“Në një kohë kur Maqedonia duhet të avancojë drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik, qeveria aktuale po manifeston një kapitulim të heshtur strategjik, duke e lejuar vendin të bie progresivisht nën orbitën e një trekëndëshi gjeopolitik – Serbi, Hungari dhe Kinë – që synon të zbehë pavarësinë shtetërore dhe të rikthejë rajonin në zonat e ndikimit të modeleve autoritare dhe antiperëndimore.”
Maqedonia e Veriut ndodhet në një pikë të rrezikshme devijimi strategjik. Ajo që dikur artikulohej si vullnet politik për integrim euroatlantik dhe konsolidim të shtetit të së drejtës, po zëvendësohet nga një orientim i paqartë, i cili e lë vendin të ekspozuar përballë një aksioni të rafinuar ndërhyrës të orkestruar nga Serbia, Hungaria dhe Kina. Ky nuk është thjesht një ndryshim i natyrshëm në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare – është një dorëzim gradual i sovranitetit shtetëror për interesa të huaja që synojnë thellimin e ndikimit gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Serbia e ka shtrirë ndikimin e saj përmes mekanizmave ekonomikë dhe politikë që shkojnë përtej retorikës rajonale. Përmes aktorëve ekonomikë, mediave dhe kontakteve të fuqishme brenda sistemit politik maqedonas, ajo ka arritur të ruajë një prezencë të fuqishme në strukturat vendimmarrëse. Ky ndikim është përforcuar dhe legjitimuar nga Hungaria, një aleate e hapur e Beogradit, e cila përdor investimet infrastrukturore, diplomacinë ekonomike dhe retorikën populiste për të konsoliduar një model autoritar të qeverisjes në hapësirën ballkanike.
Hungaria nuk është vetëm sponsor i agjendës serbe; ajo është vetë arkitekte e një riorientimi strategjik të rajonit nga vlerat e demokracisë drejt një modeli sundimi të kontrolluar dhe klientelist. Në këtë tablo alarmante, Kina është lojtari i heshtur por i gjithanshëm. Përmes platformës “Një Brez, Një Rrugë” dhe ofertave ekonomike joshëse, ajo po vendos themelet e një varësie afatgjatë përmes projekteve të mëdha infrastrukturore, linjave të kreditimit të pandryshueshme dhe marrëveshjeve bilaterale të errëta. Në pamje të parë, këto projekte duken si zhvillim ekonomik, por në thelb janë instrumente kontrolli strategjik.
Qeveria aktuale e Maqedonisë, në vend që të artikulojë një qëndrim të qartë politik dhe të mbrojë interesin kombëtar, ka zgjedhur të heshtë, të tolerojë dhe të pranojë këtë penetrim të shumëfishtë. Institucionet janë të dobësuara, vendimmarrja është e deformuar nga agjenda të jashtme, ndërsa qytetarët mbeten të dezinformuar dhe të çoroditur në një klimë pasigurie.
Ky është një operacion i heshtur që po zhvillohet pa deklarata publike, pa marrëveshje të hapura dhe pa transparencë – një transferim i ngadaltë i pavarësisë së vendit tek forca që nuk kanë interes për demokratizimin e rajonit, por për kontrollin e tij. Heshtja strategjike e qeverisë përballë këtij realiteti është e barabartë me bashkëpunim.
Nëse ky trend nuk ndalet me guxim politik, ndërgjegjësim qytetar dhe ndërhyrje të faktorëve të jashtëm demokratikë, Maqedonia rrezikon të shndërrohet në një satelit gjeopolitik të një boshti autoritar që operon jashtë çdo standardi të BE-së dhe NATO-s. Ky nuk është vetëm problem i brendshëm; është një kërcënim për arkitekturën e sigurisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Është koha për një rikonfigurim të menjëhershëm të politikës së jashtme, për ndërtimin e një doktrine të qartë shtetërore, dhe për orientimin e palëkundur drejt partnerëve strategjikë natyrorë: SHBA-së, BE-së, Shqipërisë dhe Kosovës. Maqedonia nuk mund të jetë një platformë e hapur për eksperimentime autoritare ndërkombëtare. Heshtja është dorëzim. Reagimi është vetëmbrojtje.