Bardhyl Mahmuti me dy reagime ndaj Kadri Kryeziut: “Mos e vet se tregon vetë!”

Opinione

Bardhyl Mahmuti me dy reagime ndaj Kadri Kryeziut: “Mos e vet se tregon vetë!”

Më: 20 tetor 2025 Në ora: 22:28
Foto ilustrim

Pas dy shkrimeve të Kadri Kryeziut, ish-i burgosur politik dhe pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, kanë ardhur edhe kundërpërgjigjet e Bardhyl Mahmutit.
Në dy postime të ndara në rrjetet sociale, Mahmuti mohon pretendimet e Kryeziut, duke e akuzuar atë për shtrembërim të fakteve historike, manipulim të ngjarjeve të vitit 1981 dhe kërkim privilegjesh personale gjatë kohës së burgimit në ish-Jugosllavi.

Në reagimin e parë, të titulluar “Mos e vet se tregon vetë”, Bardhyl Mahmuti e quan “gënjeshtër” pretendimin e Kadri Kryeziut se gjatë demonstratave të 11 marsit 1981 ishte artikuluar kërkesa për “Republikë” apo “Kushtetutë”.
Sipas Mahmutit, asnjë pjesëmarrës i asaj proteste nuk mund të dëshmojë një kërkesë të tillë, ndërsa vetë Kryeziu — sipas tij — ka përdorur fjalor përçmues të regjimit jugosllav ndaj demonstruesve.
Ai përmend edhe çështje që lidhen me periudhën e burgut, duke e akuzuar Kryeziun se ka pasur privilegje që të tjerët nuk i gëzonin, si leje për vizita më të gjata, dalje të shpeshta dhe leje martese gjatë dënimit, gjë që Mahmuti e cilëson si trajtim të pabarabartë dhe favorizim nga administrata e burgjeve.

Në reagimin e dytë, me titull “Kadri Kryeziu – i burgosur shembullor që nuk solidarizohej me të dënuarit me orientime politike negative!”, Mahmuti e akuzon Kryeziun se gjatë qëndrimit në burgun e Pozharevcit kishte marrë vlerësime pozitive nga administrata si “i disiplinuar” dhe “bashkëpunues”.
Ai citon fragmente nga dokumente të ish-Ministrisë Federative të Drejtësisë së Jugosllavisë, të publikuara në vitin 2019 nga Instituti Albanologjik, të cilat sipas tij dëshmojnë sjellje të përshtatshme ndaj autoriteteve dhe mungesë solidariteti me të burgosurit e tjerë politikë shqiptarë.
Mahmuti përmend gjithashtu rastin e mbytjes së patriotit Ibrahim Kastrati në burgun e Pozharevcit, duke e akuzuar Kryeziun për heshtje dhe mospërfshirje në përpjekjet për të kërkuar drejtësi.

Në fund të reagimeve, Mahmuti thekson se ai dhe shokët e tij nuk kanë qenë pjesë e “regjimit jugosllav”, por pjesë e një brezi që ka luftuar për lirinë e Kosovës dhe kundër ndarjeve që, sipas tij, përfaqëson Kryeziu.
“Unë nuk kam asnjë respekt për kategorinë e pa kurrizorëve të sojit dhe sorollopit të Kadri Kryeziut,” përfundon Mahmuti në reagimin e tij të dytë.

Më poshtë i sjellim të plota të dy reagimet e Bardhyl Mahmutit:

MOS E VET SE TREGON VETË!

Në reagimin e titulluar “Patriotizmi dhe hajnia nuk futen në një thes”, Kadri Kryeziu më akuzon se gjoja paskam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”.

Le t’i shohim gjërat një nga një!

Në shkrimin tim të 30 shtatorit unë e hodha poshtë gënjeshtrën e Kadri Kryeziut se gjoja ai paska qenë i pari që “më 11 mars 1981 ka ‘BËRTITUR’ ‘Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë’".

Të gjithë pjesëmarrës e asaj proteste e dinë se më 11 marsit 1981 nuk është përmendur një kërkesë e tillë!

Të zhveshësh gënjeshtrën nuk është shpifje, por ndërgjegje intelektuale për të ndërprerë manipulimin me ata që nuk e dinë si kanë rrjedhur ngjarjet. Nëse dikush ka shpifur në këtë rast, është pikërisht Kadri Kryeziu, sepse ka përdorur fjalën përçmuese “BËRTITUR”, që përdornin komunistët jugosllavë të përkatësive të ndryshme etnike dhe instrumentet e UDB-së për të nënçmuar demonstruesit që BROHORISNIN fuqishëm pakënaqësitë e tyre.

Duke përdorur fjalët përçmuese të diskursit të komunistëve jugosllavë ndaj demonstratave të vitit 1981, Kadri Kryeziu tregon proveniencën e vet ideologjike. (Këtë çështjeje do ta trajtoj më poshtë).

Si çështje të dytë që përmenda në shkrimin e 30 shtatorit është fakti se gjatë qëndrimit në burg Kadri Kryeziu kishte të drejtë vizite të lirë në qytet, 12 orë në muaj, ndërkohë që shumica absolute e të burgosurve politikë kishin te drejtë në vizita familjarë të kontrolluara brenda burgut vetëm 30 minuta në muaj (6 orë në vjet).

Kadri Kryeziu nuk thotë asnjë fjalë të vetme, sepse e di fare mirë se për këtë fakt janë dëshmitarë të gjithë të burgosurit e tjerë shqiptarë që vuanin dënimin në Burgun e Qarkut në Shabac të Serbisë.

Kadri Kryeziu nuk thotë asnjë fjalë të vetme as për çështjen e tretë që përmenda në shkrimin e 30 shtatorit: përderisa një numër i të burgosurve politikë që nuk kishin lidhur kurorë pas martesës, nuk ua lejuan bashkëshortet t’u vinin t’i vizionin në sallat e mbikëqyrura nga gardianë dhe përkthyes, Kadri Kryeziu ishte i burgosuri i parë politik që e lëshuan nga burgu i Shabacit, të shkojë në Prizren dhe të martohet!

Në vend të akuzës se gjoja kam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”, Kadri Kryeziu duhet të tregojë konkretisht a ka pasur të drejtë vizite familjare të pambikëqyrur 12 orë në muaj, ndërkohë që unë dhe shokët e mi nga 30 minuta vizita të mbikëqyrura.

Në vend të akuzës se gjoja kam marrë “stafetën e shpifjeve kundër tij”, Kadri Kryeziu duhet të tregojë konkretisht a liruan nga burgu të martohej!

Nëse dikush ka shpifur për periudhën e qëndrimit në burg është pikërisht Kadri Kryeziu!

Në reagimin e tij të datës 18 tetor, ai shkruan: “Edhe pse dikur ishim të burgosur si DISIDENTË TË REGJIMIT JUGOSLLAV, me Bardhyl Mahmutin dhe sojin e tij — që përfshin burra të ligë në Kosovë e Maqedoni — unë i kam ndarë rrugët moti.”

Fjala DISIDENCË ka kuptimin e ndarjes nga diçka që ke qenë pjesë e saj qoftë në rrafshin politik, ideologjik, religjioz etj.

Unë dhe shokët e mi asnjëherë nuk kemi qenë pjesë e atij REGJIMI JUGOSLLAV, që territoret e shqiptarëve i copëtoi në tri republika, por kemi qenë të vetëdijshëm se jemi të pushtuar dhe duhet të mobilizohemi kundër regjimit pushtues dhe argatëve shqipfolës të këtij regjimi.

Unë dhe shokët e mi jo vetëm që nuk kemi qenë pjesë e atij REGJIMI JUGOSLLAV që Maqedonisë së sllavizuar ia dhuroi qendrën historike të Vilajetit të Kosovës, Shkupin, dhe qendrën historike të Vilajetit të Manastirit, Manastirin, por gjithmonë kemi luftuar kundër këtij regjimi dhe argatëve të sojit të Kadri Kryeziut që i kanë ndarë shqiptarët në shqiptarë të Serbisë, në shqiptarë të Maqedonisë dhe në shqiptarë të Malit të Zi.

Kadri Kryeziu duhet ta ketë të qartë një gjë: Nëse rastësisht na kanë transferuar në një burg, kjo nuk do të thotë se ne kemi pasur rrugë të përbashkët! Unë dhe shokët e mi asnjëherë nuk i kemi bashkuar rrugët me ata që qëndisnin goblena për gratë e gardianëve të burgut dhe këndonin këngën “Me gjergjef, lule tuj qendisë...”, prandaj as që kemi pasur nevojë t’i ndajmë rrugët me të!

Sa i përket “pangopësisë, llupësia dhe pisllëqeve” të njohim mirë. Pas përfundimit të luftës dhe pushimit të funksionimit të Qeverisë së Përkohshme, unë jam tërhequr nga skena politike. Unë nuk kam pranuar asnjë funksion që më është propozuar nga bashkëveprimtarët, ndërkohë që ty të njihnim nga larg si servil që doje të futeshe në prapanicë të çdo lideri, vetëm e vetëm për të nxjerrë ndonjë përfitim.

Në reagimin e Kadri Kryeziut ka vetëm një gjë të vërtetë: kur pohon se “Bardhyli më njeh mirë nga burgu. E di fort mirë sa larg mund të shkoj...”.

E njoh edhe pas burgut!

Kadri Kryeziu mund të shkojë vetëm aty ku i thonë patronët, për çejzin e të cilëve aktualisht është duke qëndisur goblenë!

KADRI KRYEZIU – “I BURGOSUR SHEMBULLOR QË NUK SOLIDARIZOHEJ ME TË DËNUARIT ME ORIENTIME POLITIKE NEGATIVE”!

Në reagimet ndaj gënjeshtrave të Kadri Kryeziut përmenda edhe rastin e mbytjes së atdhetarit Ibrahim Kastrati në qelinë e pavijonin famëkeq numër 7 të burgut “Zabela” në Pozharevac dhe përpjekjeve të drejtorisë së këtij burgu që ta prezantojnë si “vetëvrasje”. Të burgosurit politikë shqiptarë ndërmorën një sërë veprimesh që përmes letrave dhe formave të tjera të shprehnin mospajtimet e tyre për fshehjen e krimit. Kadri Kryeziu jo vetëm që nuk u solidarizua me të burgosurit e tjerë shqiptarë, por vazhdoi të kërkonte privilegjet personale.

Atyre që i besuan Kadri Kryeziut që më akuzon se gjoja “kam marrë stafetën e shpifjeve kundër tij”, u sugjeroj të lexojnë dokumentet sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe Administratës, të publikuar në vitin 2019 nga Instituti Albanologjik. Në faqen 182–182 të kësaj përmbledhjeje dokumentesh do të gjeni raportin që drejtoria e Institucionit Ndëshkues Korrektues të Pozharevacit dërgon për Kadri Kryeziun.

Në këtë raport, ndër të tjera thuhet:

“(...) Në periudhën e kaluar, i dënuari Ka treguar sjellje shembullore. Shprehitë e punës i ka të formuara në mënyrë solide, ndaj në përmbushjen e detyrave të punës nuk k pasur asnjë problem. Për shkak të këtyre qëndrimeve ndaj vuajtjes së dënimit, i dënuari është bërë përfitues i vizitave jashtë institucionit. Besimin e dhënë e arsyeton (...)

Veprën penale e ka kryer duke qenë student i vitit të katërt në Fakultetin Juridik. Të njëjtën vepër e pranon, por përpiqet t’i jep tjetër kualifikim. Thotë se aktivitetet e tij në Universitetin e Prishtinës nuk kanë pasur prapavijë politike dhe as armiqësore. Thotë se esenca e protestave të tij ka qenë e natyrës ekonomike. Dënimin e konsideron si shumë të ashpër, por është i gatshëm që në mënyrë të disiplinuar ta mbajë. Gjatë qëndrimit të tij në institucion, i dënuari nuk ka shfaqur as dëshirë dhe as gatishmëri që të solidarizohet apo të shoqërohet me të dënuarit me orientime politike negative nga radhët e kombësisë së tij (...)”.

Do të kisha dëshiruar të shihja raportin edhe nga burgu i Shabacit!

Në fund po ju drejtohem publikisht Sylë Mujës, Xun Çetës dhe miqve të shumtë që më kanë sugjeruar të gjejmë forma tjera të sqarimit të këtyre çështjeve:

Të dashur miq,

Unë mendoj se gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë, publikisht, dhe për çdonjërin prej nesh, sepse jetojmë në një kohë ku lloj–lloj tredhakut politik i është lënë hapësira të livadhisë si hamshor!

Unë nuk kam asnjë respekt për kategorinë e pa kurrizorëve të sojit dhe sorollopit të Kadri Kryeziut, prandaj kam reaguar publikisht kur është përpjekur të shpërndajë gënjeshtra. Ju faleminderit për sugjerimet e juaja.

Me respekt

Bardhyli

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat