Urat që lidhin, kisha që ndan,dhe hipokrizia që i mban gjallë!

Opinione

Urat që lidhin, kisha që ndan,dhe hipokrizia që i mban gjallë!

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 25 gusht 2025 Në ora: 21:15
Shefqet Avdimetaj

Në Mitrovicë, mbi lumin Ibër, janë ndërtuar ura të reja. Jo ura të zakonshme, por ura që bartin mbi vete një simbolikë të madhe: lidhjen e një qyteti të ndarë me dhunë, afrimin e dy komuniteteve që jetojnë paralelisht, shpresën për një të ardhme ku bashkëjetesa është më e fortë se ndasitë. Ato ura nuk bëjnë dallim kombi, feje apo etnie,thjeshtë janë ura për të gjithë.

Por çfarë ndodh? Një pjesë e serbëve në veri të Kosovës mobilizohen kundër tyre. Protestojnë, bllokojnë, kërcënojnë, thua se ura janë armë kundër ekzistencës së tyre. Dhe kështu, policia e Kosovës detyrohet të vendoset në roje të urave,një absurditet i vërtetë, të mbrosh me polici atë që simbolizon paqen dhe humanizmin.

E ndërkohë, në zemër të Prishtinës, qëndron e paprekur një tjetër “monument”: kisha e ndërtuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në oborrin e Universitetit të Prishtinës. Ajo kishë nuk është ndërtuar si vend lutjeje. Ajo është ndërtuar si simbol pushtimi, si shenjë e dhunës dhe terrorit mbi një popull që në atë kohë përjashtohej me dhunë nga shkollat, universitetet, institucionet. Universiteti i Prishtinës ishte qendra e rezistencës paqësore të shqiptarëve, dhe Millosheviqi zgjodhi pikërisht aty të ngulë një kryq betoni për ta poshtëruar e për ta provokuar një popull të tërë.

Sot, kjo kishë vazhdon të qëndrojë e paprekur. Asnjë polic nuk qëndron para saj, sepse nuk ka shqiptarë që e kërcënojnë. Por për ironi, ajo ruhet nga heshtja e institucioneve të Kosovës dhe nga mbrojtja e ndërkombëtarëve, të cilët e kanë shpallur “trashëgimi kulturore”. Trashëgimi e kujt? Të dhunës, të kolonializmit, të shovinizmit serb?

Ky është paradoksi dhe hipokrizia e madhe,urat që lidhin, duhen ruajtur me polici,kishat e Millosheviqit që ndajnë, ruhen me heshtje. Serbët e veriut shohin kërcënim në ura, ndërsa shqiptarët duhet të durojnë simbolin e terrorit në zemër të kryeqytetit.

E gjithë kjo ndodh sepse politika e Beogradit vazhdon të shohë Kosovën si territor të saj, jo si shtet të pavarur. E gjithë kjo ndodh sepse Kisha Ortodokse Serbe, shpesh në bashkëpunim të hapur me politikën serbe, përdor objektet fetare si mjete politike. Dhe e gjithë kjo ndodh sepse bashkësia ndërkombëtare ,BE, UNMIK, OSBE etj heshtin ose mbajnë qëndrim të dyfishtë: aty ku duhet të mbrohen simbolet e së ardhmes (urat), ata qëndrojnë indiferentë ose edhe janë kundër, aty ku duhej të diskutohej hapur heqja ose transformimi i simboleve të dhunës (kisha e Millosheviqit), ata nguten t’i shpallin “monument kulturor”.

Nuk është e mundur të ndërtohet paqe mbi simbole të rreme. Nuk është e mundur të flitet për bashkëjetesë, kur ura shihet si rrezik e kisha e pushtuesit si vlerë. Dhe nuk është e mundur të kërkohet normalitet nga shqiptarët, nëse atyre u kërkohet çdo ditë të jetojnë me një kujtim të dhimbshëm në mes të kryeqytetit.

Koha është që qeveria e Kosovës të flasë hapur, të mos ketë frikë nga e vërteta: urat janë e ardhmja, kishat e Millosheviqit janë hija e së kaluarës. E po ashtu, koha është që Bashkimi Evropian të ndalë politikën e standardeve të dyfishta. Nuk mund të predikohet pajtim duke mbrojtur simbolet e agresorit dhe duke heshtur për simbolet e paqes...!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat