Përballë Floridës, me Kubën në mes dhe nja 12–13 shtete të Karaibeve si Guatemala, Nicaragua, Bahamas, Costa Rica, Honduras, Haiti, El Salvador, Trinidad Tobago, Panama, Rep. Domenikane, Belize etj., ndodhet Venezuela.
Pas vdekjes së H. Chavez, të njohur si antiamerikan dhe që kujtohet vazhdimisht për shprehjen “ti je një djall” që i tha presidentit G. W. Bush në OKB, në krye të vendit erdhi 13 vjet më parë, me dhunë, vjedhje e blerje votash, si dhe me ndihmën e Kinës, Rusisë e Iranit… Nicolas Maduro… një shofer autobusi me profesion e më pas edhe një punonjës sigurie në sistemin e drejtësisë etj.
Që prej ardhjes së tij në pushtet, Venezuela u kthye ditë pas dite në një shqetësim e problem serioz dhe një kërcënim real për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Ajo u shndërrua në qendër dhe sponsore të terrorizmit botëror.
Aty dhe nën pëlqimin e mbrojtjen e Maduros vepronin lirisht Hamasi dhe Hezbollahu, kryeorganizatat terroriste kriminale botërore.
Aty kishin rezidencat e tyre spiunazhi rus, kinez e iranian.
Aty zhvillohej tregtia më e madhe ilegale botërore e armëve.
Prej Venezuelës niseshin rregullisht e pa ndërprerje tufa ilegale emigrantësh që më pas përplaseshin në kufijtë e SHBA-së.
Aty ishte qendra botërore e prodhimit, kultivimit dhe shpërndarjes së drogës, që e mbyti dhe e helmoi Amerikën të parën.
Aty, në atë vend ku Maduro në mënyrë flagrante dhunoi dhe vodhi zgjedhjet e fundit për të vazhduar të qëndronte ende në pushtet, antiamerikanizmi ishte kthyer në A-në e ditës.
Miqtë më të ngushtë të Maduros, jo rastësisht, ishin Putini, Xi, Ajatollahu, Lukashenko, K. Yong Un, Vuçiçi, madje edhe imituesi i tij banal në Tiranë – Ramaduro.
Maduro futi Kinën kudo e në çdo pëllëmbë të Venezuelës… “partneren” e rivalen, por edhe armiken kryesore politike dhe ekonomike të Amerikës.
Kina kontrollonte 80% të naftës së këtij vendi nën hundën e Amerikës.
Kina ishte sponsorja kryesore e mbajtjes së Maduros dhunshëm në pushtet.
Kina ishte partneri nr. 1 tregtar e politik i Maduros.
Kina ishte furnizuesja kryesore ushtarake e Venezuelës.
Maduro iu la hapësirë pa kufij nëndetëseve bërthamore ruse dhe anijeve ushtarake të Moskës të ankoroheshin sa herë të donin e si të donin në portet venezueliane, gjithnjë duke iu bërë haptazi karshillëk amerikanëve dhe duke qenë vërtet rrezik i shtuar për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Thënë me shqip, Maduro dhe Venezuela e tij ua sollën amerikanëve rusin, kinezin, hezbollahun, hamasin dhe iranianin te dera e shtëpisë…
Dhe ju, “naivët e mbrojtësit e paqes”, gjeni kurajë e guxim të mbroni sot Maduron dhe Venezuelën e tij të kriminalizuar kokë e këmbë…
Dhe, sipas jush, Amerika duhej të rrinte duarkryq e të bënte sehir për gjithçka që luhej kundër saj dhe përpara fytyrës së saj… Trump duhej të mbyllte gojën e të ulte kokën kur një copë shoferi autobuzi e fyente publikisht dhe e etiketonte frikacak…
Ndërkohë që Maduro zhvillonte manovra ushtarake të përbashkëta me Rusinë e Kinën, madje fare pranë brigjeve amerikane, dhe gjente edhe guximin e çmendur të kërcënonte Trumpin dhe Amerikën e tij, njëjtë siç bënin në kohën e tyre edhe Sadami e Gadafi.
Maduro u lidh ngushtë me qeverinë terroriste të Teheranit dhe e ktheu Venezuelën në shtëpi pritjeje të terrorizmit botëror.
I ftoi iranianët për manovra ushtarake të përbashkëta veçmas gjatë luftës së tyre me Izraelin, sikurse bëri të njëjtën gjë në mënyrë demonstrative me Kinën.
Jeta në Venezuelë, në krye të së cilës me mbështetjen e fuqishme ruso-kino-iraniane qëndronte në pushtet Maduro, ishte bërë një ferr i vërtetë në të gjitha aspektet për venezuelianët e varfër e të poshtëruar, edhe pse shteti dhe vendi i tyre ishte e është ndër vendet më të pasura në botë… mjafton fakti që Venezuela mban vendin e parë në botë për rezervat e naftës, me 330 miliardë fuçi nafte dhe… no comment.
E pra, janë të gjitha këto së bashku që e detyruan Amerikën dhe presidentin e saj Trump që të vepronin ashtu siç vepruan ndaj Venezuelës së Maduros, aq më shumë kur në mes është cenimi serioz i sigurisë kombëtare të SHBA-së, e pastaj vjen edhe nafta, siç po përpiqen ta banalizojnë të gjithë ata që po i dalin në krah diktatorit dhe terroristit Maduro.
Sa fort u shqetësuan me këtë rast Pekini, Moska e Teherani, por edhe disa të tjerë që po përmendin prishjen e rendit botëror, OKB-në, forcën e të madhit ndaj të voglit, shkeljen e normave ndërkombëtare, po dënojnë “agresionin” amerikan, mënyrën flagrante (sipas tyre) se si amerikanët e zunë dhe e prunë përpara drejtësisë së tyre Maduron etj., etj.
Por historia mes SHBA-së dhe Venezuelës, si në kohën e Chavez-it e veçmas të periudhës Maduro, është krejt ndryshe dhe shumë herë më e thellë në raport me sa thuhet, ndaj dhe duhet thënë e tëra saktësisht ashtu siç është…
Është një histori antiamerikane me qendër në Karakas, por e sponsorizuar nga rivalët dhe armiqtë e egër politikë, ekonomikë, ushtarakë e gjeostrategjikë të Amerikës, të cilëve u ra si rrufe në qiell të hapur ajo që me të drejtë Amerika dhe presidenti Trump u detyruan të bëjnë ndaj Venezuelës dhe Maduros.
Dhe nëse këta që përmenda më sipër po e dënojnë publikisht këtë “agresion” që Amerika bëri, në rrugët dhe sheshet e Venezuelës populli po feston rënien e një diktatori dhe çlirimin e tij prej terrorizmit ndërkombëtar.
Me terroristët duhet të sillesh si terrorist.