Politikanët qeshin në Kuvend me dështimet e seancave, çmimet rriten, qytetarët heshtin

Opinione

Politikanët qeshin në Kuvend me dështimet e seancave, çmimet rriten, qytetarët heshtin

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 maj 2025 Në ora: 16:46
Autori Faton Mehmeti

Për herë të 15-të ka dështuar seanca për konstituimin e Kuvendit, dhe edhe seanca e radhës pritet të ketë të njëjtin fat. Kështu që kriza politike në vend po vazhdon me të njëjtin avaz. Qytetarët heshtin, përveç mbajtësve të isos së partive që i mbështesin. Çmimet vazhdojnë të rriten, po ashtu edhe barra mbi supet tona. Shteti, pa institucione funksionale, hesht përballë rritjes së kostos së jetesës, me çmime që çdo ditë rëndojnë mbijetesën tonë.

Klasa politike, me kryetarët e subjekteve më të mëdha në vend, qeshin në seancat e Kuvendit me dështimet e tyre, duke harruar realitetin. Janë shkëputur nga jeta e përditshme e qytetarëve — me pagat marramendëse dhe mëditjet çdo 48 orë, nuk e ndiejnë peshën e çmimeve. Ndërkohë, qytetarët e varfër detyrohen të shtrëngojnë "rrypin" për të mbërritur deri në fund të muajit.

Bizneset po i rrisin çmimet pa asnjë bazë ligjore, ndërsa inspektorët që duhet të jenë më të angazhuar, dështojnë të ndëshkojnë këta "banditë" të ekonomisë, që pa asnjë ndjesi njerëzore, po shfrytëzojnë qytetarët. Kjo gjendje duhet të marrë fund. Edhe qytetarët duhet të distancohen nga të gjithë ata deputetë që, për interesa të tyre, kanë bllokuar formimin e institucioneve.

Në emër të qytetarëve flasin, por nuk i përfaqësojnë ata. Këta politikanë duhet të ndëshkohen — të gjithë. Derisa jeta e qytetarëve rëndohet, oreksi i politikanëve vetëm rritet. Dështimet e seancave janë pasqyrë e turpit që ka mbuluar vendin.

Kosova nuk ka luksin të futet në aventura politike. Ajo ka nevojë urgjente për institucione legjitime që të merren me hallet dhe problemet e qytetarëve, të cilat janë të shumta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat