Marrëveshja e Ohrit, apo “Bankomati” i disa udhëheqësve politikë shqiptarë, sot shënon 23 vjet nga nënshkrimi i saj. Nga një dokument shumë të rëndësishëm politiko-strategjik, udhëheqësit e sipërpërmendur e shndërruan atë në një aparat për pasurim personal dhe grupor. Marrëveshja e Ohrit pra u shndërrua në mjet për përfitime materiale vetëm për një grup të ngushtë individësh të angazhuar gjatë kohës në skenën politike qëndrore, edhe pse parashikonte që në çdo aspekt të përfitonin të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në RMV. Por kjo nuk ndodhi, sepse në krye të disa subjekteve politike shqiptare u vunë individë egoistë dhe të uritur për para dhe për pasurim personal.
Këta, në emër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, bënë koncesione të shumta në dëm të kërkesave dhe nevojave jetike të popullit shqiptar të RMV-së dhe u bënë milionerë, ndërsa shumicën e popullit shqiptar e vunë në vështirësi të mëdha financiare. Këtyre aspak nuk u trembej syri që të bënin këmbime të dëmshme dhe të papranueshme me çështjen shqiptare për përfitime personale. Këta politikanë nuk skuqeshin dhe nuk skuqen aspak duke thënë se Marrëveshja e Ohrit u realizua plotësisht, edhe pse ata e dinë se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Çfarë duheshte të bënte Marrëveshja e Ohrit për shqiptarët e këtushëm apo për ne?
Kjo duheshte të siguronte barazi të plotë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në RMV. A u arrit kjo barazi? Fatkeqësisht jo, për shkak të apetiteve individuale dhe grupore të politikanëve shqiptarë interesxhinj të angazhuar në politikë. Me Marrëveshjen e Ohrit duheshte të zyrtarizohej gjuha shqipe. A u zyrtarizua gjuha jonë e bukur? Jo, nuk u zyrtarizua si duhet dhe atë jo në frymën e kësaj marrëveshjeje dhe konform sakrificës dhe mundit të popullit shqiptar të RMV-së. Gjuha shqipe sot nuk është sa duhet zyrtare dhe më shumë krijon përshtypjen se po shërben si gjuhë për përkthimin e dokumenteve zyrtare që dalin nga disa institucione shtetërore dhe publike. Marrëveshja e Ohrit nuk flet për këtë funksion të gjuhës shqipe, por flet për zyrtarizimin e saj. Marrëveshja e Ohrit duhej të hapte dyer punësimi nëpër institucionet shtetërore dhe publike për shqiptarët, pavarësisht orientimit politik dhe ideologjik të tyre.
Por një subjekt politik e përvetësoi padrejtësisht atë dhe nëpër institucionet shtetërore dhe publike punësoi vetëm militantë dhe simpatizantë të saj. Atëherë, pse duhet ta festojnë shumica e qytetarëve shqiptarë përvjetorin e 23 të Marrëveshjes së Ohrit kur përfitimet më të mëdha prej saj i kanë një grupacion i caktuar politikanësh? Këta më motivojnë që Marrëveshjen e Ohrit ta perceptoj si Aparat Banke për marrjen e parave të gatshme që anembanë botës njihet si Bankomat.