Analiza është një kontroll sistematik (nga greqishtja analysis), me ç’rast objekti i kontrolluar shpërbëhet në pjesët përbërëse elementare të tij.
Këto elemente më pas përfshihen në kriteret themelore dhe në fund, pasi të jenë kontrolluar e vlerësuar, renditen sipas rregullit përkatës.
Sidomos duhet të vihen re marrëdhëniet dhe ndikimet, shpeshherë edhe ndërvarësia ndërmjet elementeve.
E kundërta e analizës është sinteza, që do të thotë bashkimi i elementeve në një tërësi ose sistem.
Në literaturën e specializuar, analiza përkufizohet si:
“Ndarja e qëllimshme e një të tëre në pjesët e saj dhe shqyrtimi i pjesëve në lidhje me të tërën.”
Fatkeqësisht, një dukuri shumë negative, vitet e fundit po dominon në të gjitha kanalet tona televizive (dhe jo vetëm) në shtetin tonë, Kosovë–Dardani, madje edhe më gjerë në mbarë shqiptarinë.
Të gjithë “llafazanët”, ku janë e ku s’janë, kanë marrë hov dhe nuk po dinë të ndalen, duke llomotitur kundër formimit të qeverisë së shtetit tonë – njësoj si vite më parë, kur Kosova jonë, përkatësisht formimi i qeverisë pas shpalljes së pavarësisë, bllokohej dhe stagnonte radhazi.
Pse? – STATUS QUO?!
Sepse Lista Serbe, me anëtarët e saj të tipit apo të llojit të shumicës që tani janë në opozitë, kategorikisht e bllokonte formimin e qeverisë!
Me ç’rast, në mënyrë të shpejtë, iniciativat “nga jashtë”, që mezi prisnin të reagonin si “motor makine”, kinse për “zgjidhje të ngërçit politik”, mblidheshin në takimet e tyre të “honoraruara” me taksa dhe pagesa nga djersa e krahut të popullit – një popull në shumicë të varfër në vendlindjen tonë.
Pothuajse në të gjitha skenat mediatike shqiptare shihet se shumica e “analistëve vullnetarë” (fatmirësisht jo të gjithë!) duken sikur janë të inkuadruar në “fabrikat e prodhimtarisë tradhtare”.
Kjo do të thotë se, po të ishin ato fabrika të natyrës ekonomike, Kosova do ta kishte zgjidhur prej kohësh problemin e papunësisë së një pjese të madhe të popullsisë sonë, që tashmë dihet se jeton në kushte tepër të vështira sociale dhe ekonomike.
Por ja që s’kemi ç’të bëjmë, sepse opozitarët aktualë e kanë humbur çdo lidhje – veçanërisht lidhjen njëgjakore shqiptare!
Të nderuar lexuese e lexues të gazetës Bota Sot, kohëve të fundit më ka bërë përshtypje e madhe, e madje edhe habitem se si asnjë nga analistët tanë shqiptarë nuk po e merr mundimin të analizojë gjendjen politike në Serbi – zanafilla e së cilës nis nga data 1.11.2024.
Në atë datë, me rastin e shembjes së kulmit të stacionit të autobusëve në ndërtim e sipër në kryeqytetin e Krahinës Autonome të Vojvodinës (në Serbi), shpërthyen demonstratat kryesisht të studentëve (kinse kundër korrupsionit të qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq), të cilat ende nuk janë ndalur.
Pra, kundër Aleksandar Vuçiqit – ish “klyshit” të Sllobodan Millosheviqit – po zhvillohen protesta të vazhdueshme, e megjithatë, asnjë nga analistët tanë në Kosovë–Dardani nuk po e hap gojën!
“Qele gojën, nëse ke prapamasë në bythë!” – thotë populli.
Andaj, çudia ime po më qetësohet vetëm me faktin se analistët në fjalë, për çështje që kanë të bëjnë me politikën jashtë shtetit tonë – sidomos me analizat për gjendjen faktike politike në Serbi – veprojnë sipas modusit:
“Qingji i çarshisë, djalli i shtëpisë.”
Po ashtu, edhe gishti tregues i analistëve në fjalë, i pozicionuar nga vetë ata në “prapamasë”, duket se vazhdimisht u jep sinjal me alarm të kuq:
“Frika ka lindur para trimërisë.”
Nga ky sinjal, automatikisht funksionalizohet proverbi popullor:
“Luje, nëse mundesh, macën nga bishti i buallit!”
Në fund, po e citoj një thënie të Mahatma Gandit:
“E ardhmja varet nga ajo që ti bën sot.”
P.S.
Demonstratat e studentëve në Serbi, përkatësisht trazirat atje (sipas mendimit tim personal), kanë më shumë të bëjnë me kërkesat e vonuara të popullit për “Vojvodinën Republikë”.
Një veprim i vonuar i “kalljes së trurit të tyre” – siç do të thoshin vetë serbët.
Poshtë tradhtarët!
Zoti e bekoftë shtetin tonë Kosovë–Dardani! 🙏
Sabahate Byci, autore
01.11.2025, e diel, ora 17:11