Pasojat juridike po përgatiten për deputetët, deklaroi presidentja, Vjosa Osmani

Opinione

Pasojat juridike po përgatiten për deputetët, deklaroi presidentja, Vjosa Osmani

Nga: Sherif Ramabaja Më: 18 korrik 2025 Në ora: 07:41
Autori Sherif Ramabaja

Po i afrohemi seancës së 50 dhe askund nuk po shihet drita në fundin e tunelit. Nuk po lajmërohet as tymi i bardhë nga qynga e oxhakut të Papës në Vatikan. Për seancat e Kuvendit të Kosovës nuk po diskuton as Moska, as Beogradi, as Parisi e as Londra, as Pekini e as Tokio, As Ankaraja e as Tel Avivi, as New York -u e as Washington - i. Me një fjalë, askush nuk po merret me shqiptarët.

Nga mjerimi i përgjithshëm, ku na ka zhytur parlamenti, në të cilën po fundosen shqiptarët, më në fund u kujtua avokat Koci, i cili me një veprim simbolik, për ta larguar vëmendjen nga vapa e cila e ka kapluar Kosovën, u përpoq që me një gjest konkret, ta freskoi popullin.

Në shenjë proteste, për seancat e dështuara të parlamentit, para hyrjes së tempullit të popullit, ai i solli 4 gomar të pispillosur, pasi i kishte depiluar te frizerët.

Gomarët si kafshë të urryera, sidomos nga shqiptarët, kësaj here e zgjonin kërshërinë e secilit. Ata ishin aq tërheqës që po t´i krahasoje me deputetët e zgjedhur, do të tundoheshe se cilëve populli ua kishte dhënë votat, deputetëve apo gomarëve.

Propozim i qëlluar mund të ishte: para kuvendit të sillen aq gomarë, sa është edhe numri i deputetëve. Dhe pas seancës së dështuar të detyrohen deputetët për një shëtitje nëpër qendrën e qytetit, hipur mbi gomar. Kjo do duhej të ndodhte, pasi të jenë njoftuar qytetarët që të dilnin dhe t´i përshëndesnin të zhedhurit e tyre.

Gjatë karvanit të deputetëve mbi gomarët, do të duhej që të mbretëronte atmosferë festive dhe organet e rendit, do të duhej që ta garantonin sigurinë e deputetëve të kuvendit.

Siguria do të ishte e domosdoshme, sepse nga qytetarët deputetët mund të ofendoheshin, mund të akuzoheshin, mund të kërcënoheshin, mund të nënçmoheshin, mund shqelmoheshin, mund të dhunoheshin, të gjuheshin me vezë, me domate, me balona të mbushur me ujë, me lloj - lloj gjësende, me lloj -lloj ngjyra të ndryshme etj.

Pas përfundimit të paradës, secili nga deputetët do ta shihnin veten se ku qëndrojnë dhe çmendon populli për ta. Pas marrjes së vlerësimit, në paradën e organizuar mbi gomarë, secili do të duhej të vendoste se a do të kthehej në kuvend, që ta vazhdoi komplotin në moskonstituimin e kuvendit, apo t´ia mbath nga ka ardhur, në intelektin e tij të mangët.

 Në propozimin e presidentes se do të ballafaqohen me pasoja juridike, nënkuptohet se secili do të përgjigjet për punën e tij, e kurrsesi nuk do të vlejnë arsyetimet se kështu ishin urdhëruar. Asnjëri nga ta nuk është adoleshent, që t´ia hedh fajin tjetrit. Pasojat juridike, mund ta kenë efektin e vlerësimit individual. Atdheu po i pret “bijtë e tij” mbi gomarë.

Mars - Rover (Satirë)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat