Konstituimi i Kuvendit të Kosovës: Midis shpresës demokratike dhe inercionit të klaneve!

Opinione

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës: Midis shpresës demokratike dhe inercionit të klaneve!

Nga: Qani Shabani Më: 11 qershor 2025 Në ora: 10:36
Autori Qani Shabani

“Kur partitë sillen si banda që ndajnë pushtetin mes vete, atëherë populli nuk ka përfaqësim, por robëri të re.”

Në vend që konstituimi i Kuvendit të shënojë një fillim të ri, ai po kthehet në një shfaqje të turpshme ku partitë politike, të zëna pas karrigeve dhe interesave klanore, po e përdhosin çdo ideal demokratik. Kuvendi po bëhet arenë pazari, jo tempull i demokracisë.

Në vend të dialogut politik, qytetarët po përballen me bllokime të qëllimshme, marrëveshje të fshehta dhe një arrogancë që buron nga bindja se vota e popullit nuk ka më peshë. Partitë, që dikur premtonin ndryshim dhe drejtësi, sot sillen si kartelë pushteti, ku mbijetesa politike është më e rëndësishme se interesi publik.

Nëse Kuvendi nuk po konstituohet, kjo nuk është krizë është strategji e fëlliqur për të vonuar përballjen me përgjegjësinë, për të ruajtur privilegjet dhe për të shtyrë llogaridhënien. Është një fyerje e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve që u rreshtuan nëpër qendra votimi me shpresën për një ndryshim real.

Asnjë parti nuk mund të fshehet më pas justifikimeve. Faji është kolektiv – të gjithë janë bërë pjesë e lojës së çmendurisë klienteliste por kesaj radhe me maska të reja. Populli nuk duhet të mbetet spektator në këtë teatër të kalbur politik. Koha e heshtjes ka përfunduar.

Ka ardhur momenti për një zgjim qytetar – një revoltë të ndërgjegjshme që e ndal këtë tallje me demokracinë. Kuvendi nuk është pronë private, as bankë për ndarjen e posteve. Është institucioni më i lartë i përfaqësimit, dhe çdo vonesë është grusht shteti i heshtur ndaj Republikës.

Nëse partitë nuk përfaqësojnë popullin, atëherë populli duhet ta marrë zërin mbrapsht dhe ta kthejë atë në veprim të drejtpërdrejtë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat