Diaspora dhe vota – Si të analizohen rezultatet e zgjedhjeve, sidomos të diasporës!

Opinione

Diaspora dhe vota – Si të analizohen rezultatet e zgjedhjeve, sidomos të diasporës!

Nga: Hafir Hoxha Më: 3 janar 2026 Në ora: 12:12
Hafir Hoxha

Pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, po shohim akuza ndaj diasporës me tezën:
“Erdhën, na e zgjodhën qeverinë dhe u kthyen në Perëndim, ndërsa ne mbetëm këtu në errësirë” — sikur diaspora prodhon rrymë apo udhëheq shtetin!

Kjo qasje është e gabuar dhe e padrejtë ndaj diasporës. Këto përçarje janë të gabuara, të panevojshme dhe të tepruara, mendoj unë.

Edhe sikur të anuloheshin të gjitha votat e diasporës, renditja e partive politike do të ishte e njëjtë, dhe VV do të ishte sërish forca e parë me diferencë të madhe.

Pra, as fitorja dhe as humbja nuk varen nga diaspora.

Problemi nuk është pse diaspora voton për VV-në, por pse disa parti nuk arrijnë ta bindin diasporën. Këtu duhet të mendojnë partitë e tjera.

Diaspora jeton në shtete funksionale, ku:

ligji vlen për të gjithë;

puna dhe aftësia vlerësohen;

taksat paguhen, por kthehen në shërbime;

korrupsioni ndëshkohet.

Kështu, diaspora dëshiron që edhe Kosova të bëhet e tillë dhe voton për partinë që synon të arrijë këtë.

Prandaj ajo voton për shtet funksional, barazi, drejtësi dhe për partinë që lufton korrupsionin.

Ndërsa në Kosovë, shumë qytetarë votojnë nën presionin e nevojës së menjëhershme, premtimeve afatshkurtra dhe pasigurisë sociale. Kjo nuk është faj i tyre, por pasojë e realitetit.

Diaspora nuk është e shkëputur nga Kosova — ajo është thjesht më e lirë nga presionet lokale dhe klientelizmi. Në vend të akuzave, partitë duhet të pyesin veten:
Pse diaspora nuk na votoi neve?

Duke gjetur arsyet, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje ndihmon demokracinë, jo përçarjen. Partitë do të zhvillonin garë me koncepte dhe programe më pro-perëndimore.

Diaspora nuk voton kundër Kosovës — ajo voton për një Kosovë që të bëhet si shtetet ku jeton në Perëndim.

Tani, PDK, LDK dhe AAK duhet të hulumtojnë shkaqet dhe arsyet pse nuk u votuan nga qytetarët ashtu si prisnin, pse diaspora nuk iu dha votë, ku qëndron defekti. Ata duhet të bëjnë analiza të thella dhe të ndërmarrin masat e duhura për reforma në planet dhe programet e tyre, në vend që të ankohen dhe të shajnë diasporën, duke dëgjuar disa analistë që në paraqitjet e tyre duken si mbrojtës të partive, por në realitet vetëm i dëmtojnë ato, veçanërisht në raport me diasporën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat