Komunizmi demokratik është doktrinë mbi lirinë e plotë të njeriut. Komunizmi klasik u tërhoq që t’ia lirojë hapësirën demokracisë, si formë e re e organizimit të shoqërisë, me shpresë që njerëzimit t’i sjellë jetë të lumtur.
Njerëzimi nuk u shpëtua nga pakënaqësitë e kaluara në demokraci, por akoma më shumë e humbi lirinë si individ, pjesëtar në ekosistemin e themeluar nga klanet ndërkombëtare, me program shfrytëzues të njeriut ndaj njeriut.
Në demokracinë dogmatike, punëtori e shet krahun e punës me ditë, me orë pune, dhe në këtë mënyrë krijon të mira materiale, të cilat sjellin profit për kapitalistin demokrat, por punëtori nuk merr pjesë në ndarjen e profitit. Ngelen me mëditjen e shitur. Sedimentimi i këtyre dukurive sjell vetëm ekskrecione infektive të negacionit moral, si rregullator dhe atribut i mirësjelljes njerëzore në rrjetin social, që parasheh të respektohet personaliteti i çdo individi, megjithë fërkimet dhe ambiciet impulsive që përcjellin aktivitetin e përditshëm të çdo punëtori apo grupacioni të caktuar njerëzor.
Meqë parimet e sjelljes prosociale janë zvetënuar deri në dimensione antisociale, që nga fillimi i tranzicionit demokratik e deri më sot, duhet potencuar se është dorë e vetë keqpërdorimi dhe papërgjegjësia e lidershipit shoqëror dhe shtetëror që ka paraprirë, mbështetur dhe sponsoruar këtë mizori ubikvitare sociale. Kur pseudoafaristët gjejnë mbështetje te pushteti, shfrenohen duke i kapërcyer normat elementare afariste kundrejt punëtorëve. Me këtë akt aktivizohet spirala e formimit dhe prodhimit të të varfërve në shoqërinë e vetë shtetit. Klasa politike nuk është e vetëdijshme për pasojat fatale mbi popullatën e vet. Shteti kundër shtetasve të vet.
Ky formacion shoqëror kategorizohet si deklinim psikosocial dhe sociokulturor i shoqërisë demokratiko-dogmatike; përndryshe, do ta klasifikojmë si tjetërsim të demokracisë.
Duke e hedhur poshtë demokracinë dogmatike, do ta pengojmë një krizë në të cilën vetëm të pasurit ia dalin mbanë. Të pasurit pasurohen, të varfërit varfërohen. Bota, pavarësisht përparimit të shkencës dhe teknologjisë, nuk po përparon sa duhet. Asgjë nuk është bërë për të siguruar që edhe të varfrit të bëhen qytetarë të pasur dhe të denjë. Suksesi i ekonomisë së re nuk konsiston në zhvillimin e prodhimit, por në marrëdhënien e fshehtë midis të varfërve dhe të pasurve.
Kemi arritur në fund fare, por ende po gërmojmë. Dhe nëse kemi dështuar për rreth dyzet vjet, ndoshta mund të themi me modesti se nuk jemi pikërisht në rrugën e duhur. Por njerëzit janë rezistentë. Bota, veçanërisht ne, nuk kemi nevojë për përvetësimin e ekonomisë dhe kapitalit, po ashtu as për zhvatjen e buxhetit të shtetit nga udhëheqësit politikë, të cilët e gëzojnë besimin e qytetarëve.
Formacioni shoqëror i demokracisë dogmatike duhet t’ia lëshojë hapësirën, pa revolucion e pa viktima. Ideologjia e komunizmit demokratik do të pranohet vullnetarisht, sepse vetëdija do të arrijë spontanisht si rezultat i ngopjes ndaj luftërave që ndodhin nëpër botë. Deri më tani ka sunduar formacioni shoqëror i rafinuar nga komunizmi diktatorial, i cili pas vetes ka shkruar një histori të përgjakur të njerëzimit.
Tani ka ardhur koha që të kalohet në një formacion të ri shoqëror, ku njeriu do të fitojë lirinë absolute shumëdimensionale. Paqja e shumëdëshiruar e njerëzimit do ta mbizotërojë botën. Garat në armatim do të dedikohen në mbrojtjen e botës nga gjithësia.
Njeriu do të vlerësohet dhe nuk do të sundohet nga oligarkët demokratë, po ashtu nuk do të tjetërsohet nga njeriu.
Aksiomat e reja nuk duhet t’i kuptoni si absurditet, por si realitet i ardhmërisë.
Ky formacion i ri emërtohet: Komunizmi demokratik.