Neni 66 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Konstituimi konsiderohet i plotë vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Më 15 prill 2025 u thirr seanca konstituive e Kuvendit, por nuk u arrit të zgjidhej Kryetari i Kuvendit, duke e lënë procesin të papërfunduar dhe duke krijuar një vakum institucional dhe kushtetues. Kjo situatë çoi në paraqitjen e një ankese në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin nr. KO-25/2025 vendosi që seanca e 15 prillit nuk përmbush kushtet për konstituimin e Kuvendit dhe urdhëroi përsëritjen e saj brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, duke përcaktuar qartë afatin në dispozitivin e vendimit. Ky vendim e kthen procesin në pikën zero dhe i vendos Kuvendit një afat të ri 30-ditor, por nuk parashikon një mekanizëm automatik për shpërndarjen e tij në rast se dështon përsëri të konstituohet.
Implikimet kushtetuese
Ky vendim sjell një sërë pasojash pozitive dhe problematike. Nga njëra anë, ai forcon interpretimin substancial të Kushtetutës duke theksuar se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituuar në mungesë të Kryetarit. Gjithashtu krijon presion institucional mbi partitë politike që të bashkëpunojnë dhe tregon se Gjykata Kushtetuese po e ushtron rolin e saj si garant i rendit kushtetues. Nga ana tjetër, vendimi nuk përcakton një sanksion të qartë në rast se Kuvendi dështon edhe brenda këtij afati të ri. Kushtetuta nuk është e qartë mbi pasojat që sjell moskonstituimi duke lënë të hapur pyetjen nëse duhet shkuar në zgjedhje të reja apo në mbajtjen e seancave të reja pafundësisht. Kjo situatë mund të shfrytëzohet nga partitë politike për të krijuar bllokim taktik institucional.
Implikimet politike
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndikim të madh edhe në planin politik. Ekziston një polarizim i thellë mes partive politike ku Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidatin e saj dhe në mënyrën e votimit të fshehtë ndërsa opozita kundërshton legjitimitetin e procesit dhe kërkon ose transparencë më të madhe ose alternativa të tjera për zgjidhjen e ngërçit. Partitë opozitare mund të bojkotojnë përsëri procesin duke mos siguruar kuorumin dhe duke e shtyrë vendin drejt një bllokade politike. Në mungesë të një zgjidhjeje të prerë për pasojat mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese të përballet sërish me një ankesë pas 30 ditësh nëse situata nuk zgjidhet. Në një skenar ekstrem mund të kërkohet një interpretim i ri kushtetues duke zgjatur më tej paqartësinë institucionale. Një Kuvend jo funksional sjell pasoja serioze pasi nuk mund të zgjidhet Presidenti në rast të dorëheqjes apo të një vakumi institucional dhe nuk mund të miratohen ligje të rëndësishme për ekonominë, drejtësinë apo sigurinë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë me urgjencë një zgjidhje kompromisi për të shmangur ndikimin negativ në procesin e liberalizimit të vizave, dialogun me Serbinë dhe integrimet euroatlantike.
Zgjidhja kërkon kthimin e palëve politike në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje mbi një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit ose të paktën mbi mënyrën e votimit. Mund të nevojitet edhe një sqarim ligjor nga Gjykata Kushtetuese ose një ndryshim ligjor ose kushtetues nëse Kuvendi dështon përsëri. Më e rëndësishmja është zhvillimi i një kulture politike të kompromisit e cila është më e domosdoshme se çdo dispozitë formale pasi pa kompromis edhe Kushtetuta mbetet vetëm një tekst pa zbatim.
Ky vendim është një sinjal i qartë që Kushtetuta nuk mund të shkelet pa pasoja por njëkohësisht tregon edhe boshllëqet institucionale në përballjen me situata të jashtëzakonshme. Në mungesë të vullnetit politik edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese mund të mbeten vetëm letra pa zbatim praktik. Nëse bllokada vazhdon rrezikohet jo vetëm funksionimi i Kuvendit por edhe i gjithë rendit demokratik institucional të Kosovës. Është koha që elita politike të kuptojë se legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota por edhe nga respektimi i standardeve kushtetuese dhe i interesit kombëtar.