Transformimi i doktrinave ushtarake dhe armatimit në Perëndim: Nga mekanizimi tradicional te dominimi i teknologjive të reja

Opinione

Transformimi i doktrinave ushtarake dhe armatimit në Perëndim: Nga mekanizimi tradicional te dominimi i teknologjive të reja

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj Më: 1 qershor 2025 Në ora: 23:56
Autori Prof. Dr. Muhamet Racaj

Në dekadat e fundit, peizazhi i sigurisë ndërkombëtare ka pësuar ndryshime të thella, të diktuara nga zhvillimet teknologjike, përvojat nga konfliktet e reja dhe nevoja për efikasitet më të madh ushtarak. Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe vendet e Evropës Lindore, po përballen me sfida të reja që kërkojnë rishikim të thellë të doktrinave ushtarake, strukturës së armatimit dhe mënyrës së organizimit të forcave të tyre të armatosura. Këto ndryshime reflektojnë një tranzicion nga forcat e rënda të mekanizuara drejt formacioneve më fleksibël, përdorimit të teknologjive të avancuara si dronët, inteligjenca artificiale dhe sistemet autonome, si dhe adaptimit të industrisë ushtarake ndaj kërkesave të reja të luftës moderne. Ky punim analizon tendencat kryesore të transformimit të doktrinave ushtarake në vendet perëndimore, arsyet strategjike pas këtyre ndryshimeve dhe ndikimin e tyre në sigurinë evropiane dhe globale.

Deklarata për paqe, por aktivitetet në drejtim të luftës

Ushtria britanike e paraqiti doktrinën e saj të re ushtarake, e përshkruar si strategjia “20-40-40”. Doktrina e re ushtarake britanike distancohet nga prodhimi dhe përdorimi i forcave të rënda të mekanizuara, dhe fokusohet në “formacione fleksibël për luftë me dronë”. Vendimi për kalimin në planifikimin e ri ushtarak është marrë pas sintetizimit të një sërë analizash të përhershme nga lufta ruso-ukrainase.

Çfarë paraqet strategjia britanike për armatim “20-40-40”?

Sipas “The Times”, udhëheqësia ushtarake britanike ka miratuar një koncept për transformimin e ushtrisë britanike në një “strukturë pa pilotë dhe autonome, ku 80 për qind e operacioneve do të kryhen me dronë” (40 për qind + 40 për qind). Në prioritetet e reja doktrinare theksohet “dislokimi i shpejtë”, si dhe “dominimi digjital”. Kjo qasje është vlerësuar nga ekspertët ushtarakë si jashtëzakonisht e përshtatshme për ristrukturimin e ushtrisë britanike. Kapacitetet e deritanishme ushtarake britanike, në kuadër të doktrinës tradicionale me përdorimin e “platformave të rënda të mekanizuara”, tashmë janë zvogëluar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Për shembull, kjo tendencë pasqyrohet edhe në planet aktuale për një blerje të mundshme prej vetëm 148 tankesh “Challenger 3”, të cilët, sipas përvojave dhe analizave nga Ukraina, nuk janë më të rëndësishëm nga pikëpamja strategjike ushtarake.

Kështu, me përditësimin e doktrinës ushtarake britanike, propozohet një tranzicion drejt kësaj strukture: 20 për qind armë tradicionale të rënda (tanke, topa vetë-hedhës dhe mjete luftarake këmbësorie); pastaj 40 për qind të ashtuquajturit armë lëvizëse (dronë modernë që mund të qëndrojnë gjatë mbi fushën e betejës dhe sulmojnë objektiva me urdhër), përfshirë edhe dronët kamikazë; dhe 40 për qind dronë (dronë pa pilot) për zbulim, mbikëqyrje dhe eventualisht sulme të vogla “kirurgjikale dhe precize”. Doktrina e re ushtarake britanike përfshin ristrukturim edhe në fushën e trajnimit, simulimit, logjistikës, strukturës së komandës, si dhe, natyrisht, në zhvillimin e mëtejshëm të vetë doktrinës (planifikim dhe zhvillim).

Në pjesën e resurseve njerëzore dhe formacioneve ushtarake (forca njerëzore) do të krijohen formacione të reja të vogla (në nivelin e një skuadre, madje edhe më të vogla, në nivelin e një kompanije), të cilat do të përfshijnë: •Operatorë dronësh,

•Analistë të inteligjencës artificiale dhe

•Njësi për luftë elektronike.

Ajo që është thelbësore është se në pjesën e industrisë ushtarake të dedikuar, ristrukturimi drejt doktrinës së re do të jetë gjithashtu thelbësor. Kjo, natyrisht, do të ndikojë edhe në ekonominë kombëtare. Në fakt, lojtarët e mëdhenj të konsoliduar në industrinë aktuale duhet t’u lënë vend (ose të ristrukturohen) kompanive më të vogla dhe më inovative që punojnë në fushën e inteligjencës artificiale, sistemeve pa pilot dhe autonome.

Vlen të theksohet se ky ndryshim në strategjinë e Britanisë është shumë radikal në krahasim me anëtarët e tjerë të NATO-s. Ndërsa vendet e tjera eksperimentojnë me futjen dhe përdorimin e teknologjive pa pilot në forcat e tyre të armatosura, vetëm pak janë të gatshëm për një kthesë kaq drastike dhe madje të papritur.

Franca dhe Gjermania me intensitet të lartë të armatimit, por me koncept të ndryshëm nga ai britanik.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se  vërehet se Franca dhe Gjermania vazhdojnë të dyfishojnë forcat e tyre të rënda të mekanizuara (edhe pse lufta në fushën e betejës në Ukrainë tregon një zhvillim konceptual deri në pamundësi për t’u njohur nga mënyra e mëparshme e drejtimit të luftës).

Ngrihet pyetja pse Franca dhe Gjermania vazhdojnë me konceptin konvencional të drejtimit të luftës me forca të rënda të mekanizuara, të cilat madje po hyjnë në projekte për dyfishimin e tyre? Një shembull është projekti evropian i quajtur Sistemi Kryesor Evropian i Luftës Tokësore (MGCS) për krijimin e tankut evropian të gjeneratës së ardhshme.

Ndërsa shumë të tjerë thonë se Parisi dhe Berlini thjesht janë shumë të ngadalshëm për t’u përshtatur, në fakt mund të ekzistojë një shpjegim praktik i qëndrueshëm për këtë ndryshim në qasje. Disa analistë pretendojnë se forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar janë zvogëluar gradualisht gjatë shekullit XXI dhe tani kanë kapacitete shumë më të kufizuara në luftën klasike të mekanizuar nga epoka e Luftës së Ftohtë. Megjithatë, kombi ishullor i jep shumë më shumë rëndësi forcave ajrore dhe marinës së tij, ndërsa i kushton më pak vëmendje forcave tokësore.

Në këtë kontekst, revista e njohur “Army Recognition” shkruan se “kalimi drejt një sistemi më fleksibël mund të theksojë fuqinë e forcave të armatosura britanike dhe të zgjerojë rolin e tyre në sigurimin e ndihmës për aleatët e NATO-s”. Analistët e “Army Recognition” gjithashtu theksojnë se Franca dhe Gjermania (krejt ndryshe nga Britania), si vende kontinentale, insistojnë në një koncept armatimi që kërkon forca të fuqishme tokësore, pra forca të rënda të mekanizuara. Prandaj, investimet në armë të rënda të mekanizuara (platforma) janë logjike dhe të justifikuara për vendet e BE-së, sepse pavarësisht gjithçkaje, tanket do të mbeten relevante për një kohë të gjatë.

Raketa me rreze të mesme dhe të gjatë që do të vendosen në dispozicion të Kievit nga aleatët perëndimorë

Nuk ka më absolutisht asnjë kufizim për rrezen e armëve të dërguara në Ukrainë, as nga Mbretëria e Bashkuar, as nga Franca,as nga ne, as nga amerikanët,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë në Berlin në vavën e kaluar, duke shtuar se “kjo do të thotë që Ukraina mund të mbrohet duke sulmuar pozicione ushtarake edhe në Rusi.”

Merz gjithashtu i tha presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski se “Berlini do t’i ndihmojë Kievin të prodhojë raketa me rreze të gjatë.”
Duam të flasim për prodhimin dhe nuk do të diskutojmë detajet publikisht,” iu përgjigj kancelari gjerman Friedrich Merz kur gazetarët në Berlin e pyetën nëse Gjermania do t’i dorëzojë raketat e saj “Taurus” Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka kërkuar për një kohë të gjatë autorizim për të goditur objektiva thellë në territorin rus. Tani, duket se ka marrë një mbështetje të tillë, por momenti i miratimit perëndimor për dërgimin e armëve me rreze të mesme/dhe të gjatë është kontradiktor, pasi iniciativat paqësore nga disa palë të përfshira po hyjnë në një fazë serioze të marrëveshjes, dhe këto iniciativa ushtarake nga pjesë e “Koalicionit të Gati” vetëm mund të kontribuojnë në eskalimin e konfliktit dhe përhapjen e tij më gjerë në Evropë.
BE-ja prezantoi strategji të re ushtarake për Detin e Zi.

BE-ja prezantoi një strategji të re për Detin e Zi që do t’i mundësojë të transportojë më mirë pajisje të rënda ushtarake. BE-ja do të investojë në përmirësimin e infrastrukturës rajonale, si portet, hekurudhat dhe aeroportet, për të menaxhuar dhe transportuar pajisje të rënda ushtarake. Veçanërisht, BE-ja do të investojë në infrastrukturën ushtarake në Rumani dhe Bullgari, të cilat janë vende të BE-së në bregun e Detit të Zi. Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi se përmirësimi i infrastrukturës së transportit për nevoja ushtarake në gjithë Evropën do të kushtonte rreth 75 miliardë euro. BE-ja gjithashtu planifikon të krijojë një qendër për sigurinë detare në Detin e Zi, e cila do të shërbejë si sistem evropian për paralajmërim të hershëm. P. S.

Franca i kërkon bankave tregtare të mbështesin industrinë e mbrojtjes.

Parisi zyrtar bëri një nga thirrjet më të ashpra ndaj sektorit financiar në Evropë, duke i ftuar bankat dhe investitorët të mbështesin më aktivisht industrinë e mbrojtjes.

Bankat duhet të ndryshojnë rregullat e tyre të brendshme, në mënyrë që të mos përjashtojnë më sistematikisht sektorin e mbrojtjes, por vullnetarisht të drejtojnë një pjesë të fondeve të besuara drejt kësajë fushe – njoftoi Ministria franceze e Ekonomisë. Mbështetja për sektorin nuk kufizohet vetëm tek bankat. Kompani franceze si “BNP Paribas” dhe “Amundi” së fundmi kanë lançuar fonde që investojnë direkt në industrinë e mbrojtjes.

Ministria franceze e Ekonomisë konfirmoi se po zhvillon dialog me palët kyçe financiare të përfshira në këtë çështje dhe do të publikojë përfundimet e para gjatë verës. P. S.

Polonia dhe Rumania fillojnë prodhimin masiv të dronëve ushtarakë.

Ministria polake e Mbrojtjes ka nënshkruar një marrëveshje kornizë me kompaninë private ushtarake vendase “VB Group” për blerjen e rreth 10,000 njësi të dronëve të njohur si “dronë lundrues” “Warmate” (dronë kamikazë). Marrëveshja parashikon furnizime deri në vitin 2035. Dronët lundrues “Warmate 20” kanë një rreze prej disa qindra kilometrash, ndërsa rrezja e “Warmate 50” është edhe më e madhe. Disa nga shtesat më të fundit në gamë përfshijnë sistemin zbulues “Warmate TL-R”, mini-dronët taktikë të klasës ‘FT5” në variante të reja.

Rumania, nga ana tjetër, ka për qëllim të përdorë një pjesë të konsiderueshme të fondeve për blerje ushtarake nga BE-ja për të blerë dronë për ushtrinë rumune. Autoritetet rumune shpresojnë që kapaciteti në rritje i prodhimit vendas të mjeteve pa pilot do të mundësojë zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të dronëve, por gjithashtu do t’i lejojë industrisë së qëllimit të veçantë rumune të shesë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të saj jashtë vendit. Rumania planifikon një investim në një linjë prodhimi që mund të prodhojë deri në 3,500 drone pa pilot në vit.

Përfundim

Transformimi i doktrinave ushtarake dhe armatimit në vendet perëndimore po ndodh me ritme të ndryshme, të diktuara nga përvojat në konfliktet e fundit, zhvillimet teknologjike dhe pozicionet gjeostrategjike të secilit shtet. Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë një hap radikal drejt strukturave të bazuara në dronë dhe sisteme autonome, duke reduktuar ndjeshëm rolin e forcave të rënda të mekanizuara dhe duke u fokusuar në fleksibilitet, dislokim të shpejtë dhe dominim digjital. Në të kundërt, Franca dhe Gjermania vazhdojnë të investojnë në forca të rënda tokësore, duke reflektuar nevojat e tyre kontinentale dhe traditën ushtarake, ndërkohë që BE-ja po investon në infrastrukturë strategjike dhe mbështetje financiare për industrinë e mbrojtjes. Shtete si Polonia dhe Rumania po rrisin kapacitetet e tyre të prodhimit të dronëve, duke synuar jo vetëm përmirësimin e mbrojtjes kombëtare, por edhe eksportin e teknologjive të reja ushtarake.

Në këtë kontekst, përkundër deklaratave për paqe, aktivitetet në drejtim të modernizimit ushtarak dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse janë intensifikuar, duke reflektuar një realitet të ri të sigurisë ku balanca mes inovacionit teknologjik dhe nevojës për mbrojtje efektive është bërë më e rëndësishme se kurrë. Prandaj, të kuptuarit e këtyre transformimeve është thelbësor për analizën e dinamikave të reja të sigurisë në Evropë dhe më gjerë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat