione

145 vjetori i Lidhjes së Prizrenit 1878-2023 dhe roli i Selim Gjyrezit

Nga: Qamil Gjyrezi Më: 9 qershor 2023 Në ora: 14:15
Qamil Gjyrezi

Më 10 qershor 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.

Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.

Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët.

Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878.

Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane.

Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.

Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative.

Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tre komisione.

Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.

Komisioni i degës së Shkodrës përbëhej nga kryetari Daut Efendi Boriçi, Selim Efendi Çoba, Shaban Beu i Bushatllinjve, Haxhi Agë Lohja, Selim Agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani etj.

Selim Agë Gjyrezi ka qenë babai i Sulejman Gjyrezi, avokat i martuar me vajzën e Hodo Pashë Sokoli.

Selim Gjyrezi ishte pasardhës i familjes (fisit) Gjyrezi, një prej familjeve më të vjetra të qytetit të Shkodrës.

Agai ka qenë titull honorifik për funksionarë të oborrit sulltanor, zyrtarë apo oficerë ushtarakë të Perandorisë Osmane.

Termi historik për aga agallarët është pronar tokash, më i vogël se beu, çifligar i pasur, pasanik.

Thuhet nga një gojëdhënë e vjetër, se familja Gjyrezi e ka prejardhjen nga Kuci i malit të Zi (Dre-kalët).

Dega e lidhjes së Shkodrës i dërguan një telegram Kongresit të Berlinit për ceshtjen e viseve shqiptare.

Këtë telegram e ka nëshkruar edhe Selim Agë Gjyrezi e shumë patriotë dhe intelektualë të kohës nga Shkodra.

Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t'i mbeteshin vilajetit të Shkodrës.

Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut Efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf Agë Sokoli, Selim Agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj.

Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i Parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare për nga popullsia në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.

Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare.

Në pamundësi që Perandoria Osmane t'u shmangej traktateve, Sulltan Abdyl-Hamidi II thirri në Stamboll Sheh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Dume-Frashërin në shenjë përkrahjej dhe u shkroi letra Kadiut të Gjakovës Ahmet efendi Koronicës, myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe myftiut të Dibrës Jonuz Efendiut, ndërsa i dha urdhër komandantëve ushtarakë në vilajetet shqiptare që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes.

Lufta Ruso-Turke e viteve 1877-78 i dha goditje të rëndë fuqisë osmane në Ballkan, duke i lënë Perandorisë Osmane në zotërim vetëm vilajetet shqiptare dhe Ballkanin Lindor.

Nga fundi i 1877-s qëndresa u bë e vështirë; më 13 dhjetor 1877 Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, edhe Mali i Zi po ashtu. Të dy shtetet mbështeteshin nga Ushtria Ruse dhe i shtrinë sulmet e tyre në Shqipërinë Veriperëndimore dhe Verilindore.

Marshalli osman Mehmed pashë Maxharri, pjesë e delegacionit osman në Kongresin e Berlinit, u caktua të mbikëqyrte përcaktimin e kufijve të rinj në viset veriore shqiptare, përkatësisht kazanë e Gucisë.

Me të vajtur për të përcjellur lajmin e ardhur nga Stambolli, ana më e bindur e Lidhjes i kërkuan që të largohej, mirëpo ra mik tek kryetari i degës së Lidhjes në Gjakovë, mikut të tij Abdullah Pashë Drenit.

Ndodhia u përshkallëzua ngaqë Abdullah Pasha nuk e dorëzonte dot mysafirin, si pasojë u rrethua dhe u vranë të dy pashallarët në atë që njihet si Aksioni i Gjakovës.

Kjo gjakderdhje mbahet si veprimi i parë ushtarak i Lidhjes kundër nismës së dorëzimit të një territori të banuar nga shqiptarë.

Më 27 shtator 1878 në gazetën "Tercüman-i Sark", botuar në Stamboll, kryeredaktor i së cilës ishte Sami Frashëri, u botua një program autonomie për vilajetet e banuara nga shqiptarët.

Sipas tij, duhej që këto vilajete:

1. Të bashkoheshin në një vilajet shqiptar;

2. Nëpunësit që do të punonin atje të dinin gjuhën shqipe;

3. Dy herë në vit të mblidhej një Kuvend i Përgjithshëm i vilajetit;

4. Gjuha e shkollës dhe e administratës të jetë shqipja, turqishtja të përdorej vetëm në komunikim me pushtetin qendror;

5. Të krijohej një milici shqiptare për gjithë vilajetin.

Qëndrimi fillestar centralist i dokumentuar te Kararnameja mori kahje autonomiste nga fundi i 1880, me sa duket nga ndikimi i Abdyl Frashërit.

Si përfundim së pari i shkruajta disa reshta me qëllim për të përkujtuar Lidhjen e Prizrenit, organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar dhe rëndësinë historike të lidhjes për të gjithë shqiptarët.

Së dyti për të përkujtuar Selim Gjyrezi si një patriot dhe intelektual i kohës, që kontribuan me shumë shqiptarë dhe shkodranë të tjerë për Lidhjen e Prizrenit.

Një rrugë në lagjen Kiras mban emrin e Selim Gjyrezit.

Për Lidhjen e Prizrenit ka shumë botime me vlera historike shkencore që përshkruhet e gjithë historia dhe pjesmarrësit në Lidhjen e Prizrenit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat