Skandaloze dhe fyese për gjakun e dëshmorëve!
Deklarata e ish-shefit të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Fatos Klosit, i cili para kamerave rrëfen se gjoja UÇK-ja nuk e kishte në plan çlirimin e Kosovës, por vetëm rikthimin e të drejtave të autonomisë së kohës së Titos, është një goditje e rëndë ndaj së vërtetës historike, ndaj sakrificës dhe ndaj popullit të Kosovës. Kjo deklaratë është më shumë se një fjalë e pamatur. Ajo është një përpjekje e rrezikshme për rishkrim të historisë, një tentativë për ta zvogëluar misionin dhe idealin e UÇK-së, duke e paraqitur si një lëvizje “autonomiste” dhe jo si një ushtri çlirimtare që luftoi për liri, dinjitet dhe pavarësi.
Ky diskurs nuk është vetëm i pasaktë, por edhe fyese për mijëra të rinj e të reja që dhanë jetën për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. E vërteta është e qartë: UÇK-ja u ngrit nga zemra e popullit, si përgjigje ndaj gjenocidit serb, ndaj dhunës sistematike dhe spastrimit etnik. Nëse do të ishte fjala vetëm për autonomi, nuk do të kishte pasur nevojë për sakrifica kaq të mëdha, për luftë të armatosur, për varre masive dhe për ndërhyrjen e NATO-s. Kosova nuk derdhi gjak për të rikthyer një status të rremë autonom të Titos, por për të fituar lirinë e saj të plotë.Deklarata e Klosit i shërben vetëm qarqeve armiqësore ndaj Kosovës. Ajo u jep armë propagandistëve serbë që për dy dekada mundohen të zhvlerësojnë luftën tonë të shenjtë. Madje, një zë i tillë që vjen nga Tirana zyrtare e bën edhe më të rrezikshme këtë narrativë.
Në këtë moment, është e domosdoshme që të reagojnë jo vetëm shoqatat e veteranëve, por edhe institucionet shtetërore të Kosovës e të Shqipërisë. Heshtja ndaj një deklarate të tillë do të thotë pajtim me një rishkrim të qëllimshëm të historisë sonë të përgjakshme. UÇK-ja është simbol i lirisë, jo një kartë pazari politik. Çlirimi i Kosovës nuk ishte “marifet i Titos”, por fryt i gjakut të dëshmorëve, i rezistencës së popullit dhe i mbështetjes së botës demokratike. Çdo përpjekje për ta zbehur këtë të vërtetë është tradhti ndaj kujtesës sonë kombëtare.
Fatos Klosi i detyrohet publikut një kërkimfalje të qartë dhe të pakushtëzuar. Institucionet tona kanë për detyrë të mbrojnë historinë e luftës sonë nga çdo shtrembërim. Sepse, ndryshe nga çfarë thotë Klosi, Kosova nuk u çlirua për autonomi, por u çlirua për liri dhe pavarësi të përjetshme.