Kriminalizimi i të dobëtit: Dështimi i politikës penale ndaj narkomanisë në Mitrovicë

Opinione

Kriminalizimi i të dobëtit: Dështimi i politikës penale ndaj narkomanisë në Mitrovicë

Nga: Besnik Xhaka Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 09:45
Besnik Xhaka

Narkomania në qytetin e Mitrovicë është bërë një realitet i dhimbshëm social që nuk mund të fshihet më pas statistikave formale apo deklaratave optimiste institucionale.

Si kriminalist, e shoh me shqetësim se mënyra se si po trajtohet fenomeni në praktikë nuk përputhet me parimet bashkëkohore të politikës penale dhe as me analizën shkencore të kriminalitetit të lidhur me substancat narkotike.

Problemi nuk qëndron vetëm te prania e drogës, por te filozofia ndëshkuese që po zbatohet ndaj përdoruesve, sidomos kur bëhet fjalë për sasi tepër të vogla.

Në Mitrovicë, si qytet me sfida të theksuara ekonomike dhe sociale, varësia shpesh lidhet me papunësinë, mungesën e perspektivës dhe traumën sociale të trashëguar ndër vite.

Në këtë kontekst, përdoruesi i drogës është më shumë produkt i rrethanave sesa arkitekt i një veprimtarie kriminale të organizuar.

Megjithatë, praktika e ndjekjes penale për disa gramë substancë narkotike, e shoqëruar me gjoba të larta apo dënime me burg, po krijon një realitet paradoksal: në vend që të kemi rehabilitim, po kemi kriminalizim të thelluar.

Si kriminalist, mendoj se politika penale aktuale ka një mangësi thelbësore: ajo nuk bën diferencim të mjaftueshëm mes përdoruesit dhe trafikantit. Ndërsa strukturat që organizojnë shpërndarjen, që lëvizin sasi të mëdha dhe që gjenerojnë fitime të konsiderueshme kërkojnë hetime të sofistikuara financiare dhe operacione të mirëkoordinuara, energjia institucionale shpesh konsumohet në raste të thjeshta posedimi.

Kjo krijon një disproporcion të rrezikshëm midis rrezikshmërisë reale dhe reagimit penal.

Në praktikë, një i ri nga Mitrovicë që kapet me një sasi minimale për përdorim personal, përballet me procedim penal, me rrezik dënimi, me regjistrim penal që e ndjek për vite.

Ai mund të humbasë mundësinë e punësimit, të arsimit apo të integrimit social. Në vend që të trajtohet si person në nevojë për ndihmë dhe mbështetje terapeutike, ai etiketohet si kriminel. Kjo etiketë, në aspektin kriminalistik, është faktor i fortë kriminogjen, sepse rrit probabilitetin e recidivizmit.

Recidivizmi nuk lind nga vakumi moral i individit, por nga ndërthurja e dënimit me mungesën e alternativave.

Burgjet, në vend që të jenë qendra rehabilitimi, shpesh funksionojnë si hapësira ku individët me rrezikshmëri të ulët ekspozohen ndaj kulturave më të forta kriminale.

Një përdorues i thjeshtë që futet në këtë sistem del shpesh më i dëmtuar se sa hyri. Kjo nuk është teori; është model i dokumentuar kriminalistik që përsëritet sa herë politika penale bazohet vetëm në represion.

Kritika ime ndaj prokurorisë dhe gjykatave nuk është sulm ndaj zbatimit të ligjit, por ndaj mungesës së proporcionalitetit dhe strategjisë. Ligji duhet zbatuar, por brenda frymës së drejtësisë dhe racionalitetit penal.

Masat alternative trajtimi i detyrueshëm, mbikëqyrja me kusht, programet rehabilituese dhe puna në komunitet duhet të jenë reagimi primar për sasi minimale.

Dënimi me burg duhet të mbetet mjet i fundit, jo reagim standard.

Nëse në Mitrovicë vazhdohet me këtë qasje, rreziku është që sistemi penal të bëhet faktor prodhues i kriminalitetit, jo zgjidhës i tij.

Një qytet që përballet me sfida sociale ka nevojë për politika parandaluese, për investim në edukim, për qendra trajtimi dhe për bashkëpunim ndërinstitucional mes drejtësisë, shëndetësisë dhe shërbimeve sociale.

Lufta kundër narkomanisë nuk fitohet duke mbushur dosje me raste posedimi minimal, por duke çmontuar rrjetet që furnizojnë tregun dhe duke reduktuar kërkesën përmes trajtimit dhe parandalimit.

Si kriminalist, mendoj se nëse politika penale nuk rishikon prioritetet e saj në Mitrovicë, do të vazhdojmë të shohim të njëjtët emra që rikthehen në bankën e të akuzuarve. Dhe kjo nuk është shenjë e forcës së shtetit, por e dështimit të strategjisë së tij.

Një sistem që ndëshkon me ashpërsi hallkën më të dobët, ndërsa nuk arrin të çmontojë mekanizmat e fuqishëm të trafikut, krijon perceptim padrejtësie dhe ushqen ciklin e recidivizmit.

Në vend që të shërojmë plagën e narkomanisë, rrezikojmë ta thellojmë atë përmes një politike penale që ka nevojë urgjente për reformë dhe riorientim strategjik...Një drejtësi që ndëshkon më shumë viktimën se kriminelin nuk është drejtësi, por prodhues recidivizmi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat