E tha Trump: Vetëm SHBA mund të sjellë marrëveshjen historike Kosovë–Serbi

Opinione

E tha Trump: Vetëm SHBA mund të sjellë marrëveshjen historike Kosovë–Serbi

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 qershor 2025 Në ora: 13:01
Autori Faton Mehmeti

Që nga viti 2011, kur nën mbikëqyrjen e BE-së filluan bisedimet Kosovë–Serbi, procesi ende nuk është përmbyllur dhe, me gjasë, përfundimi i tij është ende larg. Kjo nuk është aq shumë për fajin e Serbisë, sa për shkak të vetë Bashkimit Evropian. Ky i fundit ka qenë i butë dhe përkëdhelës ndaj Serbisë, duke i mundësuar asaj të zvarrisë procesin, të shkelë marrëveshjet dhe, si rezultat, ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

Duke u nisur nga këto dështime, ka ardhur koha që SHBA të marrë frenat e dialogut për t’i dhënë fund kësaj odiseje mbi një dekadë. Kështu paralajmëroi ish-presidenti amerikan, duke kujtuar paraprakisht se SHBA ishte ajo që kishte parandaluar përshkallëzimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të tij, duke thënë se vendet ishin në prag të luftës, por ndërhyrja e tij kishte sjellë stabilitet.

Me këtë deklaratë, z. Trump vetëm sa rikonfirmoi rolin historik që kanë SHBA-të në arritjen e marrëveshjes historike Kosovë–Serbi, si e vetmja forcë që garanton stabilitet. Çdo alternativë tjetër është e brishtë dhe e paqëndrueshme.

Megjithatë, me luftërat Izrael–Iran dhe Ukrainë–Rusi, duket e vështirë që SHBA të angazhohet seriozisht me Kosovën në procesin e dialogut, duke e prolonguar kështu marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sidoqoftë, përderisa SHBA nuk e merr përsipër vetë udhëheqjen e ndërmjetësimit, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje përfundimtare.

Edhe Trump e di këtë. Megjithatë, po pret momentin e duhur për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë takimeve pa sukses në Bruksel, të cilat tashmë janë bërë edhe të bajatshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat