Më në fund zgjedhje. Më 28 dhjetor Kosova do të votojë sërish për një parlament të ri. Këtë e dëshiroi me shumë këmbëngulje ish-opozita e Lum(l)it, ajo e Lushtakut dhe vetë Ramush Haradinaj. Ky i fundit duhet ta ketë pranuar këtë opsion me zemër të thyer, por sërish do të jetë më fitues sesa në zgjedhjet e kaluara, nëse nuk bashkohet më me Fatmir Limajn. Fatmiri, nga ana e tij, i humbi përfundimisht tri mandatet që ia fali Ramushi. Por jo për faj të Ramushit, por për tamahen e madh që pati ai, duke tentuar që me tri vota në parlament të bëhej numri dy i shtetit.
Tani këta ish-opozitarë janë në tapet. Më 28 dhjetor do të duket se cila është forca e tyre. Ndërkaq ish-mazhoranca, VV dhe Lëvizja Guxo, kanë mundur të ruajnë qetësinë dhe durimin përballë obstruksioneve të ish-opozitës së përçarë. Nëse ish-opozitarët duan ta mundin Albin Kurtin, ata detyrimisht do të duhet të krijojnë një koalicion parazgjedhor. Kjo mund t’i bëjë parti fituese, sigurisht jo absolute, të zgjedhjeve të ardhshme. Pastaj, me ndihmën e Listës Srpska, mund ta krijojnë qeverinë e re. Në fund të fundit, nuk është hera e parë që LDK dhe PDK bashkëpunojnë me Listën Srpska. Po me Listën Srpska mund edhe ta zgjedhin presidentin e ri. Natyrisht, qeveri dhe president të emëruar nga Beogradi!
Nejse! Kosova do të zgjedhë sërish parlamentin e ri të saj. Duket qartë se kushtet kanë ndryshuar. Ardhja deri te zgjedhjet e reja nuk ishte vetëm vullnet i ish-partive opozitare. Një pjesë e aleatëve të Kosovës kanë kontributet e tyre për këtë situatë. Duke mos e dashur Albin Kurtin në krye të qeverisë, këta aleatë ushtruan presion mbi partitë shqiptare që të mos bashkëpunojnë me fituesin dhe sollën situatën e sotme në vend. Shumë deputetë të PDK-së, LDK-së e madje edhe të AAK-së do të donin të ishin të gatshëm të bashkëpunonin me Vetëvendosjen dhe Listën GUXO për krijimin e institucioneve. Por presioni ishte shumë i madh. Nuk mundën ta kapërcenin gardhin e subjektit politik ku ata bëjnë pjesë.
Tani duhet të përballen me votuesin. E çfarë mund të sjellin zgjedhjet e 28 dhjetorit? Më duhet të them se intuita politike e votuesve në Kosovë është shumë e zhvilluar. Këta zgjedhës i shohin zgjedhjet si tregues të identitetit, personalitetit dhe dinjitetit të tyre. Ata nuk ndikohen nga dogmat, mashtrimet, parullat dhe sloganet e partive politike. Nëse shohin se zgjidhjet politike diktohen nga jashtë, qoftë edhe prej aleatëve dhe miqve të Kosovës, kosovarët vihen në kërkim të integritetit të vetes dhe të shtetit të tyre. Në këtë kuptim, data 28 dhjetor 2025 do të jetë edhe dita e integritetit, dinjitetit dhe stabilitetit të institucioneve.
Në këtë vendim të votuesve ata do të dëshmojnë se Kosova ka nevojë për një mazhorancë që mund të krijojë institucione të qëndrueshme. Nëse partitë e ish-opozitës krijojnë koalicion parazgjedhor, mundet që këtë obligim votuesi t’ua besojë atyre. Nëse jo, atëherë është koalicioni Vetëvendosje–Guxo dhe Alternativa ai që do ta marrë këtë rol. Votimi i 9 shkurtit të këtij viti prodhoi një rezultat bllokues për formimin e institucioneve. Votimi i 28 dhjetorit duhet me domosdo ta evitojë këtë rezultat. Pjekuria politike dhe përgjegjësia për interesat e Kosovës janë dy asetet që e mbajnë gjallë elektoratin kosovar. Për këtë arsye, qytetarët do të krijojnë mazhorancë të qëndrueshme. Madje të tillë që të jetë e aftë të vendosë për fatin e institucioneve deri te ai i zgjedhjes së presidentit në marsin e vitit të ardhshëm.
Nëse qytetarët e Kosovës do të donin ta kishin Vjosa Osmanin si presidente të Republikës, atëherë ata do të motivohen që të votojnë ato parti që janë të gatshme ta votojnë atë edhe për një mandat të dytë. Ndaj, zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë e nuk mund të jenë thjesht zgjedhje për të dhënë mandat për formimin e qeverisë dhe strukturave të parlamentit. Ato zgjedhje janë obligim për të dhënë verdiktin për t’i dhënë jetë edhe zgjedhjes së kreut të shtetit. Nëse ndodh kjo, pra nëse vota do të shkojë edhe për këtë zgjedhje, atëherë votuesit e Kosovës, elektorati i saj, do të shmangë çdo lloj krize të mundshme të ardhshme.
Por, për të arritur në këtë rezultat, duhet kuptuar se nuk ndodh në asnjë vend të botës demokratike që të gjithë opozitarët ose ish-opozitarët të bëhen bashkë kundër krijimit të qeverisë dhe institucioneve, edhe në rastin kur ata nuk i kanë numrat për ta realizuar vetë këtë proces. Në vlerësimin tim, është hera e parë që ndodh ky fenomen, i cili mund të shërbejë edhe si rast studimor në fushën e politologjisë. Ndodh që forcat opozitare të mos jenë të gatshme të bashkëqeverisin me partinë fituese, por vetëm kur ato kanë ndërtuar skemën që ta marrin vetë këtë rol. Ky nuk ishte rasti i ish-opozitës së Kosovës, pra i partive PDK, LDK dhe AAK. Atëherë përgjegjësia kryesore bie mbi to. Kjo përgjegjësi duhet dhe do t’u takojë këtyre partive, të cilat nuk pranuan asnjë lloj përgjegjësie për të shmangur zgjedhjet e parakohshme!