Në prag të zgjedhjes së presidentit/es: Kur do të vetëdijësohet politika kosovare?!

Opinione

Në prag të zgjedhjes së presidentit/es: Kur do të vetëdijësohet politika kosovare?!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 20 shkurt 2026 Në ora: 19:09
Gazetari Ismail Muçiqi

Është e paimagjinueshme që një shoqëri në shekullin XXI të mos kuptojë rrethanat aktuale të zhvillimeve në politikën Botërore dhe rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve globale, deri edhe në një luftë të tretë Botërore. Këto procese dhe këto lëvizje nuk po arrin t’i kuptojë politika Kosovare, përkatësisht të ashtuquajturat parti politike, të cilat duket se kanë humbur çdo arsye dhe përgjegjësi për të krijuar stabilitet politik në interes të shtetit dhe të kombit.

Ende pa u caktuar data për zgjedhjen e Presidentes apo Presidentit, grupe të caktuara dhe rryma destruktive, që flasin në emër të partive politike, një numër pseudo-analistësh, opinionistësh dhe të ashtuquajtur gazetarë (moderatorë), kanë nisur një fushatë destabilizuese. Përmes ekraneve televizive dhe mediave të tjera, ata po rreshtohen në një kauzë të vetme: si të pamundësohet apo të kontestohet rizgjedhja e zonjës Vjosa Osmani në krye të shtetit. Kjo politikë e verbër po përsëritet prej vitesh në skenën tonë politike, duke krijuar huti, përçarje dhe kaos te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Po të ishin të vetëdijshme këto parti politike, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe i gjithë spektri politik, intelektual e akademik, me kënaqësi do të duhej që në mënyrë unanime ta përkrahin dhe ta votojnë zonjën Osmani. Ajo po e befason edhe diplomacinë ndërkombëtare me integritetin, pjekurinë politike dhe vizionin e saj paqësor për të ardhmen e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë. Të kontestosh apo të pamundësosh rizgjedhjen e saj në këtë kohë të turbulencave dhe krizave globale është një veprim i pajustifikueshëm dhe i dëmshëm për shtetin e Kosovës. Zonja Osmani e ka përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare në mënyrë dinjitoze dhe profesionale, duke lënë përshtypje të fuqishme te shumë diplomatë dhe burrështetetas të Botës. Ajo gjithnjë u prezantua si një lidere me integritet, me pjekuri politike dhe me një bagazh të pasur akademik e shkencor. Megjithatë, mbetemi të shqetësuar për këtë klasë politike shpeshherë shkurtpamëse, naive dhe të mbushur me defekte, deri në nivele të xhelozisë patologjike, që udhëhiqet kryesisht nga interesa personale.

Pjesmarrja – zgjedhja e  zonjes Vjosa Osmanit në bordin e paqes të formuar nga Presidenti Trump dhe SHBA, kanë ndikuar në forcimin e pozitës së Kosovës dhe në sfidimin e politikave hegjemoniste të Serbisë. Andaj, çdo kalkulim, hile apo obstruksion nga kushdo për të penguar zgjedhjen normale të Presidentit/es nga ana e Kuvendit të Kosovës do të përbënte një goditje serioze për shtetin dhe të ardhmen e tij. Partitë politike po jetojnë me iluzionin se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme mund t’u sjellin përfitime.

Por ato nuk janë të vetëdijshme se një dështim për zgjedhjen e Presidentit/es do të ishte një goditje e rëndë për të gjithë spektrin politik Shqiptar në Kosovë. Ky popull tashmë është i lodhur dhe i ngopur me parti të konsumuara, të cilat, për interesa të ngushta, po rrezikojnë të ardhmen e vendit. Koha e fiseve dhe bajraktareve ka perënduar që moti por fatkeqësisht ky soj i njerëzve që kanë hyrë aksidentalisht në politikë ka probleme me trendet dhe proceset zhvillimore që po kërkon momenti dhe koha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat