1 Maji, dita e punëtorëve është pritur me protesta kudo, derisa në vendin tonë u festua shumë, kurse pak u protestua.
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 dhjetor 2010 kishte miratuar ligjjn e punës e që në fuqi është nga qershori 2012, por me disa probleme me mos zbatimin e tij. Këto probleme janë evidente sidomos në mosveprimin e duhur të Inspektoratit të punës, moszbatimit të disa dispozitave të ligjit në sektorin privat, ku punëtorëve u shkelet e drejta në shumë sfera.
Keqpërdorimi i orarit të punës bëhet në shumicën e rasteve në kompanitë e sektorit privat, por edhe të atij publik, dhe nuk paguhen punëtorët që punojnë më tepër se tetë orë punë në ditë dhe nga kjo më së shumti përfitojnë punëdhënësit. Punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë në një gjendje skllavëri, pra skllevër modern dhe se duhet bërë ndryshime në këtë drejtim.
Me gjithë këto shkelje elementare të drejtave te njeriut punëtorët nuk kanë ndonjë organ kompetent ku t’i shprehin keto pakënaqësi.
Një tjetër problem mbetet çështja e pushimit të lehonisë, çështja edhe më e ndjeshme bëhet kur ndaj ligjit fillon të reagojë sektori privat i punësimit, sepse një përqindje e konsiderueshme e fuqisë punëtore janë femra, të cilave ligji i punës – edhe aktet më të larta, si Kushtetuta e akte ndërkombëtare - u garanton pushimin e lehonisë. Në këtë aspekt duhet theksuar faktin shqetësues kur pronarët e ndërmarrjeve nuk ua paguajnë pushimin e lehonisë punëtorëve. Mirëpo, ka raste edhe më drastike, ku pas lindjes punëtorët edhe i dëbojnë nga puna.
Moszbatimi i Ligjit te punës ndikon në rritjen e shkeljeve të të drejtave të punëtorëve nga pronarët e firmave private, të cilët do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë derisa ligji mos të zbatohet.