Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e dënoi sulmin amerikan në Venezuelë, si dhe arrestimin e presidentit të saj, Nikolas Maduro. Tha se ai e dënon përdorimin e forcës në shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe foli më pas për “rrezikun” që paraqet armatosja e Kosovës. Akuzoi për këtë Republikën e Turqisë. Denoncoi gjithashtu marrëveshjen ushtarake midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, marrëveshje të cilën ai e etiketon si aleancë për t’i dhënë kuptimin armiqësor ndaj Serbisë.
Ndërsa Edi Rama heshti. Ai çdo të diel ose të shtunë përdor podkastin e tij për propagandë, si dhe për të shfryrë inatin e tij me kundërshtarët politikë dhe medien që nuk i bindet. Por kësaj fundjave nuk foli, nuk u pa, nuk u ndje! Arrestimi i Maduros e ka tmerruar Ramaduron, ashtu si vëllain binjak të tij në Beograd, Aleksanër Vuçiq. Në fakt nga Donald Trump pas asaj që ndodhi të shtunën në Venezuelë duhet të kenë frikë edhe ata liderë që nuk janë zhytur thellë në korrupsion dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar apo organizatat mafioze. Rama dhe Vuçiq janë zhytur deri te buza me këto akte kriminale dhe kanë cenuar rëndë interesat amerikane.
Rama dhe Vuçiq për më shumë se pesë vite e patën akuzuar Albin Kutin si antiamerikan. Ndërkohë që këta liderë të bërë pis nga këmbët te koka, donin të hiqeshin si njerëzit e Amerikës në Ballkan. Por Amerika pa se Kurti është e kundërta e Ramës dhe Vuçiq. Prandaj dhe e rehabilitoi kryeministrin e Kosovës. U bind se kreu i ekzekutivit të Kosovës ishte i sinqertë me amerikanët edhe kur i kundërshtonte ata. Ndërsa Sandri dhe Edi ishin dhe mbeten mashtruesit më të mëdhenj. Gjithkush duhet të kuptojë se në perëndim (SHBA dhe Europë) të falin çdo gabim, çdo kundërshti, por jo mashtrimin, gënjeshtrën dhe lojën me shumë porta.
Megjithatë le të kthehemi te teza e Vuçiq për atë që ai e quan “mosrespektim të ligjit dhe rendit ndërkombëtar”! Në rastin e Kosovës nuk ka e nuk mund të flitet me këtë narrativë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë erdhën dy vite pasi ishte krijuar Grupi i Kontaktit për Kosovën dhe katër rezolutave të KS të OKB-së, të cilat ishin produkt i vullnetit të këtij Grupi Kontakti, ku bënte pjesë edhe Rusia. Në njërën prej këtyre rezolutave, atë të 30 shtatorit 1999 me numër 1190, thuhet se “Konflikti në Kosovë rrezikon të zgjerohet në rajon dhe gjithashtu edhe katastrofë humanitare”! Dhe për këtë kjo rezolutë fajëson krejtësisht e plotësisht regjimin e Milosheviçit, pra të Serbisë, në të cilën Vuçiq ishte ministër i Informacionit. Kjo do të thotë se Këshilli i Sigurimit kishte konfirmuar faktin se Serbia po bënte krime kundër njerëzimit në Kosovë. Kapitulli VII i Kartës së OKB-së parashikon ndërhyrjen me forcë pikërisht në rastet kur bëhen spastrime etnike dhe konflikti rrezikon një katastrofë humanitare e të zgjerohet. Ndërhyrja me forcë do të thoshte respektim i vullnetit të viktimave të Serbisë së Milosheviçit e të Vuçiq në Kosovë, vetëvendosjen e tyre. Këtë vetëvendosje (pavarësinë) e konfirmoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krime në ish-Jugosllavi, kur dënoi liderët kryesorë të Serbisë për këto krime çnjerëzore kundër shqiptarëve në Kosovë. E konfirmoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj të datës 22 korrik 2010, kur tha se “Pavarësia e Kosovës është e bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”!
Më tej akoma! Për Kosovën kanë udhëtuar më shumë diplomatë se kurrë më parë nga kryeqytet e Perëndimit drejt Beogradit. Êshtë konsumuar diplomaci preventive, sa për asnjë konflikt tjetër në botë. As për Ukrainën nuk ka intensitet diplomatik si në rastin e Kosovës. Kur diplomacia nuk funksionon, atëherë është rregull ndërkombëtar i drejtësisë që të funksionojë forca. Dhe kjo ndodhi, jo për të shkelur ligjin dhe rendin ndërkombëtar, por për të ndaluar dhunën e gjenocidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë. Që do të thotë se ky popull kishte të drejtën ta vendoste vetë fatin e vet. Për shkak se shteti në të cilin shqiptarët jetuan kreu gjenocide të vazhdueshme kundër tyre, madje të programuara nga akademia e shkencave dhe shtabi i përgjithshëm i ushtrisë serbe. Shkurt nga krerët e politikës serbe. Kjo legjitimoi pavarësinë e Kosovës.
Së treti, rezoluta 1244 nuk u kapërcye sot me armatosjen e Kosovës, siç thotë Sanduro, por që në momentin kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Madje edhe më parë, nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, ajo ishte e pavarur nga Serbia, por jo e njohur ndërkombëtarisht. Ato 122 vende të botës që deri sot e kanë njohur shtetin e Kosovës janë bazuar të gjitha në të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë akt kanë nxjerrë jashtë skemës së veprimit rezolutën 1244, përveçse pjesës që i takon mandatit të NATO-s. Ajo rezolutë parashikonte UNMIK-un, por UNMIK nuk ka më në Kosovë, edhe pse disa nëpunës pro-serbë të këtij mekanizmi sillen vërdallë në veri të vendit.
E fundit, vetë Rezoluta 1244 e nxjerr Kosovën nga sovraniteti serb dhe e përcakton si njësi të barabartë me Serbinë në një federatë jugosllave. Por federata nuk ekzistonte kur u shpall pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Malit të Zi në korrik 2006 e zhbëri federatën e III jugosllave. Kësisoj mbetej opsioni pavarësisë dhe i shtetësisë së Kosovës. Edhe nëse do ishte pjesë e një federate, ajo do t’i kishte të gjitha atributet e shtetit. Ndaj ajo shtetin e garantoi përmes shpalljes së mëvetësisë së saj.
E drejta ndërkombëtare do të shkelej e nuk do të respektohej nëse Kosova do mbetej pjesë e shtetit serb, i cili është sjell barabarisht me banorët e saj vetëm se ata nuk ishin e nuk janë të të njëjtës kulturë, gjuhe dhe etnie, si edhe serbët. Serbët kurrë nuk i deshën shqiptarët si pjesë të shtetit serb. Atëherë pse do të duhej që ata të vendosnin për të qenë pjesë i këtij shteti gjenocidist kundër tyre? Ligji ndërkombëtar dënon ashpër gjenocidin dhe praktikisht e ka dënuar gjenoocidin serb në Kosovë. Ndërkaq të dyja nuk shkojnë: - Edhe ta dënosh gjenocidin e Serbisë kundër banorëve të Kosovës, edhe ta shpërblesh Serbinë me territoret e Kosovës! Nëse ka kohë, Vuçiq duhet ta pranojë këtë realitet! Sa më shpejt, aq më mirë për të. Vetëm njohja e Kosovës mund t’ia shtojë ndonjë javë apo muaj në pushtet!