Kur shteti kërkon bereqetin, por ka humbur besimin

Opinione

Kur shteti kërkon bereqetin, por ka humbur besimin

Nga: Gjon Marku Më: 15 shkurt 2026 Në ora: 19:22
Gjon Marku

Ka një moment kur fjalët e pushtetit nuk mjaftojnë më. Kur premtimet, sado të ambalazhuara bukur, bien në vesh të shurdhër. Ky moment është sot në jug të vendit, aty ku përmbytjet e Vjosës nuk kanë shkatërruar vetëm ferma e bagëti, por kanë shembur edhe atë pak besim që kishte mbetur mes fermerit dhe shtetit. Situata e rënduar në kwto rrethe dhe protestat e fermerëve e kanw vënë qeverinë në lëvizje, aq më tepër që ish-zëvendëskryeministri ka ngritur shpesh zërin në mbështetje të tyre. Megjithatë, shirat e fundit, sidomos në fshatrat përgjatë brigjeve të Vjosës, kanw shkaktuar përmbytje të mëdha, duke dëmtuar rëndë fermat dhe bagëtitë në këto zona.

Fermeri refuzon kategorikisht ta dorëzojë bereqetin për ta ruajtur qeveria, sepse besimi ndaj saj është shuar plotësisht. Refuzimi i tij nuk është kapriço, as rebelim i paarsyeshëm. Është akt politik. Është akt mbijetese. Kur një bari thotë se dorëzimi i bereqetit në duart e shtetit do të thotë “ta vras gjen e gjall me dorën time”, ai nuk flet me metafora letrare, por me gjuhën e përvojës.

Pothuajse gjysma e qeverisë ka zbritur në jug përpara mbërritjes së kryeministrit, jo për të dhënë zgjidhje konkrete, por për të ndërtuar imazhe dhe për të shpërndarë premtime boshe. Ndërkohë, militantët dhe përkrahësit e partisë “Shqipëria Bëhet” vijonin protestën e tyre në ditën e 50-të radhazi, ndërsa paralelisht, në sheshet e qyteteve të vendit, protestat e opozitës po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra - shenjë e qartë e një pakënaqësie të përgjithshme shoqërore.

Shirat dhe përmbytjet nuk mjaftuan. U desh zemërimi publik, u desh rruga, u desh protesta. Edhe reagimi erdhi më shumë si ekspeditë propagandistike sesa si ndërhyrje reale shtetërore. Zbritja masive e ministrave në jug, ku nuk kishte në qendër fermerin, por kamerat.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në mandatin e tij të parë - një mandat i shoqëruar me dështime dhe paaftësi të dukshme - trashëgon një ministri të rrënuar nga keqmenaxhimi dhe skandalet e mëparshme, përfshirë abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian nga ish-ministrja Krifca. I vetëdijshëm për këtë barrë dhe i frikësuar për të ardhmen e tij politike, ministri synonte mbi të gjitha të ruante karrigen dhe të fitonte miratimin e kryeministrit, jo të zgjidhte problemet reale të fermerëve.

Në një takim me fermerët e Vlorës, ai mori fjalën me një propozim që tingëllonte më shumë si mashtrim institucional sesa si zgjidhje reale:

“Qeveria do të ndërtojë një magazinë të madhe, të pajisur me sistem tharjeje. Dorëzojeni bereqetin aty; qeveria ua ruan dhe ju e merrni kur të doni, pa u dëmtuar nga shirat apo zjarret.”

Problemi nuk është magazina. Problemi është shteti. Një shtet që nuk ka qenë i pranishëm kur fermeri humbiste gjithçka nga uji, nuk mund të kërkojë sot që i njëjti fermer t’i dorëzojë të vetmen pasuri që i ka mbetur. Besimi nuk dekretohet. Nuk ndërtohet me konferenca shtypi dhe as me premtime të përsëritura.

Por Ganiu, një bari që kishte humbur një pjesë të deleve dhe pothuajse gjithë fermën nga përmbytjet e Vjosës, u ngrit në këmbë i revoltuar, duke thënë me zë që dridhej nga zemërimi dhe dëshpërimi:

“Bah, bah, bah… punë që nuk bëhet! Unë ju besova vetëm qeverisë dhe sot po vdes pa rrugë, pa të ardhura e pa asnjë shpresë. T’ua dorëzoj bereqetin tim në dorën tuaj do të thotë ta vras me dorën time. Do të thotë t’i lë bagëtitë të ngordhin.

Ju vidhni kudo ku ju jepet mundësia. Mos mendoni se nuk do të ma vidhni edhe bereqetin po t’ua dorëzoj vetë! Bah, bah, bah… punë që s’bëhet, zoti ministër! Pak se po vdes unë, të ngordhin edhe bagëtitë?”

Ministri mbeti i ngrirë, pa asnjë përgjigje. Fermerët e tjerë shpërthyen në të qeshura të hidhura, një e qeshur që nuk ishte tallje, por akt akuze. Mbledhja u shpërnda mes zhurmës dhe zemërimit, duke u kthyer në një dështim të plotë politik.

“Bah, bah, bah… ta dorëzojmë bereqetin në dorën tuaj? Më mirë ta vrasim vetë gjan e gjall me dorën tonë!” dëgjoheshin fermerët teksa largoheshin, duke e kthyer fjalën e Ganiut në një refren proteste kundër një shteti që nuk besojnë më.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat