Pasuria e vjedhur shtetit duhet t’i kthehet atij. Kjo është sentenca mbi të cilën bazohet shteti i së drejtës. Duke qenë se për një kohë të gjatë është abuzuar me pasuritë e shtetit, konfiskimi i tyre nuk është i lehtë; për më tepër, edhe mjaft i vështirë. Gjithsesi, është hap i duhur që të inicioni një bazë të tillë ligjore, e cila do të pasohet pastaj me hapa të tjerë deri në aktin e saj final.
Pavarësisht qëllimit të mirë, ekziston një pengesë e madhe që kjo gjë të realizohet: sistemi i kalbur i drejtësisë. Duhet të kryhet patjetër vettingu te gjykatësit, prokurorët dhe të gjithë aktorët kryesorë në sistemin e drejtësisë. Ka shumë prokurorë që nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e tyre; si mund të presim që një prokuror i tillë të sjellë drejtësi në një rast të ngjashëm?
Me një vetting të mirëfilltë, me përfshirjen e SHBA-së në këtë proces, bëhet hapi i parë i çkapjes së shtetit. Pastaj mund të vazhdohet me hapa të tjerë, ndër ta – mbase më kryesori – konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Me inicimin e këtij dokumenti bazë, dridhen edhe këmbët e klanit “Pronto”, zhvatësit kryesorë të shtetit. Mënyra si ata e trajtojnë shtetin, duke e konsideruar si plaçkë, është mjaftueshëm bindëse për të pasur dyshime të bazuara për zhvatjen e tij në shifra marramendëse.
Disa nga drejtuesit kryesorë të këtij klani janë në Hagë, disa ende kanë ngelur këtu; këta me vila luksoze, vetura të shtrenjta dhe jetë përrallore, duhet të arsyetojnë prejardhjen e pasurisë së tyre. Nuk është e mundur të bëhesh milioner me pagën e një deputeti, ministri apo edhe presidenti; kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar.
Ka shumë politikanë me pasuri të vjedhur që frikësohen nga konfiskimi. Kjo duhet të ndodhë nëse një ditë duam të futemi në BE.