Pokeri i Vladimir Putin në marrëdhëniet me SHBA-në dhe RP të Kinës!

Opinione

Pokeri i Vladimir Putin në marrëdhëniet me SHBA-në dhe RP të Kinës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 4 prill 2025 Në ora: 08:03
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli mbëmjen e së mërkurës tarifat e reja të importit të mallrave në SHBA. Dyshemeja e këtyre tarfiave është 10 përqind dhe në këtë kategori bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova. Ndërsa Serbia taksohet me 37 përqind. Ndër vendet që taksohen në masë të madhe është edhe Republika Popullore e Kinës. Por Rusia, Koreja e Veriut dhe Kuba nuk taksohen me asnjë cent. Nga Shtëpia e Bardhë kanë thënë se kjo vjen për shkak se këto tri vende gjenden nën sanksione. Ndërkohë që ky kriter nuk është respektuar p.sh për Iranin dhe Sirinë, vende të cilat gjënden gjithashtu nën sanksionet amerikane, por që dekreti i presidentit amerikan parashikon tarifa shtesë për to.

Gjithçka duket qartë. Donald Trump është në rrugën e vështirë të një aleance me Rusinë e Vladimir Putin. Por ky i fundit luan me disa porta. Në një anë shpreh gatishmërinë e tij të bashkëpunojë dhe madje t’i bindet presidentit amerikan. Në anën tjetër i betohet për “besnikëri” presidentit kinez, Xi Jinping. Shefi i diplomacisë së Kinës, Wang Yi, ishte këto ditë për vizitë në Moskë dhe u takua me presidentin Putin e homologun e tij rus, Lavrov. Takimi u zhvillua në prag të Samitit të G20-ës, por në fakt pati si test sigurinë nga ana e Pekinit, nëse Rusia do të jetë një partner i “përjetshëm” i Kinës apo jo! Së paku ministri Wang Yi tha në Moskë se ‘Të dy vendet do të jenë për gjithmonë miq dhe asnjëherë armiq”!

Fakti që ministri kinez e deklaroi këtë frazë do të thotë se në Pekin kanë dijeni që Rusia po ndërron kursin e aleancës së vet në drejtim të Uashingtonit. Që do të thotë se ka sinjale që Moska dhe Pekini të mos jenë miq si më parë, edhe pse Kina ka lehtësuar barrën ekonomike e financiare të Rusisë gjatë gjithë periudhës së luftës në Ukrainë. Sigurisht që një aleancë Rusi-Kinë do të ishte potencialisht e rrezikshme jo vetëm për Uashingtonin, por edhe për BE-në. Trump po përpiqet ta thyejë këtë aleancë. Madje duke sakrifikuar edhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe fuqitë europiane si Gjermania, Franca e deri te Britania e Madhe. Mesa duket Putin ka vënë kusht degradimin e marrëdhënieve të bushtit euro-atlantik.

Me qëllim që të fitojë besimin e Putin, Trump nuk ka pritur asnjë nga krerët e BE-së, si presidentin, Antonio Costa, presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen e madje nuk është pranuar ende për vizitë në Uashington as shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas. Së paku kjo e fundit lidhet drejtpërdrejt me shijen e Putin, sepse ajo përfaqëson në BE një nga ish-republikat sovjetike, për të cilat Putin është zotuar se do t’i kthejë nën sovranitetin e federatës rusë.

Gjithçka nisi në kuadër të angazhimeve për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe arritjen e paqes në luftën Ukrainë-Rusi. Trump e përjashtoi Europën nga bisedimet për zgjidhjen e konfliktit. Përjashtoi gjithashtu edhe Kinën. Të dyja këto palë kanë qëndruar në kahe të kundërt gjatë luftës ukrainase, bënë propozimet përkatëse për modalitetet e arritjes së paqes. Europa dhe bota duhet t’i jetë mirënjohëse presidentit Xi Jinping, sepse, ai duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me Putin, ndaloi çdo diskutim për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Ndërkohë, Europa dhe Kina, ndonëse në mënyra të ndryshme, patën dhe besoj se kanë të njëjtin qëllim: - Dhënien fund luftës dhe ruajtjen e sovranitetit territorial të Ukrainës. Këtë e ka theksuar edhe lidershipi kinez.

Kjo ishte arsyeja pse kryediplomati i Kinës, Wang Yi, kërkoi në Konferencën e Sigurisë në Mynih shkurtin e kaluar që “europianët të kyçen në bisedimet për paqen në Ukrainë”! Kjo kërkesë ishte gjithashtu ftesë e Republikës Popullore të Kinës për një partneritet të qëndrueshëm midis Europës dhe Kinës në kushtet kur po shihej se do të ketë një partneritet të ri ruso-amerikan. Interesant është fakti se në momentin që kreu i doplimacisë kineze vizitoi Moskën, shefi i shtetit të tij, Xi Jinpung, telefonoi presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Kjo lëvizje politike e lidershipit kinez për t’u afruar më Europën ka sens në kushtet kur Moska dhe Uashingtoni po afrohen gjithnjë e më shumë mes tyre.

Megjithatë është e paqartë se më kë po luan Vladimir Putin. Ai ndërsa josh Donald Trump për marrëdhënie partneriteti me Amerikën, i jep garanci edhe homologut të tij kinez për “besnikëri” në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Por e sigurt është se në mos të dyve, njërit prej këtyre, Putin ia ka me hile. Logjika shkon në drejtimin që presidenti rus të jetë në kërkim të lavdisë dhe fuqisë së humbur e për këtë i duhet rikonfirmimi amerikan për ta njohur Rusinë si Fuqi të padiskutueshme e vendimmarrëse në rendin e ri botëror. Për momentin ama i duhet edhe Republika Popullore e Kinës, sepse njohja e njanshhme e SHBA-së për Rusinë si autoritet vendimmarrës do të duhet ta ketë edhe miratimin e Pekinit. Madje edhe të Fuqive më të Mëdha të Europës.

Atëherë kjo do të thotë se Rusia po luan në të dy krahët. Nga njëra anë sheh te Trump një shans të madh për aspiratën perandorake. Nga ana tjetër kërkon që Kinën të mos e ketë kundërshtare. Por pabesia ruse është më e dukshme në adresë të Pekinit, sesa të Uashingtonit. Diplomacia dhe politika kineze nuk e shpërfaq shqetrësimin e saj për këtë. Karakteristika e Kinës është maturia, durimi dhe urtia në të bërit politikë dhe diplomaci. Ndaj dhe nga Kina nuk do ta mësojmë se çfarë përmban loja e pokerit e Vladimir Putin. Megjithatë në Pekin e dinë mirë se si zhvillohen ngjarjet. Dhe nëse Donald Trump vërtet synon ta shkëpusë Rusinë nga aleanca me Kinën dhe për këtë shkak të godasë Europën me tarifa dhe masa të tjera, atëherë ai do ta shtyjë Europën të lidhet ngushtësisht me Republikën Popullore të Kinës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat