Kur një individ që quhet “gazetar” apo “analist” del publikisht dhe kërkon prerjen e kokës së Presidentes së Republikës, nuk kemi më të bëjmë me debat politik, por me një akt të hapur dhune verbale që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues. Kjo nuk është metaforë, nuk është satirë, nuk është kritikë, por është thirrje për eliminim fizik të kreut të shtetit.
Në çdo shtet demokratik, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe vazhdimësinë e rendit kushtetues. Sulmi verbal ndaj këtij institucioni me gjuhë si prerje koke,nuk është vetëm fyerje morale, por cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë publike dhe i stabilitetit institucional. Kushtetuta nuk mbron individin si person privat, por funksionin si shtyllë e rendit juridik.
Nga këndvështrimi penal, thirrjet publike për dhunë përbëjnë elemente të veprave penale që lidhen me nxitjen e urrejtjes, kërcënimin serioz dhe nxitjen për veprime të dhunshme. Liria e shprehjes, sipas standardeve kushtetuese dhe jurisprudencës evropiane, përfundon aty ku fillon rreziku real për jetën, sigurinë dhe rendin publik. Nuk ka asnjë doktrinë juridike që mbron thirrjen për vrasje si “opinion”.
Këtu lind pyetja? Si ka mundësi që një thirrje e tillë kalon në hapësirën publike pa reagim institucional proporcional? Sepse shteti ligjor nuk matet vetëm me gjykata dhe kode, por me aftësinë për të mbrojtur vijat e kuqe të diskursit publik para se dhuna të dalë nga fjala në rrugë.
Hannah Arendt na mëson se normalizimi i së keqes fillon kur aktet e papranueshme trajtohen si të zakonshme. Kur thirrja për gijotinë kthehet në lajm, në debat, në “opinione të ndara”, atëherë shoqëria ka filluar ta humbë refleksin moral për ta dalluar të drejtën nga e rrezikshmja.
Kant do ta konsideronte këtë gjuhë shkatërrim të vetë parimit të dinjitetit njerëzor. Sepse njeriu, edhe kur është figurë publike, nuk pushon së qeni subjekt moral. Ta shndërrosh në objekt për ekzekutim simbolik është mohim i vetë etikës racionale mbi të cilën ndërtohet shteti modern.
Ndërsa Hobbes do të paralajmëronte se aty ku respektohet më shumë instinkti i turmës sesa ligji, shoqëria rrëshqet drejt gjendjes së konfliktit të përhershëm. Shteti nuk shembet nga një fjali, por nga akumulimi i delegjitimimit, talljes dhe dehumanizimit të autoritetit institucional.
Dhe tani të jem i qartë. Kjo nuk është gazetari kritike e më së paku analizë politike. Nuk është as liri fjale.
Kjo është, mendoj,radikalizim i diskursit publik, që krijon klimë armiqësore dhe rrezikon të prodhojë dhunë reale. Historia jonë e afërt e di shumë mirë se si fillon kjo spirale dhe si përfundon.
Por përgjegjësia nuk është vetëm individuale. Mediat që e transmetojnë, portalet që e riprodhojnë dhe publiku që e konsumon pa reagim janë pjesë e të njëjtit zinxhir banalizimi të dhunës. Kur barbaria shpërblehet me vëmendje, ajo shumëfishohet.
Mbrojtja e dinjitetit të Presidentes nuk është mbrojtje e një personi, por mbrojtje e Kushtetutës, e rendit juridik dhe e vetë idesë së shtetit. Sepse sot lejohet gjuha e gijotinës ndaj kreut të shtetit; nesër do të jetë ndaj gjyqtarëve, gazetarëve, profesorëve, qytetarëve të zakonshëm.Demokracia nuk vdes vetëm nga puçet. Ajo vdes edhe nga heshtja ndaj çmendurisë së artikuluar.
Prandaj reagimi nuk duhet të jetë vetëm moral, por edhe institucional. Sepse kur fjala bëhet thirrje për krim, toleranca nuk është më virtyt por është bashkëfajësi.