Ishte një demonstrim i turpshëm dhe i rrezikshëm ajo që ndodhi në Budapest, kur kryeministri i këtij vendi, Viktor Orban, priti në takim dhe e mori në mbrojtje liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, edhe pse ky i fundit i dënuar nga drejtësia në BH. Se Orban është pjesë e një aleance të Lindjes së kryesuar nga Vladimir Putin, kjo dukej qartë. Megjithatë shumëkush besonte që kryeministri hungarez i mban këto qëndrime për shkak të “mbrojtjes së interesave të vendit të tij”! Pritja e Dodik dhe mosnjohja e vendimit të gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës për dënimin e tij nga ana e Viktor Orban dëshmon më shumë se kaq. Ai përfundimisht është vënë në krah të aleancës serbo-ruse kundër Europës, kundër NATO-s dhe kundër popujve dhe kombeve të tjera të Ballkanit, sidomos kundër shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Para pak muajsh ndodhi që tri vendet ballkanike, Kroacia, Kosova dhe Shqipëria, të nënshkruajnë një marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak, e cila është ende larg një kornize të aleancës së mbrojtjes së përbashkët. Menjëherë pas kësaj Serbia dhe Hungaria zhvilluan stërvitje të përbashkët ushtarake, dukshëm për të dëshmuar një lloj aleance kundër marrëveshjes midis tri vendeve të tjera në fjalë. Ajo stërvitje e përbashkët e ushtrisë hungareze dhe asaj serbe nuk u mor aq seriozisht. Sërishmi u tha se kjo ndodhi “për shkak të afrimitetit të të dy vendeve” dhe askush nuk guxoi ta trajtonte si demonstrim të forcës kundër popujve, shteteve dhe kombeve të tjera ballkanike. Ndërkohë që thuhet se KFOR-i hungarez ka rol të posaçëm për sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës, nesër nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i ushtarëve hungarezë në KFOR. Do të luajnë rolin e komandove ruse që më 11 qershor 1999 u pushtuan aeroportin e Prishtinës, apo do të kryejnë detyrën e tyre bazuar në rezolutën 1244 dhe strategjinë e NATO-s në Kosovë?!
Ikja e Milorad Dodik nga Banja Lluka fillimisht për në Serbi e më pas në Hungari (Budapest) është shenja më e besueshme se tashmë trajektorja e kryeministrit hungarez shkon nël drejtim të rrjedhës së Danubit e përtej Detit të Zi, drejt Moskës e madje akoma më larg. Drejtimi perendimor i Hungarisë me Viktor Orban është refuzuar tashmë. Brukseli, si qendra e gravitetit të NATO-s dhe BE-së, është shumë larg Budapestit. Beogradi dhe Moska janë tashmë partnerët e preferuar të tij. Milorad Dodik është thjesht një frymor që demonstron hapur dhe publikisht se në cilën anë gjendet Hungaria. Në kohët e sotme të turbullta dhe të konfliktit sidomos midis Europës dhe Rusisë, e shprehur në Ukrainë, vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, përfshirë Hungarinë, do të duhej të ishin bashkë si kurrë më parë. Por nuk po ndodh kështu. Viktor Orban përfundimisht e simbolikisht, me pritjen dhe marrjen në mbrojtje të liderit të serbëve boshnjakë, Milorad Dodik, dëshmoi se është kundër BE-së dhe NATO-s.
Kur Donald Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë, Orban ishte më entuziasti në kontinentin europian. Meloni vinte pas tij. Orban besoi se presidenti amerikan do të ishte në anën e Rusisë, kundër Europës. Por ndërsa Meloni po ruan një lloj ekuilibri, Orban vazhdoi me shpejtësi të rrëshqasë në krahun rus e bjellorus. Kur ai pa që politikat amerikane janë për paqe dhe stabilitet në Europë dhe për pasojë nuk pajtohen me agresivitetin e Vladimir Putin, vijoi i vetëm të ndërtojë aleancën me Kremlinin. Milorad Dodik është personi i vetëm me besim të plotë te Vladimir Putin i etur dhe përkushtuar për të vepruar për interesat ruse, pra për destabilizimin e Ballkanit e më tej të Europës. Orban dëshmoi, duke mbrojtur Dodik se mbart të njëjtin detyrim para Kremlinit, të cilin e bart edhe ish-kreu i Republikës Srpska të Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo qasje anti-europiane dhe në përballje me drejtësinë e një vendi sovran si BH, të cilën Hungaria, si dhe vetë Rusia e Serbia e njohin, është e paprecedentë në historinë e Europës moderne. Çdo njeri normal e di se tentativat për shkatërrimin e shtetit boshnjak nga ana e Dodik janë dë dënueshme dhe ligjërisht. Megjithatë Viktor Orban guxoi dhe doli kundër vendimit të gjykatës boshnjake për dënimin e tij. Mesa duket ka vendosur që ta amnistojë Dodikun dhe t’i japë atij, njësoj si edhe Gruevskit dikur, statusin e azylantit politik. Pra do që ta marrë në mbrojtje. Dhe e gjitha kjo nuk është se ndodh pa ndërmjetësinë e Vladimir Putin dhe të Alaksandër Vuçiq. Këta dy të fundit po përdorin aleatin e tyre në BE e në NATO për të përdhosur vlerat euro-atlantike dhe për të provokuar jo veteëm Europën Lindore, Qendrore e Juglindore, por edhe atë Perendimore.
Viktor Orban, ky mik i mirë i Putin e Vuçiq, por edhe i Edi Ramës, po e kryen me besnikëri këtë rol!