Pas iniciativës së Presidentit Donald Trump për Bordin e Paqes, shtrohet me forcë pyetja themelore: a është sot më afër paqes kjo pjesë e popullit palestinez, ndër më të ndëshkuarat në botë, apo ishte dje?
Në një realitet global ku vlerat po ndryshojnë rrënjësisht, ku morali – ashtu siç e kemi njohur deri më sot – është tronditur thellë dhe po zëvendësohet nga nocione e veprime që afirmojnë filozofinë pragmatiste si dominante, sidomos në praktikën politike të mbështetur nga forca fizike, edhe pak paqe e qetësi fillon të duket si një arritje.
Natyrisht, ndihma asnjëherë nuk ka qenë e pakushtëzuar dhe e çliruar nga interesi; dikur ky interes ishte më i kamufluar nën etikë, sot është hapur material dhe gjeopolitik.
Po përjetojmë edhe në këtë rast një përmbysje të rendit të botës që kemi njohur, një përpjekje për ta zëvendësuar atë me një rend të ri, ende të paartikuluar qartë e plotësisht. Kjo duket si një tentativë për funksionalizim institucional të asaj që quhet antiglobalizëm, të cilin unë jam i prirur ta quaj më saktë neoglobalizëm, sepse bindja ime mbetet se globalizmi, në një formë ose tjetër, është caku dhe e ardhmja e pashmangshme e njerëzimit.
Nuk është e thjeshtë, prandaj edhe ka hezitim nga faktorë dhe shtete në përkrahjen e kësaj iniciative.
Në këtë kontekst, Kosova, si një shtet që mbështet dhe promovon paqen dhe mirëqenien e çdo njeriu dhe të popujve, si dhe si një aleate e pakompromis e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e mbështet dhe merr pjesë në këtë forum, e bindur se mund të ofrojë përvojat e saj të konsolidimit shtetëror në proceset e paqes për popullin palestinez, në fazën e tranzicionit drejt një entiteti të lirë, funksional dhe prosperues.
Ftesa dhe pjesëmarrja e Presidentes Vjosa Osmani janë një vërtetim i konsideratës së SHBA-së dhe të Presidentit Donald Trump ndaj Kosovës, të së kaluarës së saj dhe rolit që ajo sot luan në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.