Frika është e pranishme. Vjosa Osmani i kishte ftuar në takim krerët e opozitës, për t´i kërkuar rrugët e zhbllokimit në Parlamentin e Kosovës. Rreziku se do gjendet zgjidhja, e ka kapluar edhe presidentin serb, Vuçiqin.
Informacionet, për gjendjen momentale në Parlamentin e Kosovës, po i merr çdo ditë nga Lista Serbe, shërbimi informativ serb, agjentët e involvuar në Kosovë, po edhe nga kleri mysliman i Kosovës, si njerëz gjithmonë të besuar, të cilët me shekuj kanë qenë nën shërbimin e fshehtë serb.
Takimin me opozitarët e Kosovës Vuçiqi më me dëshirë do ta mbante top sekret, po në këtë kohë, të komunikimit dixhital, informacionet po rrjedhin e depërtojnë me shpejtësi marramendëse, prandaj do të ishte tepër vështirë që të mbahej diçka për një kohë të gjatë sekret.
Edhe për opozitarët e Kosovës takimi po ashtu do të ishte me rreziqe tejet të mëdha, sepse do të komprometoheshin edhe më shumë, seç janë komprometuar deri më tash.
Me Abdixhikun, Vuçiqi mendon se shumë lehtë mund të kuptoheshin. Ai mbrojtjen e disertacionit e kishte filluar me lutjen “Bismilaherrahmanerrahimin”, fjalë arabe, të cilën askush se kupton, edhe pse e praktikojnë një pjesë e shqiptarëve, kuptohet me probleme të identitetit. Kjo flet se shqiptarin shumë lehtë e manipulon. Rugovën në një kurth të tillë, nuk do ta tërhiqje kurrë. Ky është dallimi sot, se kush e udhëheq dhe në duar të kujt ka mbetur LDK.
Haradinaj njihet se u është kundërvënë forcave serbe. Pas përfundimit të luftës, ai i është përkushtuar karrierës politike, por dhe vrapimit pas pasurisë personale. Gjatë karrierës së tij politike, po ashtu është e ditur se ai kur ishte në pyetje Çakorri, mori vendim shumë të guximshëm. Në këmbim të largimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ai pa u hamendur e firmosi marrëveshjen në kalimin e Çakorrit, Malit të Zi.
Politikani tjetër opozitar i partisë së Thaçit është Memli Krasniqi. Sa jam i informuar, ai duhet të jetë një nip i figurës së njohur i klerikut, Shqefqet Krasniqi.
Sot të flasësh për Shqefqet Krasniqin është nder i madh për Serbinë. Ai haptas ka deklaruar se imamët nga Rusia, ishin ata të cilët e kishin shpëtuar islamin në tokat shqiptare. Pa imamët nga Rusia, ishte rrezik që islami të zhdukej në mesin e shqiptarëve.
Vetëm duke iu falënderuar atyre, ne sot jemi këtu ku jemi: rininë tonë e kemi futur nëpër xhami. Kemi arritur me të madhe, në mbulimin e femrës shqiptare me ferexhe dhe mbushjen e Kosovës me xhami. Pra ne presim që Memli Krasniqi, ta ndjek rrugën e zotit Shefqet Krasniqi dhe t´u përmbahet fakteve dhe statistikave të tij, për të ardhmen e Kosovës.
Duke u nisur nga gjendja momentale unë pres që takimi të jetë konstruktiv dhe të vazhdohet edhe më tutje me bllokimin e parlamentit, deri në kapitullimin e Albin Kurtit. Ata duhet ta kuptojnë se po fitoi Kurti, do të mbeten pa poste, pa pushtet dhe do të rrezikonin që në zgjedhjet e radhës, të mbesin edhe pa elektorat.
Unë do ua ceku këto fakte, në mënyrë që të mendojnë se si do të sillen në vijim dhe për çfarë vendimi do të pajtohen.
Si detyrë kryesore pas rrëzimit të Kurtit do ta keni: ta ktheni gjendjen e mëparshme në Veriun e Kosovës, përndryshe mos shihni ëndrra se do ta keni përkrahjen time, e as të Listës serbe.