Drejtësia në hije dhe si lidhjet e dyshimta dhe vonesat po e shkatërrojnë besimin e qytetarëve në Kosovë

Opinione

Drejtësia në hije dhe si lidhjet e dyshimta dhe vonesat po e shkatërrojnë besimin e qytetarëve në Kosovë

Nga: Albina Hyseni Më: 2 qershor 2025 Në ora: 11:04
Autorja Albina Hyseni

Në një vend të vogël si Kosova, drejtësia do të duhej të ishte themeli i besimit dhe sigurisë qytetare. Por sot, ky sistem po përjetohet nga qytetarët si një pengesë e rëndë, një labirint i pafund zvarritjesh dhe padrejtësish që vetëm sa e thellojnë krizën e besimit publik ndaj shtetit.

Proceset gjyqësore zvarriten për vite me radhë. Vendimet nuk merren në kohë. Dosjet grumbullohen pa fund. Dhe gjatë kësaj pritjeje të pafund, jeta e qytetarit mbetet pezull dhe e lidhur ngushtë me një sistem që nuk funksionon, që nuk përgjigjet dhe që nuk ndëshkon askënd për mosveprim.

Lidhje të dyshimta dhe mungesë transparence

Gjithnjë e më shpesh dëgjohen dyshime për lidhje joformale ndërmjet zyrtarëve të drejtësisë dhe grupeve me ndikim. Hetimet nuk zbardhen kurrë, ndërsa personat me ndikim mbrohen nga përgjegjësia. Drejtësia perceptohet si selektive dhe e orientuar sipas interesave, jo sipas ligjit.

Në të njëjtën kohë, qytetarët e zakonshëm detyrohen të presin me vite për një vendim gjyqësor që do të duhej të jepej brenda muajve. Ata rrinë në radhë në gjykata, komuna, banka e institucione të tjera, duke humbur kohë, energji dhe shpresë dhe pse  e gjithë kjo sepse vetëm pse dikush në sistem nuk po e kryen punën si duhet.

Pse vazhdimisht akoma nuk funksionon drejtësia?

Emërimet e zyrtarëve shpesh ndikohen nga lidhje politike e nepotike

Kontrolli dhe vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është formal

Stërngarkesa me lëndë e shoqëruar me mungesë organizimi profesional

Mosndëshkimi i zyrtarëve që vonojnë rastet apo veprojnë me neglizhencë

Mungesa e mekanizmave efektivë të transparencës dhe llogaridhënies

Këto faktorë e kanë sjellë sistemin gjyqësor në një gjendje të rëndë, ku drejtësia nuk është më mjet për rregull dhe siguri, por shkak i padrejtësisë dhe pasigurisë.

Dhe mjerisht kush e paguan këtë çmim?

Qytetari. Ai që humb kohë duke pritur, që dështon të ndërtojë një jetë të qëndrueshme për shkak të pasigurisë ligjore, që humb mundësi, punë, para dhe shëndet. Dhe më keq akoma është ai që humb besimin se në këtë vend mund të ketë drejtësi për të gjithë.

Fakte që flasin vetë

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2024 mbi 355,000 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura nëpër gjykatat themelore, përfshirë edhe raste që datojnë më shumë se 5 vjet më parë. Mijëra qytetarë presin vendime për konteste pronësore, familjare apo ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre. Në shumë raste, drejtësia vjen vonë ose nuk vjen fare.

Patjetër që duhet të ndryshojë menjëherë?

Të digjitalizohet dhe monitorohet në kohë reale rrjedha e të gjitha rasteve nëpër gjykata

Të krijohen mekanizma të pavarur për kontrollin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Të vendosen afate të detyrueshme ligjore për shqyrtimin dhe mbylljen e lëndëve

Të largohen nga sistemi personat që nuk kryejnë punën me integritet dhe efikasitet

Të ndalet ndikimi politik në përzgjedhjen dhe promovimin e zyrtarëve të drejtësisë

Drejtësia që vonon është drejtësi që mohon

Nuk mund të ketë shtet funksional pa drejtësi të drejtë, të shpejtë dhe të barabartë për të gjithë. Në një vend të vogël si Kosova, çdo qytetar ka rëndësi. Nuk mund të pranohet që drejtësia të shndërrohet në një pengesë që ua ngatërron jetën njerëzve në vend se ta ndriçojë atë.

“Kur drejtësia fle, nuk janë vetëm dosjet që grumbullohen por është dhimbja njerëzore që rritet në heshtje.”

Koha për pritje ka kaluar. Tani është koha për veprim pra për ta kthyer drejtësinë në shërbim të qytetarit, jo të atyre që e përdorin për interesa personale apo politike.

Albina Hyseni

Administrat Publike

Mardhënje Ndërkombëtare

Studime Evropiane

Njohuri te gjera Psikologjike

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat