E keqja më e madhe, “News 24” apo Rama- 16...?

Opinione

E keqja më e madhe, “News 24” apo Rama- 16...?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 11 gusht 2025 Në ora: 08:01
Xhevat Mustafa

Të mirëkuptohemi qysh në fillim! Nuk kam ndërmend dhe nuk mund të bëj avokatin mbrojtës për konfliktin e ri apo të rradhës shtet- qeveri- Irfan Hysenbelli!

Edhe pse jam i bindur se të dy palët do të veprojnë pas asaj që ndodhi në përputhje me hapësirat dhe praktikat ligjore! Por, si njeri e qytetar dhe si gazetar i lidhur qysh nga krijimi me gazetat "Panorama" dhe "Gazeta Shqiptare", edhe pse vitet e fundit pa pagesë dhe pa interes financiar për shkrimet që kam botuar shpesh, nuk mund të hesht dhe bëj spektatorin para këtij spektakli me erë të fortë mungese demokracie apo neodiktature! Është e padiskutueshme se edhe Irfan Hysenbelliu, si çdo njeri e biznesmen, nuk është as engjëll e as perëndi. Edhe ai është i debatueshëm apo edhe i kritikueshëm për plot ide, mendime, zgjedhje, përzgjedhje, vendime, veprime, qëndrime, projekte...! Edhe për rregullsinë apo parregullsinë e pagesave mujore e të sigurimeve shoqërore të gazetarëve, dukuri e praktikë viteshumë në plot biznese dhe media në Shqipëri, përfshirë edhe disa dikastere dhe institucione qeveritare e shtetërore!?

Por, më 9 gusht 2025 u vu re se plot nga pjesëmarrësit në debatet e shpërthyer në rrjetet sociale lidhur me aksionin policor e ushtarak për bllokimin e “News 24” e të disa mediave të tjera të kompanisë së tij ndërtimore- mediatike, i hapin Irfaniit “dosje” të vjetra e të reja. Disa e nisin këtë retrospektivë nga nivelet e ulëta të arsimimit e të gradës ushtarake, duke “harruar” se jo vetëm falë fatit dhe “duarve që e shtynë në start” atë e ka ndihmuar edhe zgjuarsia e lindur për t’u bërë bos në bizneset e ndërtimit, turizmit, mediave, multimilioner...Në të kundërt, shumë prej atyre me diploma dhe tituj shkencorë, me stiva shkrimesh në gazeta dhe librash, janë rrogëtarë në shtet ose në kompani private, përfshirë edhe të Irfanit...Disa opozitarë nuk ia falin Irfanit, që nuk i bëri mediat e veta si gazeta opozite, si "Rilindja Demokratike" dhe "55", edhe të miat, sepse në të dyja kam qenë për disa kohë edhe kryeredaktor! Por, nëse do të bëhet analizë e ftohtë dhe e thellë apo e largët në kohë, shumica e këtyre “kritizerëve parimorë” do të ndjehen të penduar e të turpëruar, kur t'u dalë se sidomos në gazetat "Panorama" dhe "Gazeta Shqiptare", edhe në mediat e tjera radio- televizive, janë publikuar, edhe me emrin tim, me bollëk opinione, analiza, komente...me doza të forta oponence apo opozicioni të hapur, me kritika të forta edhe për PS-në deri më 2005, kur drejtohej nga Fatos Nano e në këta 12 vjet, edhe në adresë të qeverisë si ekip e të Edi Ramës si kryeministër.

Pa e tepruar, mund të thuhet se disa prej këtyre shkrimeve kanë qenë edhe më kritikë apo më të fortë se plot prej atyre të botuara në gazetat e veta apo në rrjetet sociale nga drejtues dhe gazetarë të PD- së e të partive të tjera të opozitës. Kjo është e lehtë vërtetueshme. Si duke shfletuar lidhjet 6 mujore apo vjetore të këtyre gazetave, ashtu edhe nëpërmjet google crome, duke klikuar emrat e disa gazetarëve që kanë botuar nga fillimi dhe deri më sot në këta dy gazeta, përfshirë edhe emrin tim. Pra, për të mos u bërë të pasaktë, tendenciozë e për të mos i ngrënë hakun Irfan Hysenbelliut dhe gazetave të tij, sidomos gazetarëve me angazhim më të gjatë në kohë e më të spikatur për cilësi, lexueshmëri dhe pëlqyeshmëri, do të ishte më e këshillueshme dhe e pranueshme që të merret parasysh fakti se ai është biznesmen, edhe në prodhimin dhe tregun e mediave dhe jo partiak e politikan! Si i tillë i është dashur, i duhet dhe do t'i duhet patjetër që të përpiqet të armiqësohet apo konfliktohet sa më pak me partitë në pushtet e me qeveritë e tyre. bëjë edhe pazare e “flirte”. Përndryshe, ndëshkohet "shqiptarisht" apo "edramisht", e pëson si me "Prestige Resort", në Golem, që ia shembën në dhjetor 2022 apo si më 9 gusht 2025! Apo si me fabrikën e birrës...e në raste të tjera jo të këtyre përmasave.

Njëherazi, si biznesmen ndërtimi i është bërë e i mbetet e domosdoshme të mendojë me dozë më të lartë pragmatizmi dhe “diplomacie” se nëse i shndërron mediat e tij në tribuna edhe më të forta antiqeveritare se vetë mediat e opozitës, do t'ia sjellin shpirtin në majë të hundës për leje ndërtimi për pallate të tjerë...!? Për të shkuar drejt dhe shumë afër të vërtetës na ndihmon një fakt fare i freskët, i publikuar më 10 gusht edhe nga një prej drejtuesve dhe deputetëve të PD-së, Gazmend Bardhi. Në datën 8 gusht 2025, ora 18:40, Gazeta Shqiptare, pjesë e “Focus Group Media”, publikoi shkrimin për komunikimin e pritshëm të akuzës nga SPAK për Zv.Kryeministren Belinda Balluku. Vetëm një ditë më prapa, më 9 Gusht 2025, ora 07:00, shoqëria shtetërore "KAYO" sh.a., me kryetar të Këshillit Mbikëqyrës Ermal Nufin, njëkohësisht drejtor i kabinetit të Belinda Ballukut, urdhëron pushtimin e të gjitha pronave ku ushtrojnë veprimtarinë mediatike News 24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, pavarësisht se pjesa dërrmuese e tyre as nuk i kanë kaluar në administrim shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a. (pronat janë me qira të vlefshme deri në vitin 2033, me nje vlerë vjetore qiraje 180 mijë euro, siç konfirmonte edhe vetë MEKI në një deklaratë zyrtare).

Shoqëria "KAYO" sh.a. urdhëron një “kukull të shumë pronarëve”, Ardi Veliun, që të zaptojë të gjitha ambientet e punës së News24, Balkanweb, Gazetës Panorama dhe Gazetës Shqiptare,..Kuptohet arsyeja apo qëllimi:të heshtin çdo zë mediatik kritik ndaj tyre, në këtë rast ndaj Belinda Ballukut, akoma zv.kryeministre dhe akoma krahu i djathtë i kryeministrit. Njëherazi, pas nxjerrjes jashtë të stafit dhe aparaturave të “News 24” dhe të mediave të tjera simotra të saj, hapet hapësira për kulla të reja shumëkatëshe, që po shtohen aq shumë këto vite sa po ia marrin frymën dhe po ia zënë diellin Tiranës...!? Ndërsa i bëhet "gjyqi" Irfanit dhe mediave të tij "harrohet" se edhe ai është qytetar e biznesmen në Shqipërinë sui generis apo “të pashoqe”!

Domethënë, as e mirëfilltë, as e identifikueshme dhe e cilësueshme demokratike, socialiste, kapitaliste...Në të vërtetë, ajo ka qenë qysh nga fillimi i vitit 1991 me bollëk kontigjentesh, mendësish, praktikash, atavizmash nga diktatura enveriane e me "kopjime" apo "plagjiatura" nga diktaturat putiniane, erdoganiane, vuçiçiane... "Harrohet" edhe të mendohet se me veprimin apo aksionin e dt.9 gusht 2025, sidomos me format e kryerjes, u ridëshmua edhe fytyra, shpirti apo natyra e shtetit dhe qeverisjes së sotme në Shqipëri! Ky shtet, që kërcëlliti dhëmbët dhe reklamoi forcën, "Në emër të ligjit" apo “Në emër të popullit” edhe më 9 gusht 2025, kundër disa mediave që nuk i mbajnë fort e vazhdimisht iso, ka shitur, shet e fal copa Shqipërie, në tokë e në detra, sa e ku të dojë dhe ka bërë e bën çfarë t'i teket, kundër cilitdo të shënjestrojë e të dojë! Ndryshe nga Greqia fqinjë me rreth 6000 ishuj e që ka shitur vetëm 11 prej tyre, krejt të pabanuar, Shqipëria po shet apo ka shitur edhe të vetmin ishull të mirëfilltë që i ka fal Natyra apo ZOTI!? " Po ky shtet “ka fjetur e fle", kur kanë hyrë e dalë e vazhdojnë të hyjnë e të dalin tonelata me drogra nga Amerika Latine; kur prej milionave të tyre e korrupsionit të politikanëve dhe pushtetarëve të lartë, përfshirë edhe të ndraghetasve të Italisë fqinjë, ngrihen kulla me 40- 60 kate!? “Fle” edhe kur derdhen dhjetra milionë euro për inceneratorë, që djegin më shumë plehra nëpër dosje si projekte e nëpër kodrat mbi qytete! Po ky shtet "është në gjumë të rëndë" apo shkon në vendin e ngjarjeve për të marrë gëzhoja, gjurmë, prova, kufoma...,kur vriten për pazare e interesa kriminale njerëz e kuaj...?

Gjithashtu, ka “qenë në gjumë të thellë e të ëmbël”, "fle" apo "mbyll sytë", edhe kur bosi i drogës bën veten ose mikun dhe ortakun kryebashkiak, ministër, deputet apo çfarë t’i dojë qejfi i vet, edhe pse të gjithë si tufë, SPAK- u dyerhapur prej kohësh i pret? Gjithashtu, ndërsa "kryqëzohet" Irfan Hysenbelliu, nuk shprehet i njëjti shqetësim qytetar përse Policia e Shtetit është dhe ndjehet si në shtetin, shtëpinë, pronën e vet? Apo si në shtetin e shokut Enver e të shokut Mehmet, kur vendimet e gjykatave dhe ankimimet kundër padrejtësive skandaloze e nëpërkëmbjkes së ligjeve në letrat e Kushtetutës e të Kodit Ligjor ishin thjeshtë humbje kohe dhe formalitet, për të mbushur koshat e plehrave nëpër zyra dhe dosjet për arkiva...Logjikshëm mund të mendohet dhe formulohet pyetja: për nga veprimet e këtyre muajve të fundit, sidomos pas "fitorjes historike" të 11 majit, a nuk ju duket se Edi Rama ka shtuar vrapin për t'u bërë tëpkë Enver...?! Po e mbyll këtë shkrim me pyetjen në titull: cila është e keqja më e madhe për shumicën e shqiptarëve të sotëm e të nesërm? “News 24”, domethënë liria e mediave, demokracia e vërtetë, e përjetueshme, e pacenueshme; mendimi i lirë e ndryshe nga ai zyrtar, shtetëror... apo Rama- qeveria 4 apo 16 vjeçare, nga e cila nuk kemi parë akoma plot “gjëma”, edhe më të rënda...? Merret me mend se “breshëri” i ri i tyre do të na bjerë pas 15 shtatorit, kur të krijohet qeveria e re apo e katërt Rama e të miratohet nga “parlamenti i ri” Kodi i Ri Penal Ulsi Manja- Arben Rakipi. Për nga mendësia dhe tradita 12 vjeçare qeverisëse, më së pari nga qenia e Edi Ramës në krye të saj, po me atë kokë, tru dhe mend, me po ato vese e zakone, po me ata nivele pallogaritshmërie dhe papërgjegjshmërie njerëzore, ligjore, morale, korrupsioni..., bëhet e pamundur të jetë me të vërtetë QEVERI E RE! Duke pasur parasysh ministreshat dhe ministrat aktualë dhe ekipet e tyre të sekretareve dhe këshilltarëve, lejohet bollëk arsyesh të mendohet se edhe “prurjet e reja” do të jenë ngjashëm si “sozi” si Linda Balluku, Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu, Frida Krifca, Mirela Kumbaro, Taulant Balla..., si Agron Malaj, Sara Mila, Termet Peçi, Zegjineja prej Roskoveci...!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat