Lladrovci, kryefjala dhe heroi i zgjedhjeve vendore ende të papërfunduara

Opinione

Lladrovci, kryefjala dhe heroi i zgjedhjeve vendore ende të papërfunduara

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 9 tetor 2025 Në ora: 07:57
Ramiz Lladrovci

Po të kisha të drejtë ta ndërroja votën time për Prishtinën, kësaj radhe do ta ndërroja me Drenasin, shampion nacional i gjashtë-fishtë, sepse Drenasi është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, Drenasi, kësaj radhe udhëheq me titujt e kryelajmeve, që janë aq të shpeshta, të ëmbla dhe të hidhëta njëkohësisht. Pra, ultimatumi im është ky: Ose, ma ‘transferoni’ të drejtën time ta votoj kampionin në Drenas ose ma sillni Lladrovcin ta votoj për kryeqytet.

Drenasi, kësaj radhe e tejkaloi Prishtinën për lexueshmëri, pamëshmëri, dhe thashetheme. Aty garojnë dy kandidatë, njeri shumë i njohur, i përfolur dhe shumë i suksesshëm, por që partia amë e ndërroi dhe e detyroi që ai të garoj i pavarur dhe e zëvendësoi me një të ri, të mirë, e të panjohur por që prapa i qëndron partia, pra, partia që do të shkaktoj vetëvrasje në Drenas.

Ramiz Lladrovci, derisa ishte ambasador në Tiranë, dha një intervistë të tij të asaj kohe që e ndoqa me plot kërshëri. Çuditërisht, Ramizi me fizikun e tij nuk mu duk aq ambasador por më shumë si një nga ata luftëtarët që luftojnë në kafaz me shikimin dhe veshët e tij, me të folmen dhe qeshjen e pafajshme të tij. Atë nate nga Ramizi mësova një fjalë të re që kishte hy në leksikun e shqipes, fjalën ‘ezauroj’ që pastaj e pash në fjalor e që vinte nga italishtja ‘esaurire’ dhe anglisht – ‘exhaust’ (zbraz, shteroj, varësisht nga konteksti) por origjina e vërtetë e kësaj fjale vinte nga latinishtja:- ‘exaurire’. Pra, versionin shqip e mësova nga njeriu që duket më shumë si Xhorxh Formën se sa një ambasador, linguist, apo kryetar komune.

Në paraqitjet publike Ramizi le përshtypje të shumëfishta; si mundës e bokser, si komik e serioz, sharmant që e pranon debatin edhe me sportivitet, edhe atëherë kur shpërthen se; ‘forca bënë fuqinë’, edhe kur jep urdhër të heshtet; shhhhttttt, edhe kur bërtet; ta rrasi, ta rrasi, ta rrasi, -ma rrasi! Por si kryetar komune, Lladrovci na del si kryetari i komunës më të suksesshme, një kampion i vërtetë që s’lejon tjetërsimin e pronave shoqërore edhe atëherë kur përballet me njerëzit e fortë të partisë dhe njerëzit me të rrezikshëm të nahisë.

Pos epiteteve që i përmenda më lartë, Ramizi është pinjoll i një familje trime, një ish-ushtar kurajoz i UÇK-së, i guximshëm por modest, praktik e këmbëngulës, mbrojtës i pronës dhe interesit shoqëror edhe atëherë kur e kërcënojnë fizikisht apo me eliminim politik.

Ramizi këto ditë është një super yll i portaleve, studiove, kafeneve, rrjeteve sociale, i mëhallave, rrugëve, një njeri i drejtë, që herë qesh me zë të lartë e herë bërtet, njeriu që di të mrrolet e të bëhet i frikshëm për kundërshtarët, njeriun, që disa e marrin për budalla, për mënyrën e paraqitjes, por unë më parë do të votoja për Lladrovcin, për një “budalla” si e quajnë disa me pa të drejtë, sepse ‘budallakia’ e tij s’është asgjë tjetër, -- por suksesi, guximi dhe lufta për qytetarin e Drenasit.

Ish-partia e tij i ka hy një misioni të pamundur, lufton sojin e vet më fisnik, sepse Ramizi s'i lejon të pasurohen me tokën dhe djersën e qytetarit të Drenasit. Ata garojnë me kampionin e gjashtë-fishtë nacional.

Ma 'transferoni' të drejtën e votës sime të Prishtinës të votoj për Ramiz Lladrovcin në Drenas ose e ‘transferoni’ Ramizin në Prishtinë, që si kampion i verifikuar i VI-të fishtë ta votoj për kryetar timin dhe të kryeqytetit!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat