Kjo ndodh, kur shtetin e drejtojnë terroristët

Opinione

Kjo ndodh, kur shtetin e drejtojnë terroristët

Nga: Skënder Musliu Më: 27 shtator 2023 Në ora: 17:07
Skënder Musliu

Në mëngjesin e hershëm të datës 24 Shtator, Serbia, përmes një grupi terroristësh, brutalisht sulmoi Republikën e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor dhe plagosur dy të tjerë, kurse gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë katër terrorist serb, mbetën dhjetra të plagosur dhe disa u arrestuan.

Në konferencën për shtyp, Vuçiqi deklaroi se ky sulm ka qenë një shprehje revolte të serbeve lokal kundër Albin Kurtit, i cili po i keqtrajton dhe përmes presionit po bënë spastrim etnik të serbëve. Mirëpo mashtrimet, rrenat dhe manipulimet e Vuçiqit në këtë konferencë, duke tentuar t’a shfajsojë veten, e kanë nxjerrë lakuriq para opinionit. Këto arsyetime të Vuçiqit, janë të njejta me ato të Putinit se, rusët në Ukrainë janë të rrezikuar, që ishte « shkak » për agresionin e Rusisë në Donbas të Ukrainës në vitin 2014.

Që nga ardhja e Vuçiqit në pushtet, ai asnjëherë nuk është interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, sepse, së pari, serbët lokal i kanë të gjitha të drejtat që iu takojnë pakicave, madje ata janë pozitivisht të diskriminuar me ekstra të drejta, dhe së dyti, serbet e Kosovës përmes Listës serbe, gjithënjë i kanë shërbyer Vuçiqit për destabilizimin e Kosovës. Serbët e Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë të diskriminuar nga shqiptarët, por ata, përmes presioneve dhe frikësimeve nga strukturat kriminale serbe, të lidhura ngushte me Listën serbe, janë maltratuar duke u mbajtur peng për interesat e Beogradit.

Në bazë të armatimit të prezentuar nga policia e Kosovës, bëhet fjalë për një grup të stërvitur, të strukturuar dhe mirë të organizuar paramilitar dhe parapolicor, serb të Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe pjstarë të Vagnerit, me armatim modern dhe të sofistikuar, që mund t’i posedojë vetëm një ushtri profesionale, konkretisht ushtria e Serbisë. Për nga mënyra dhe metoda e organizimit, armatimit dhe implemitimit të këtij agresioni, nuk ka dyshim se prapa qëndron Aleksandar Vuçiqi, Vulini shef i BIA-s dhe Milan Radojçiqi nënkryetar i Listës serbe, (i cili supozohet se është i plagosur dhe gjendet në shërim në spitalin ushtarak në Beograd), këta dy të fundit janë edhe në listën e zezë të SHBA-ve.

Sulmi terrorist i Serbisë mbi Kosovën, edhe një herë e më tepër, i dha arsye të forta kundërshtimeve të kryeministrit Kurti për tërheqjen e policisë speciale nga Veriu i Kosovës, që Serbia, por edhe opozita, me ngulm e kërkonte nga ndërkombëtarët, sepse tani po shifet se policia speciale e Kosovës e paska penguar Serbinë për zbatimin e këtij dhe planeve tjera terroriste.

Në gjykmin tim, qëllimi i terroristëve nuk ka qenë që atë mëngjes t’a zbatojnë planin e tyre, sepse këta kanë qenë në fazë të grumbullimit dhe sistemimit të armatimit dhe burimeve njerëzore edhe nëpër qendra tjera në Veri, dha pastaj në një moment të caktuar, të aktivizohen duke provokuar një konflikt të armatosur të lokalizuar, me qëllim që t’a shpallin autonominë në pjesën Veriore të Kosovës, njësoj sikurse në Donbas të Ukraninës, mirëpo plani iu dështoi, falë vigjilencës së patrullës së policisë dhe organizimit të shpejtë të policisë së Kosovës, e cila reagoi me profesionalizëm.

Pothuajse për herë të parë ndërkombëtarët, pas shumë mospajtimeve dhe kritikave, të padrejta, ndaj Qeverisë Kurti, kësaj rradhe, pa përjashtim, ata u rreshtuan në anën e Kosovës duke dënuar sulmin terrorist, edhe pse me politikat e gabuara, ata janë kontributorët më të mëdhenj të kësaj situate. Po ashtu vlenë të theksoj se popullata serbe në Veri nuk reagoi, ashtu siç ishim mësuar t’i shofim më parë, duke bllokuar rrugët, lëshuar alarmet për mobilizim e tj. A thua se Vuçiqi dhe Lista srbe kanë filluar t’a humbin përkrahjen e serbeve të Veriut, të cilët ndoshta po vetdijsohen, se kanë qenë të manipuluar deri tani, apo se, plani që u planifikua me muaj, i dështoi para kohe !?

Pas këtij agresioni kundër Rendit Kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, është krijuar një realitet i ri, i cili duhet t’i ndryshojë rrënjësisht gjërat. Thirrjet e faktorit ndërkombëtar që të vazhdohet me dialogun, mendoj se me këtë koncept dhe në këtë format, ky dialog ka dështuar, sepse derisa Vuçiqi vazhdimisht deklarohet se kurrë nuk do t’a njoh pavarsinë e Kosovës, atëherë për çka shërben dialogu, për çfar normalizimi bëhet fjalë, normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodh, vetëm pas njohjes reciproke.

Por, edhe nëse dialogu vazhdon, mendoj se kryeministri Kurti, dialogun duhet t’a kushtëzojë me dorëzimin e Radojçiqit dhe të gjithë terroristëve para drejtësisë së Kosovës, kurse ndërkombëtarëve i mbetet një obligim i rëndësishëm, që përmes presioneve dhe shantazheve, t’a detyrojë Vuçiqin që t’i dorëzojë ata. Mbase ka shumë prova të pakontestueshme materiale, ndoshta do të duhej, për hir të vërtetës që ajo të del në shesh, edhe një hetim ndërkombëtar në bashkëpunim me vendorët ku, përveç provave të Kosovës, do të shfrytëzoheshin edhe provat e grumbulluara nga intelegjenca e NATO-s, të cilat janë të bollshme, që do t’i jepte një dimension, përveç juridik, edhe politik për opinionin ndërkombëtar, e që do të ishte vetëm në dobi të Kosovës.

Se deri ku shkon mendësia e Vuçiqit, i cili është një ultra nacionalist primitiv që ende ushqehet me mitet e rrejshme të mesjetës, tregon edhe shpallja e një ditë zie për terroristët e vrarë në agresionin mbi Kosovën !

Meqenë se Radojçiqi, që ka drejtuar sulmin terrorist, është nënkryetar i Listës serbe, e cila është e përfshirë në këtë sulm, Kuvendi i Kosovës duhet t’a suspendojë apo përjashtojë grupin parlamentar të Listës serbe nga Kuvendi i Kosovës, dhe përmes mekanizmave juridik, Lista serbe të shpallet e kundërligjshme, duke e largua rate nga skena politike e Kosovës, njëherë e përgjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat