Pse kaq shumë paragjykohen njerëzit për ambiciet që i kanë dhe duan ti realizojnë në jetë

Opinione

Pse kaq shumë paragjykohen njerëzit për ambiciet që i kanë dhe duan ti realizojnë në jetë

Nga: Ejup Berisha Më: 28 janar 2026 Në ora: 10:56
Autori Ejup Berisha

Kam një pyetje dhe ajo është kjo: pse njerëzit kanë shumë paragjykime për dikë që ka ambicie dhe dëshiron t’i realizojë ato në jetë? Këta jo vetëm që paragjykohen, por gjithashtu edhe përqeshen dhe nënçmohen nga individë të tjerë, pikërisht për ambiciet që kanë. Këto janë shumë të rëndësishme për një njeri, madje janë motivi kryesor për të jetuar. Prandaj, pamundësia për t’i realizuar ato shkakton te njerëzit hidhërim, dhembje dhe pikëllim të madh.

Pra, ambiciet janë gjëra reale që i ka gjithkush në vete. Para disa vitesh edhe unë, E.B., kisha një ambicie të vetme dhe ajo ishte të bëhesha President i Republikës. Kjo ishte ambicia ime e vetme, e cila për fat të keq nuk u realizua. Arsyet për këtë janë të njohura për të gjithë në këtë vend.

Së pari, nuk arrita të siguroj përkrahje nga asnjë prej subjekteve kryesore politike ekzistuese, edhe pse këtë ambicie disa herë e pata paraqitur dhe motivet i pata sqaruar atë kohë në opinion. Shkaku i dytë ishte pamundësia për t’i siguruar nënshkrimet e nevojshme që të mund të siguroja kandidaturë të pavarur për President. Dhe e gjithë kjo ambicie ra në ujë.

Pra, pse doja të bëhesha President i Republikës? I tillë doja të bëhesha sepse kisha dëshirë që të gjithë qytetarët t’i bëja të lumtur, që asnjëri prej tyre të mos ishte i pasigurt, i frikësuar, i trishtuar apo i pikëlluar. Kjo për faktin se te njerëzit kishte vite që vërehej ekzistimi i këtyre ndjenjave.

Më tej, si i pari i shtetit, doja të kontribuoja në rikthimin e barazisë dhe lirisë së mohuar nga ish-elitët politike që ishin në pushtet, si pasojë e suspendimit të demokracisë nga ana e tyre. Ajo u suspendua dhe u pamundësua, prandaj unë, nga pozita e një faktori kryesor politik, doja të kontribuoja për rikthimin dhe përforcimin e proceseve demokratike në RMV.

Si njeriu i parë në shtet, një pjesë të madhe të mandatit tim do t’ua kushtoja qytetarëve të RMV-së, duke mos i anashkaluar ingerencat e tjera kushtetuese dhe ligjore të Presidentit. Do t’u përkushtohesha të gjithëve pa dallim gjuhe, ngjyre të lëkurës apo feje.

Më tej, President i Republikës dëshiroja të bëhesha sepse doja të jem i pari politikan në timonin e shtetit që me qytetarët e rëndomtë të mos bëja politikë. Kjo sepse praktika dhe realiteti i deritanishëm dëshmojnë se të gjithë ish-presidentët e RMV-së gjithmonë kanë bërë politikë me qytetarët e vendit. Të mos keqkuptohem: nuk po them se si President do të hiqja dorë plotësisht nga politika, por atë kryesisht do ta praktikoja vetëm në raport me kolegët e mi të shteteve të rajonit dhe botës, si dhe me faktorë të tjerë politikë, por jo edhe me qytetarët.

Me mua si i pari i shtetit do të lulëzonte edhe ekonomia bashkë me industrinë. Jo se Presidenti ka kompetenca ekonomike, por gjatë aktiviteteve të tij diplomatike ai mund t’i prezantojë mundësitë dhe kapacitetet ekonomike të vendit të vet para subjekteve ekonomike dhe afaristëve të shteteve të tjera. Kështu, gjatë takimeve dhe bisedave me ta, do t’i ftoja të vinin dhe të investonin këtu te ne për ta mundësuar zhvillimin dhe përparimin e afarizmit të vendit tonë.

Theksi i angazhimit tim diplomatik do të ishte edhe inicimi i bashkëpunimit më të madh dhe më intensiv dypalësh dhe shumëpalësh mes shteteve, si dhe rritja e kontributit për sigurinë dhe paqen e përgjithshme botërore, përmes shmangies së rreziqeve nga përplasjet dhe kundërshtimet e mëdha mes shteteve si pasojë e rivaliteteve të mëdha që ishin prezente në marrëdhëniet politike dhe ushtarake ndërkombëtare të asaj kohe.

Dhe meqë nuk arrita ta realizoj ambicjen e vetme që e kisha, gjithçka më duket e kotë. Tani kam edhe një tjetër ambicie, të cilën nuk besoj se do të më realizohet. Këtë nuk do ta bëj publike, me shpresë se ndoshta në këtë mënyrë do të më realizohet. Kjo është ambicia ime e fundit, e cila edhe nëse nuk bëhet realitet, nuk do të bëhet nami, por te unë do të shtohen edhe më shumë dëshprimi, dhembja dhe pikëllimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat