Reagim publik ndaj një diskreditimi të padrejtë të lidershipit shqiptar në Luginën e Preshevës

Opinione

Reagim publik ndaj një diskreditimi të padrejtë të lidershipit shqiptar në Luginën e Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 24 janar 2026 Në ora: 18:00
Nehat Hyseni

Deklarimet e fundit të Nexhat Behlulit dhe platformës mediatike TV Spektri, përmes të cilave liderë të zgjedhur politikë të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) – Deputeti Shaip Kamberi, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi – etiketohen si “hajna”që nuk ndëshkohen nga Serbia, përbëjnë një akt të papërgjegjshëm publik, të pavërtetë dhe moralisht të papranueshëm.

Këto deklarime nuk bazohen në asnjë fakt, dokument, aktgjykim apo provë ligjore. Ato nuk janë kritikë politike e argumentuar, por diskreditim personal dhe institucional, që cenon jo vetëm individët e përmendur, por edhe vetë përfaqësimin politik shqiptar në Luginën e Preshevës.

Në vend të akuzave pa bazë, e vërteta faktike është se lidershipi aktual i përfaqësimit politik shqiptar ka arritur rezultate të rëndësishme dhe të prekshme në planin ndërkombëtar. Veçanërisht duhet theksuar:

                •             Deklarimi publik i Kongresmenit amerikan Keith Self lidhur me diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, një akt me peshë të madhe politike dhe me implikime serioze ndërkombëtare;

                •             si dhe avancimi i proceseve që çuan drejt miratimit të një kornize ligjore kundër diskriminimit të shqiptarëve në këtë rajon.

Këto zhvillime përbëjnë arritje historike, të cilat janë pasqyruar gjerësisht në faqet e para dhe ballinat e pothuajse të gjitha mediave shqiptare, si brenda ashtu edhe jashtë Luginës së Preshevës. Reagimi pozitiv dhe entuziast i opinionit publik shqiptar ishte i përgjithshëm dhe i natyrshëm, sepse bëhet fjalë për një hap të rrallë dhe domethënës në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Serbi.

Në këtë kontekst, është veçanërisht shqetësuese që, pikërisht në momentin kur këto rezultate duhej të vlerësoheshin dhe të mbështeteshin, ato shoqërohen me etiketime fyese dhe akuza të rënda nga individë dhe media që pretendojnë se veprojnë në emër të “kritikës”.

Kritika politike është e domosdoshme në çdo shoqëri demokratike. Por ajo humb çdo legjitimitet kur shndërrohet në baltosje pa prova dhe kur shërben për të dëmtuar interesin e përgjithshëm kombëtar, sidomos në një kontekst ku shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me diskriminim institucional dhe presion të vazhdueshëm shtetëror.

Po aq problematike është edhe mospërputhja e standardeve publike: ndërsa përfaqësuesit legjitimë shqiptarë sulmohen pa fakte, figura të qeverisë serbe dhe struktura të lidhura drejtpërdrejt me politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve trajtohen me gjuhë toleruese, madje lavdëruese.

Kjo qasje nuk i shërben as informimit të drejtë të publikut, as interesit politik e kombëtar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përkundrazi, ajo krijon konfuzion, përçarje dhe i jep argumente diskursit që synon dobësimin e përfaqësimit institucional shqiptar.

Prandaj, është e domosdoshme që debati publik të kthehet në binarë racionalë, të bazuar në fakte, përgjegjësi dhe etikë profesionale. Kritika po – por me argumente. Llogaridhënia po – por me prova. Baltosja pa baza dhe diskreditimi i sukseseve kolektive – jo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat