Maqedonia e Veriut në buzë të greminës evropiane: si stagnimi politik dhe loja e Mickoskit po e kthejnë vendin pas në kohë

Opinione

Maqedonia e Veriut në buzë të greminës evropiane: si stagnimi politik dhe loja e Mickoskit po e kthejnë vendin pas në kohë

Nga: Qani Shabani Më: 7 nëntor 2025 Në ora: 10:53
Autori Qani Shabani

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, vendi përshkruhet si një shtet që ndodhet në një udhëkryq mes reformës së premtuar dhe stagnimit të rrezikshëm. Maqdonia e veriut ka ngecje në sundimin e ligjit, drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe po e errëson imazhin e aajë si “historia e suksesit të Ballkanit”.

Reformat në drejtësi kanë mbetur në një fazë të brishtë. Struktura të reja janë ngritur, por pavarësia dhe profesionalizmi i trupës gjyqësore mbeten të kufizuara. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, që reduktuan dënimet për korrupsionin e lartë, u kritikuan si regres serioz nga Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare. Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë shpesh mbyllen pa rezultate, duke krijuar perceptimin se ligji zbatohet në mënyrë selektive dhe të ndikuar politikisht.

Në administratë dhe ekonomi, Maqedonia e Veriut ka bërë disa hapa pozitivë në digjitalizimin e shërbimeve publike, por administrata mbetet thellësisht e politizuar. Ekonomia është e qëndrueshme, por pa reforma të thella strukturore për tërheqje investimesh, rritje konkurruese dhe ulje të korrupsionit ekonomik.

Raporti e vlerëson si zhvillim pozitiv ruajtjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por paralajmëron për rikthimin e retorikës ndarëse, sidomos në periudha zgjedhore. Përfshirja e shqiptarëve në institucione shihet si element stabilizues, por tensionet politike mes partive po dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.

Çështja më e ndjeshme mbetet bllokimi i ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve si pakicë. Kjo ka bllokuar hapjen e kapitujve negociues me Bashkimin Evropian dhe ka shkaktuar zhgënjim të madh te qytetarët. Komisioni Evropian kërkon kompromis politik për të shmangur ngrirjen e procesit të anëtarësimit, ndërsa opozita e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po përdor këtë çështje për të forcuar pozitat e saj në prag të zgjedhjeve. Retorika e tij nacionaliste dhe refuzimi për të mbështetur ndryshimet kushtetuese po e thellojnë krizën politike dhe po e vendosin vendin përballë një bllokade institucionale të rrezikshme.

Në raport vlerësohet se Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë të pluralizmit mediatik, por ndikimi politik në media dhe mungesa e transparencës në financim mbeten problem serioz. Shoqëria civile është aktive, por shpesh instrumentalizohet nga partitë në pushtet dhe opozitë.

Komisioni Evropian e cilëson Maqedoninë e Veriut si një nga vendet më të përgatitura teknikisht për anëtarësim në BE, por politikisht më të bllokuara. Nëse nuk arrihet konsensus për reformat kushtetuese dhe nuk rikthehet vullneti i sinqertë politik për sundimin e ligjit, vendi rrezikon ta humbasë momentumin historik të integrimit.

Maqedonia e Veriut ndodhet sot në një pikë delikate: ka kapacitetin për të ecur drejt Evropës, por mungesa e besimit mes forcave politike, polarizimi dhe retorika populiste po e frenojnë rrugëtimin. Nëse elitat nuk arrijnë ta kthejnë energjinë e reformës në veprim konkret, vendi mund të mbetet për një kohë të gjatë në stanjacion – mes premtimeve të pambajtura dhe një realiteti politik që prodhon gjithnjë e më shumë zhgënjim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat