Të gjitha pushtetet e Serbisë, që nga viti 1844, kanë qenë regjime terroriste, sidomos ndaj Kosovës dhe shqiptarëve!

Opinione

Të gjitha pushtetet e Serbisë, që nga viti 1844, kanë qenë regjime terroriste, sidomos ndaj Kosovës dhe shqiptarëve!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 30 shtator 2023 Në ora: 20:16
Rexhep Elezaj

Shkak për këtë reflektim, ishte një debat i mbrëmshëm televiziv në Prishtinë, ku në mes disa debatuesve shtrohej dilema, se a është regjimi aktual i Serbisë, vetëm një regjim autokrat, apo një regjim kriminal dhe terrorist, gjë që mendoj, se këtë dilemë do duhej ta kishin zbërthyer moti në Kosovë sociologët, antropologët dhe historianët tanë, të cilët janë njohës të terrorizmit, pra se çka dhe cilat akte dhe vepra hyjnë në këtë kategori. Kjo për faktin, sepse janë shqiptarët e Kosovës me vise, ata të cilët më së rëndi i ka goditur terrori shtetëror i Serbisë, që nga viti 1844 e deri me 10 qershor 1999.

Pra, fjala dhe termi terrorizëm u shfaq në fillim të viteve të 1980-ta, i cili në fjalorin politik dhe diplomatik ndërkombëtar, do merr dimension të ri në vazhdën e klasifikimit të sulmeve dhe akteve vrastare si terror dhe Terrorizëm, siç u quajtën terroriste grupet dhe organizatat, si “Brigadat e kuqe” në Itali, “Ira” në Irlandë, dhe më vonë, “Hisbollahu”, “Hamasi”, “Tamil Tigers”, “PKK”, “Al-Qaida”, “ISIS”, etj., në kuptim e sigurisë globale në botë, pikërisht në parandalimin dhe luftën kundër tyre.

Pra, pa hyrë thellë në analizën se çfarë nënkupton termi “terrorizëm”, të cilit i janë dhënë kuptime të ndryshme gjuhësore dhe politike, varësisht se nga cili faktor ndërkombëtar janë vlerësuar aktet e tilla, por kuptimi themelor i terrorizmit është përkufizuar si në vijim; Përhapje sistematike dhe arbitrare e frikës, dhunës dhe kërcënimit, me qëllim që njerëzit t'i binden ushtruesve të tij/saj, dhe atë përmes vrasjeve, lëndimeve të rënda trupore, marrjes peng, etj., që kryhen me qëllim të krijimit të gjendjes së terrorit dhe frikësimit të një popullsie, rrëzimit të një qeverie me dhunë, si dhe akte tjera kriminale të ngjashme.

Për fat të keq, sot e kësaj dite termi terrorist nuk ka qenë e mundur t’i ngjitet asnjë shteti në botë, pranë faktit se gati të gjitha vendet komuniste në krye me Rusinë, kanë pasur regjime me karakter puro terrorist, meqë siç dihet, kanë ushtruar dhunë dhe terror sistematik ndaj popujve të vetë, por dhe ndaj popujve të huaj, duke i përdorur mjetet dhe metodat më brutale dhe barbare ndaj njerëzve që nuk i bindeshin regjimeve të tyre, duke i burgosur, vrarë dhe eliminuar pa gjurmë, duke i internuar në kampe të rënda të përqendrimit, si dhe duke i shkelur të gjitha të drejtat themelore të tyre, pa i dhënë askujt përgjegjësi penale dhe as ligjore. P.sh. vetëm në Rusi nën regjimin e Stalinit janë vrarë mbi 40 milion rus dhe të tjerë në Sibir, etj.

Pra, një terror të këtillë e kanë përjetuar shqiptarët e Dardanisë me vise, që nga Sanxhaku i Nishit, Molla e kuqe, Shkupi, Tetova dhe Manastiri, e deri në Tivar dhe Pazarin e Ri, të cilët u vranë, u masakruan si dhe u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre etnike, duke filluar që nga viti 1877/78, kur nga 350 fshatra në rajonin e Toplicës, regjimi shtarako-policor i krajlit të Serbisë, Milosh Obrenoviçit, dëboi dhe vrau mizorisht mbi 350 mijë shqiptarë.

Pra, a nuk ishte ky terror shtetëror i regjimit kriminal të Serbisë ndaj popullit shqiptar, a nuk ishte ky një akt terrorist ndaj një populli autokton, tokat e të cilit do i uzurpojnë me dhunë, duke bërë terror shtetëror ndaj civilëve shqiptar të pafajshëm..!?

Natyrisht, se po, ishte ai terror shtetëror në kuptimin e plotë të fjalës, të cilin regjimet e Serbisë asnjëherë nuk e kanë ndërprerë ndaj popullit shqiptar, njëjtë sikur gjatë viteve 1910-13, ashtu dhe gjatë viteve 1918 e deri në vitin 1945, për ta vazhduar terrorin sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve, edhe me 1956 – 1966, me 1981 - 1999, dihet, përmes metodave më brutale kriminale, të cilat ndaj shqiptarëve në ish Jugosllavi i ushtronte regjimi çetnik i Serbisë.

Ajo që, po ashtu, duhet theksuar, është fakti i pamohuar, se të gjitha regjimet e Serbisë, pa asnjë dallim, kanë qenë puro antishqiptare dhe të cilat në çdo kohë dhe vend, kudo që kanë arritur, kanë vrarë dhe masakruar shqiptarë, i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre me dhunë, siç i kanë burgosur dhe mbajtur me dekada nëpër kazamatët e tyre gjakpirëse, etj., krime të cilat nuk mund të përshkruhen kurrë dhe nga askush, sado që një pjesë e madhe e tyre është përmbledhë në librat e historisë shqiptare dhe evropiane.

Mbase, regjimi aktual në Serbi, lirisht mund të vlerësohet si terrorist, jo vetëm se ndërmori aktin terrorist ndaj Kosovës me 24 shtator në fshatin Banjskë, por edhe për faktin, sepse brenda vetë këtij shteti, ky regjim ka 11 vite që ushtron terror psikik dhe propagandistik tek qytetarët e vetë, e që me të drejtë do duhej të shpallej si regjim dhe shtet terrorist, por ky emërim, mjerisht, nuk është i sanksionuar as me Kartën dhe as me ndonjë Rezolutë të KS të OKB-së!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat