Vota e fshehtë – themel i demokracisë që po mëtohet të mbytet në dritë

Opinione

Vota e fshehtë – themel i demokracisë që po mëtohet të mbytet në dritë

Nga: Agim Vuniqi Më: 2 korrik 2025 Në ora: 23:43
Agim Vuniqi

Në një demokraci të mirëfilltë, vota e lirë dhe e fshehtë nuk është thjesht një mekanizëm teknik. Ajo është garancia themelore që qytetari dhe përfaqësuesi i tij në Kuvend të veprojnë sipas ndërgjegjes së lirë, pa frikë, presion apo diktim politik. Në Kosovë, qytetarët votojnë për deputetë me votë të fshehtë, në kuti të vulosura, nën mbikëqyrje të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare. Ky është një nga standardet më të mëdha që ka trashëguar Kosova nga demokracitë perëndimore, dhe për të cilin është bërë betejë me dekada. Por, absurd është fakti se kur ata deputetë të zgjedhur hyjnë në sallën e Kuvendit, të njëjtëve u ndalohet të ushtrojnë të njëjtën të drejtë – të votojnë fshehtas për kryetarin e Kuvendit apo për funksionarë të tjerë institucionalë. Ky është një kontradiksion i thellë demokratik. Si mundet që populli të gëzojë më shumë liri politike në votë sesa përfaqësuesit që ai vetë i ka zgjedhur? A nuk bie kjo në kundërshtim të plotë me logjikën e demokracisë përfaqësuese?

Mandati i deputetit është i lirë, jo pronë e partisë

Në të gjitha demokracitë e konsoliduara, nga Gjermania e deri në Itali, vota e fshehtë përdoret pikërisht për të mbrojtur ndërgjegjen e deputetit nga presioni i partisë, i liderëve, apo edhe i opinionit publik të momentit. Ky nuk është privilegj, por është instrument i ruajtjes së baraspeshës ndërmjet forcës së shumicës dhe lirisë së individit përfaqësues. Kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ngurron të afirmojë këtë parim, dhe preferon të qëndrojë e ngulitur në interpretime të thata procedurale, ajo jo vetëm që shkel një të drejtë themelore, por mbyt një shtyllë të demokracisë brenda vetë institucionit përfaqësues.

A është vota e hapur mjet për disiplinë apo për frikësim?

Ka zëra që thonë se vota e hapur është garanci për transparencë. E vërtetë. Por transparenca nuk duhet të kthehet në instrument për ndëshkim të deputetëve që guxojnë të mendojnë ndryshe. Përndryshe, nuk do të kemi më deputetë të lirë, por “ushtarë partie”, të frikësuar e të zvarritur pas urdhrave të liderëve. Nëse synojmë një parlament ku përfaqësuesit janë roje të vullnetit qytetar e jo viktima të marrëveshjeve të errëta partiake, atëherë vota e fshehtë duhet të jetë standardi, jo përjashtimi.

Demokracia nuk ndërtohet me urdhra, por me vetëdije dhe liri

Në përpjekjen për të konsoliduar demokracinë në Kosovë, nuk mjaftojnë vetëm procedurat, emrat e partive apo numri i votave. Duhet të sigurojmë që përfaqësuesit të kenë të drejtën për të menduar e votuar pa frikë, siç edhe qytetarët që i kanë zgjedhur. Vota e fshehtë në Kuvend është zgjatje natyrale e votës së fshehtë të qytetarit. Ajo nuk është devijim nga demokracia, por kusht për funksionimin e saj të brendshëm. Nëse i mohojmë deputetëve këtë të drejtë, atëherë nuk jemi më përfaqësim demokratik, por regjim të kontrolluar nga strukturat e partive, ku vota bëhet ceremonial, jo akt vullneti. Është koha që Kuvendi, Gjykata Kushtetuese dhe vetë shoqëria të pranojnë se demokracia nuk ndërtohet duke u frikësuar nga vota e lirë – e as nga fshehtësia e saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat